1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Portret

"Larg syve larg zemre" apo "distanca e rrit më shumë mallin” - Portreti i Anduena Stephan-it

Integrimi i jetës shoqërore, familjare dhe punës është universitet me vete, thotë Anduena Stephan. Për të jeta në shoqërinë e re është si një lindje e re.

Në foto, Anduena Stephan

Në foto, Anduena Stephan

Në foto, Anduena me Andreas-in

Në foto, Anduena me Andreas-in

Në vjeshtën e vitit 1991 nën perëndimin e diellit në Golem, dy të rinj, dy kolegë pune, njëri gjerman, Andreasi e tjetra shqiptare, Anduena bien në dashuri. „Them, që ai perëndim dhe ai det i mrekullueshëm tetori janë „përgjegjës“ për fillimin e lidhjes sonë. Andreasi u dashurua shumë me Shqipërinë dhe me sa duket dhe me mua….”, kujton Anduena fillimet e lidhjes së saj me Andreasin para 20 vitesh në Shqipëri.

Integrimi i jetës shoqërore, familjare dhe punës është universitet me vete

E parë në këtë sens Anduenës nuk i duket fare se është larguar nga atdheu. Por për të gjithsesi ka patur dy gjëra të rëndësishme, që kanë ndryshuar rrjedhën e 20 viteve të metejshme: Së pari: mundesia, që ajo pati per t´u njohur me kultura të tjera qytetërimi dhe së dyti krijimi i familjes në Gjermani:

”Unë jetova 4 vjet në Londër me Andreasin si expat, ku ai ishte caktuar me punë, pra ishim të dy të huaj dhe kjo më ndihmoi të mos ndjehesha në disavantazh pas largimit nga Shqipëria në 1993. Atje vazhdova studimet e masterit dhe punova ne sektorin publik dhe privat për gati 4 vjet. Pastaj me kthimin tim në Gjermani në vitin1997 dhe pas punësimit tim në kompaninë ndërkombëtare Hochtief, pata mundësi të shikoj dhe të përjetoj mënyrën e të jetuarit dhe të punuarit gjermane.”

Me këto tri kultura jete dhe biznesi qysh në moshën 27 vjeçare Anduena kishte mësuar shumë. Kjo ka influencuar më pas të gjithë mënyrën e jetës dhe të punës të Anduenës. Megjithatë integrimi i jetës shoqërore, familjare dhe punës është, siç shprehet Anduena, universitet me vete:

“Me lindjen e vajzes sime, Enya dhe djalit tim Joelit, unë isha kryefamiljare në një vend, ku nuk kisha askend përveç bashkëshortit tim dhe shoqërisë së gjerë për të komunikuar. Kështu që integrimi i jetës shoqërore, familjare dhe punës është një universitet me vete, dhe them që është dhe më i vështiri. Notën nuk e merr se mësove mirë apo jo, por kur shikon buzëqeshjen e fëmijëve dhe faqet e vogla, që shëndrisin në ngjyrë rozë.”

Në foto: Joel, Enya dhe Anduena

Në foto: Joel, Enya dhe Anduena

Jeta në shoqërinë e re është si një lindje e re

Jeta në shoqërinë e re ka edhe vështirësitë e veta. Është si një lindje e re, nënvizon Anduena, diçka që kërkon kohë, durim, mirëkuptim dhe tolerancë. Por megjithë praninë e këtyre vështirësive të dhimbshme Anduena sot mund ta quajë veten evropiane në kuptimin e plotë të fjalës:

Pas kaq shumë vitesh, ku unë kam patur mundësinë të punoj dhe jetoj në shumë vende, them që mund ta quaj veten qytetare evropiane në sensin që mund të jem në gjendje të jetoj dhe punoj pothuajse në çdo shtet të Evropës, pa patur probleme të mëdha adaptimi.”

Ndërkaq për sa i përket formimit ajo tani e ndjen veten shumë më të balancuar në mënyrën se si i shikon dhe i relativon vlerat e secilit vend, ku ka jetuar dhe është “rritur”.

“Ashtu siç vlerësoj shumë Shqipërinë, për gjithçka kam marrë nga ai vend, po ashtu di të ndaj dhe të barazpeshoj dhe vlerat e vendeve të tjera, përfshirë dhe vështrimin kritik për ato gjëra, që mund të mos jenë optimale në njërin apo tjetrin vend.”

Dhe tani, kur kanë kaluar 18 vjet, qëkur është larguar nga Shqipëria, lidhja me shoqërinë e vendit të origjinës i jep Anduenës mbështetje shpirtërore:

Foto Portret

Foto Portret

“Unë kam patur fatin, që puna të më ketë lidhur përsëri me Shqipërinë pas viteve 2002. Por sot me të gjitha mundësitë e krijuara është akoma dhe me e thjeshtë edhe pa qenë atje të lidhesh me njerëzit. Dhe më ndihmon shumë kjo lidhje të relativoj ekzistencën time. Me jep si të thuash mbështetje shpirtërore. Unë kam kaluar kohë shumë, shumë të bukura në Shqipëri dhe e kam të vështirë ta fshij këtë fakt. Dhe nuk kam se pse."

"Larg syve larg zemre" apo "distanca e rrit më shumë mallin”

Ata, që e njohin nga afër Anduenën, e dinë se një ditë pune e saj zgjat shumë. Ditët e punës me më pak se 10-12 orë në ditë ajo i ka shumë të rralla:

“Mua më vjen për të qeshur, kur shikoj sot kolegë të rinj, që shikojnë orën dhe largohen nga puna ekzaktësisht në 17:00. Në Shqipëri sidomos kjo është shumë e theksuar. Unë nuk e njoh këtë lloj kalkulimi. Jam larguar nga puna, kur e kam mbaruar atë, që kisha marrë përsipër.”

Me 34 vjeç Anduena ishte e para femër, me background të huaj, me dy fëmijë të vegjël, që drejtoi me sukses projektin për koncesionin e aeroportit të Nënë Terezës në Tiranë dhe me pas u bë dhe drejtore e përgjithshme me gati 450 punonjës dhe një investim prej 50 milion eurosh. Dhe ajo nuk mund ta parafytyrojë, se si do të rridhnin gjërat, nëse ajo do të bëhej ndonjëherë drejtuese e një projekti kaq të madh, sikur fillimisht mos të largohej nga Shqipëria.

“E vështirë të thuhet, se është një fjali me “IF - nëqoftëse” të madhe në fillim. Unë nuk kam patur kurrë kompleksin e largimit nga Shqipëria, sepse Shqipëria nuk ka se ç´të japë. Për mua ka qenë gjithmonë më shumë dëshira për të mësuar dhe gjëra të tjera, që nuk mund t´i kishte Shqipëria, që më ka nxitur të kërkoj. Them që definitiv unë do të kisha kërkuar të prekja botën dhe të mblidhja eksperiencat e mia dhe ndoshta nuk do të kishte rezultuar në largim permanent, por në largim të përkohshëm gjithsesi. Ndërkohë, ajo shprehja “larg syve larg zemre” ka dhe nje kundërshprehje, që “distanca e rrit më shumë mallin”. Gëzohem shumë çdo herë që i ritakoj miqtë e mi, kur shkoj në Tiranë, apo dhe në Shqipëri. Dhe çdo herë kemi se ç´të themi. Them që kjo do të kishte qenë po kështu dhe po të kisha qenë atje.”

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica