1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Legalizim i përgjimit në Maqedoni? - Opozita dhe shoqëria civile kritikojnë ndryshimet në ligjin për komunikacionin elektronik

Deputetët e partive opozitare në Maqedoni kritikojnë ndryshimet e fundit në ligjin për komunikime elektronike, që për ta është ligjërim i përgjimit të bisedave telefonike.

default

Propozimet për ndryshimin e ligjit për Komunikime Elektronike, me të cilat Ministria e Punëve të Brendshme maqedonase mund të përgjojë bisedat telefonike edhe pa leje nga gjykata, kanë hasur në reagime të shumta tek opozita maqedonase dhe shqiptare. Edhe shoqëria civile kritikon ndryshimet, që sipas saj prekin drejtpërdrejt të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

Deputeti i socialdemokratëve Jani Makraduli, vlerëson se qeveria e Gruevskit, me ndryshimet në ligjin për Komunikime Elektronike, do të luajë rolin e “ Big Brother-it”.Gjithnjë sipas Makradulit, tani nuk do të përgjohen vetëm telefonatat, por do të shkohet edhe një hap më tej dhe do të kontrollohen edhe laptopët dhe kompjuterët.

"Kur të luajë ariu para derës, do të jetë vonë. Kur të publikohen bisedat telefonike, atëherë është vonë për të reaguar", - tha deputeti Jani Makraduli.

Rreziku i shndërrimit në shtet policor

Flora Kadriu nga Demokracia e Re, vlerëson se e tërë rregullativa ligjore që parashihet të përfshihet në ligjin për Komunikime Elektronike, është në kundështim me propozimet dhe vërejtjet që i janë bërë ligjit të vjetër nga ekspertët evropianë.

"Mazhoranca aktuale del nga korniza e legjislaturës evropiane, ajo përforcon Ministrinë e Punëve të Brendshme, policinë, dhe në këtë mënyrë formon shtet policor", - u shpreh Flora Kadriu, deputete e Demokracisë së Re.

"Ndryshimet që ofrohen në ligjin për Komunikime Elektronike janë skandaloze. Me to legalizohet përgjimi i bisedave telefonike si dhe shtrihet gama e veprimit për cënimin e të drejtave dhe lirive të qyetarëve", - vlerëson Vesna Bendevska nga opozita maqedonase.

Zëvendësministri i Transporteve dhe Komunikacionit, Goran Mihajllovski, i ka vlerësuar si të pabaza akuzat e opozitës për gjoja legalizimin e përgjimit në Maqedoni.

"Me këtë ligj vetëm konkretizohet dhe sqarohet koncepti i pjesës teknike të ligjit për Komunikime Elektronike", - tha Mihajllovski.

Pamje simbolike: përgjim telefonatash.

I domosdoshëm kontrolli mbi punën e policisë

Komiteti i Helsinkit kritikon qeverinë për faktin se nuk ka nxjerrë në diskutim publik ndryshimet e ligjit. Sipas Mirjana Najçevskës, është mëse i nevojshëm një mekanizëm i jashtëm kontrolli në punën e policisë. Pushtetarët nuk po e kuptojnë domethënien e të qënit pjesëmarrës në demokraci andaj edhe kemi mungesë të diskutimeve publike për ligjet, thotë Mirjana Najçevska, ish-kryetare e Komitetit të Helsinkit. Ajo shton:

"Kohët e fundit, për shkak të vërejtjeve që vijnë nga Sektori Civil, qeveria realizon konsultime jo aq transparente, prandaj edhe qyetarët shpesh herë ligjet i kontestojnë në Gjykatën Kushtetuese."

Për opozitën është e pakuptueshme se përse qeveria ka dërguar për ekspertizë në Bruksel vetëm 10 nene të ligjit për komunikime elektronike dhe jo edhe 80 nenet e tjera të cilat janë më të diskutueshme për opozitën.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 25.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NWMo
  • Data 25.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NWMo