1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Largim nga Bazra

Karsten Kyntop17 Dhjetor 2007

Forcat irakiane të sigurisë morën të dielën (16.12) kontrollin mbi provincën e Basrës në jug të Irakut. Në ceremoninë e dorëzimit të pushtetit prej forcave britanike, guvernatori al Vaili foli për një çast historik.

https://p.dw.com/p/Ccj7
Trupat irakiane marrshojnë në Basra
Trupat irakiane marrshojnë në BasraFotografi: AP

Disa fjalë nga Kurani, të pasuara nga fjalime dhe më në fund nënshkrimet nën një dokument- në kuadër të një ceremonie rreth njëorëshe, britanikët ia dhanë përgjegjësinë për sigurinë në provincën Basra irakianëve. Mufak al Rubaje, këshilltar për sigurinë i qeverisë irakiane foli para miqve të ftuar për një hap të rëndësishëm: "Basra është një nga provincat më të rëndësishme të Irakut, të cilat u dorëzuan, dhe kjo do të thotë se ne kemi bërë një hap të rëndësishëm në rifitimin e përgjegjësisë për sigurinë në të gjitha provincat irakiane, gjë e cila do të ketë përfunduar deri në mes të vitit të ardhshëm."

Në fakt, në praktikë kjo ndryshon pak gjëra

Ushtria britanike qe tërhequr krejtësisht që në fillim të shtatorit nga qyteti i Basrës, duke patrulluar rrallë edhe rajonet rurale të provincës. Rreth 4.500 ushtarët britanikë, të cilët janë të angazhuar ndërkohë në Irak, do të vazhdojnë të jenë edhe më tej të stacionuar në aeroportin e Basrës. Në pranverë, numri i tyre do të jetë pakësuar në 2.500. Kritikët thonë se kjo prezencë do të jetë vetëm simbolike; me një numër kaq të vogël trupash nuk mund të arrihet më tepër sesa vetëmbrojtja e ushtarëve. Edhe më tej, britanikët do të sigurojnë kufirin me Iranin dhe do të shkollojnë forcat irakiane të sigurisë.

Në Basra duhet të sundojë ligji

Guvernatori i provincës Basra, Mohamed al Waili është i sigurtë se si ushtria irakiane, ashtu edhe forcat e sigurisë do të jenë në gjendje t'u japin paqe dhe siguri njerëzve në Irakun e jugut. Al Vaili në ceremoninë e dorëzimit: "Në këtë vend dëshiroj të përsërit: ne duam që provinca në Basra të jetë një provincë pa armë. Të gjitha armët duhet të jenë në duar të shtetit dhe duhet të sundojë ligji. Ju, popullsia e kësaj province duhet ta arrini këtë."

Prej vitesh Basra është shesh beteje i një lufte të ashpër për pushtet të grupeve rivalizuese shiite, të cilët zhvillojnë shpesh beteja nëpër rrugë. Aktualisht ka një lloj armëpushimi midis këtyre grupeve. Prandaj është pakësuar edhe numri i akteve të dhunës në Basra.

Provinca e Basrës është me rëndësi të madhe strategjike

Nën rërën e shkretëtirës së saj ndodhen më shumë se 70% e rezervave të njohura të naftës së Irakut. Me portin e saj, Basra është porta e Irakut për Gjirin Persik, përmes së cilës kalojnë naftë, grurë dhe mallra të tjerë të rëndësishëm.