1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Leksion i madh për Shqipërinë - Atmosfera e zgjedhjeve amerikane në Tiranë

63 përqind shqiptarë votojnë simbolikisht për Obamën.

Flamuj shqiptarë dhe amerikanë

Flamuj shqiptarë dhe amerikanë

Njëri prej holleve të hoteleve kryesorë në Tiranë që nga mbrëmja e së martës është shndërruar në epiqendrën e atmosferës amerikane për zgjedhjet presidenciale. Monitorë të mëdhenj të lidhur më stacionet kryesore televizive, muzikë dhe një bufe e larmishme duket si sfondi më i përshtashëm për ata qindra vizitorë të interesuar, të cilët kanë hyrë e kanë dalë në këtë ambjent, ku informohen me të rejat më të fundit dhe shkëmbejnë mendime për ngjarjen më të rëndësishme të globit.

Dhoma Amerikane e Tregëtisë dhe ambasada e SHBA-ve në Shqipëri për ta bërë dhe më atraktiv mjedisin kane improvizuar që nga mbrëmja e së martës një "votim" të të gjithë pjesmarrësve, "votim" që rezultoi me fitues po Barak Obamën (63 përqind) kundrejt 36 përqind që mori rivali i tij McCain.

Presidenti Bamir Topi, i cili ishte i pranishëm në veprimtarinë e posaçme për zgjedhjet që u organizua nga Dhoma Amerikane e Tregëtisë dhe Ambasada Amerikane në Tiranë, e konsideroi procesin zgjedhor në SHBA si një leksion të madh për Shqipërinë. "Të gjitha leksionet e mira për demokracinë vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kemi rastin që t’i referohemi këtij eventi kaq të madh, jo vetëm për SHBA, por për të gjithë botën. Ne jemi të lumtur që kemi një mik kaq të madh. Dhe besoj që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë gjithmonë të shkëlqyera, do të jenë gjithmonë të forta. Nuk ka nevojë të themi që do të jenë më të mira, sepse janë të shkëlqyera. Do të jenë gjithmonë të shkëlqyera, shumë të forta dhe kjo besoj do të jetë shumë e rëndësishme për Shqipërinë, do të jenë për Kosovën, do të jenë për rajonin tonë ballkanik, që në mënyrë të qartë ka shprehur aspiratat e tij euro-atlantike".

Kryeministri Sali Berisha e uroi në emër të qeverisë presidentin e sapo zgjedhur, për atë që ai e përshkroi si një fitore të shkëlqyer dhe historike. Zgjedhja e tij e ka bërë këtë vend të madh më të bashkuar se kurrë, tha Berisha duke shtuar se "jam i bindur se tek presidenti Obama dhe zevëndëspresidenti Biden, tek administrata e re, shqipëtarët do të kenë miqtë më të shquar dhe se bashkëpunimi i shkëlqyer miqëdor mes dy vendeve do të njohë dimensione të reja dhe më të mëdha".

Fitoren e Obamës shefi i opozitës Edi Rama, i cili ndodhet për vizitë zyrtare jashtë vendit e përshkroi si një fitore të gjeneratës së re dhe thyerje të tabuve.

Ndërkohë që kryetarja e grupit parlamentar të PS në opozitë, Valentina Leskaj, ka vlerësuar mënyrën si u zhvillua procesi në SHBA. "Ishte një fushatë elektorale inspiruese që tentonte nga alterantivat dhe jo nga sharjet dhe jo nga sulmet personale si ndodh rëndom në Shqipëri. Pra, ishte një fushatë model si brenda demokratëve ashtu dhe në shkallë vendi mes dy rivalëve Obama që u bë presidenti i SHBA-ve dhe McCain", tha Leskaj.

Erion Veliaj, drejtues i grupimit G99, i cili e ndoqi procesin e votimit në veprimtarinë e posaçme për zgjedhjet që u organizua nga Dhoma Amerikane e Tregëtisë dhe Ambasada Amerikane në Tiranë i ka bërë përshtypje mënyra se si kanë reaguar pas daljes së rezultateve të para dy rivalët në garë. "Ata treguan një klas dhe stil të jashtëzakonshëm, që është për t'u marrë shembull. Si zoti McCain që pranopn në mënyrë dinjitozë humbjen, si zoti Obama që i rezervon kundërshtarit të tij respektin maksimal. Këto janë mësime që pavarësisht sistemit zgjedhor të gjithë mund të përfitojnë", shprehet Veliaj.

Kurse kryetari i Partisë së Bashkimit të të drejtave të Njeriut, Vangjel Dule, mendon se politika shqiptare ka shumë për të marrë nga procesi i zgjedhjeve presidenciale. Dule shpreson se fitorja e Obamës do të ketë efekte pozitive jo vetëm për SHBA por dhe mbarë botën."Shpresojmë që sinjalet që vijnë nga SHBA nga fitorja e Obamës të sjellin një epokë të re, epokën e shekullit të 21 për mbarë botën", deklaron Vangjel Dule.

Shefi i marrëdhënieve me publikun në ambasadën amerikane në Tiranë Dix Aliu, pas shpalljes së rezultateve të para të zgjedhjeve rikonfirmoi faktin se "marrëdhëniet mes se dy vendeve do të mbeten të fuqishme. Shqipëria do të mbajë pas pak kohe zgjedhjet e përgjithshme dhe një nga detyrat parësore është zhvillimi i tyre në mënyrë të lirë dhe të ndershme. Për shqiptarët ky të ishte një rast i mirë për të bërë dhe ata si bënë amerikanët në zgjedhjet e tyre".

  • Data 05.11.2008
  • Autor Arben Muka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Fnpa
  • Data 05.11.2008
  • Autor Arben Muka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Fnpa