1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Largohet Bühler - Komandanti i ri i KFOR, Erhard Drews

Komandanti i forcave paqëruajtëse në Kosovë, gjenerali gjerman, Erhard Bühler, pas qëndrimit njëvjeçar në krye të kësaj trupe i lë vendin një gjenerali tjetër gjerman, Erhard Drews

Komandanti i KFOR-it Erhard Bühler largohet nga Kosova

Komandanti i KFOR-it Erhard Bühler largohet nga Kosova

Ceremonia e ndërrimit të komandës, u zhvillua në shtabin qëndror të KFOR-it, në praninë e Komandantit të Forcave të Përbashkëta të Komandës në Napoli, admiralit Samuel J.Locklear, të komitetit ushtarak të NATO-s, udhëheqësve kryesorë politik kosovarë dhe shumë figurave të jetës publike në Kosovë. Në ceremoni i pranishëm ishte edhe Sekretari i shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë, Thomas Kossendry.

Sukses rifillimi i dialogut Kosovë - Serbi

Nga ceremonia e ndërrimit të komandantëve në Prishtinë

Nga ceremonia e ndërrimit të komandantëve në Prishtinë

Gjatë një fjalimi drejtuar të pranishmëve, Kossendry tha se forcat paqëruajtëse nën udhëheqjen e gjeneralit Erhard Buhler, treguan një profesionalizëm të vërtetë, duke rikujtuar se në fund të korrikut trupat e KFOR-it u përballën me një situatë të vështirë në veri të Kosovës. Ai tha se fakti që Serbia dhe Kosova rifilluan dialogun, kjo mund të cilësohet si një sukses i madh, sepse sipas tij, vetëm kur njerëzit flasin me njëri - tjetrin mund të tejkalohen problemet.

Sekretari i shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë, Thomas Kossendry, tha se në fund të muajit korrik disa persona në mënyrë të papërgjegjshme tentuan të pengojnë vendosjen e paqes dhe sigurisë në veri të Kosovës dhe për ta ai pati një porosi.

Thomas Kossendry - Sekretar shteti në ministrinë e mbrojtjes së Gjermanisë

Thomas Kossendry - Sekretar shteti në ministrinë e mbrojtjes së Gjermanisë

“Kam një porosi të qartë për të gjithë ata që duan ta destabilizojnë situatën në veri të Kosovës. Nuk do të kenë sukses. Komuniteti ndërkombëtar do të jetë i përkushtuar për një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët. Vazhdimi i dialogut tregoi se mund të ecet përpara dhe vetëm nëpërmjet dialogut mund të rritet besimi ndërmjet njëri tjetrit”.

KFOR i angazhuar në Kosovë për një jetë normale

Ndërrimi i komandës së KFOR-it, bëhet në periudhën e ngritjes së tensioneve në veri të Kosovës, e banuar me popullatë shumicë serbe. Komandanti i deritashëm i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhad Buhler, tha se:

“Në këtë fazë jeta përtej lumit Ibër nuk ka qenë e mirë. Shumica e qytetarëve të asaj pjese mbeten peng i disa personave dhe grupeve që kanë pasur interes gjithmonë që ta ndajnë këtë pjesë të Kosovës nga Kosova”, tha gjenerali Erhard Buhler.

Ai tha se KFOR-i do të mbetet i angazhuar që në këtë pjesë të Kosovës të mbizotërojë një ambient i qetë dhe i sigurt dhe njërëzit në atë pjesë të jetojnë një jetë normale".

Erhard Drews, Komandanti i ri i KFOR-it në Kosovë

Erhard Drews, Komandanti i ri i KFOR-it në Kosovë

Komandanti i deritanishëm i KFOR-it, gjenerali gjerman, Erhard Buhler, u nderuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me çmimin për “kontrubutin special për paqe siguri dhe stabilitet në Kosovë”.

Komandanti i ri Erhard Drews

Komandanti i ri i KFOR-it, Gjeneral Majori Erhard Drews, është një komandant me përvojë dhe i njohur me situatën në Ballkan dhe historinë bashkëkohore të Ballkanit. Në vitin 2001 ai ka shërbyer në kuadër të misionit të NATO-s në Bosnje. Ai iu bashkua ushtrisë në vitin 1971 dhe deri tash ai shërbente si Komandant i Divizionit Ajror Mobil në Witshönheim të Gjermanisë.

Aktualisht, misioni paqëruajtës ndërkombëtar i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka afro 5500 ushtarë. Për shkak të situatës së tensionuar në veri të Kosovës, reduktimi i këtyre trupave i paraparë më herët nuk do të ndodhë të pakët deri në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Mimoza Kelmendi