1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Larg prej gazit rus - por si?

Angjelina Verbica/spg rtr23 Prill 2014

Varësia prej gazit rus dobëson Evropën, thotë kryeministri polak Tusk. Ai kërkon një union energjetik evropian. Ndërkohë kërkohen alternativa të tjera ndaj gazit rus. Rindizet edhe diskutimi për gazin shist argjilor.

https://p.dw.com/p/1BmXd
Fotografi: Reuters

Çfarëdo zhvillimi që të marrë konflikti në Ukrainë, një mësim prej tij është i qartë: varësia e madhe prej energjisë ruse e dobëson Evropën“, shkruante kryeministri i Polonisë Donald Tusk në gazetën „Financial Times“. Ai kërkonte nga BE që të bëhet më i pavarur nga furnizimet me gaz nga Rusia. Për këtë arsye ai propozoi krijimin e një unioni energjetik evropian, sipas modelit të unionit bankar.

Synimi është, që shtetet e BE të bashkëpunojnë më ngushtë në politikën energjetike dhe në furnizimin me gaz dhe naftë. Për këtë nevojitet një qendër e BE, që blen gaz për të gjitha 28 shtetet anëtare dhe një mekanizëm solidariteti, përmes të cilit shtetet e BE të ndihmohen, kur kanë mungesë gazi. Përveç kësaj BE duhet t'i shfrytëzojë plotësisht burimet e energjisë fosile si qymyri dhe të shfrytëzojë plotësisht gazin shist argjilor, që është i diskutueshëm. BE mbulon rreth një të tretën e nevojave të tij për naftë dhe gaz me furnizime nga Rusia.

Tusk kërkon fundin e varësisë prej energjisë nga Rusia
Tusk kërkon fundin e varësisë prej energjisë nga RusiaFotografi: picture-alliance/dpa

Gazi shist argjilor

Kërkohen me ngulm alternativa të tjera nga gazi rus. Në politikë diskutohet përsëri për nxjerrjen shumë të diskutueshme të gazit shist argjilor. Përkrahësit e së ashtuquajturës metodë fracking, e cila në SHBA e ka reduktuar në masë të madhe varësinë energjetike nga vendet e huaja, e shohin vetën të inkurajuar nga konflikti me Rusinë. Koncernet kimike si BASF janë shprehur shpesh për përdorimin e teknikës në shkëmbinjtë argjilorë, por deri tani me pak sukses. Kundërshtarët theksojnë rreziqet për ujin e pijshëm dhe rritjen e rrezikut nga tërmetet.

Industria kimike shpreson të ardhura miliardëshe prej teknikës së re, pjesa tjetër e industrisë pret uljen e kostove të energjisë. Prandaj shumë kompani gjermane pretendojnë se duhet shqyrtuar mundësia e përdorimit të burimeve të brendshme. "Deri tani ne i njohim potencialet vetëm nga studime të ndryshme. Se çfarë mund të shfrytëzohet nga ana ekonomike, mbetet të shihet", thotë një zëdhënës i shoqërisë industriale të nxjerrjes së naftës dhe gazit (WEG) në Hanover. Në Gjermani përdorimi i teknologjisë në shkëmbinjtë argjilorë nuk është ende i lejuar. Aktualisht ka një bllokim, thotë zëdhënësi. Në periudhë afatgjatë kjo gjendje e paqartësisë ligjore nuk mund të përballohet.

Depozitat e gazit shist argjilor në Evropë
Depozitat e gazit shist argjilor në Evropë

Rezerva të mëdha

Shoqatat e mbrojtës së mjedisit theksojnë rreziqet e mëdha të nxjerrjes së gazit shist argjilor. "Fracking hidraulik është për ne jashtë çdo diskutimi", i tha agjensisë së lajmeve Reuters zëvendësdrejtori i Federatës së Mjedisit dhe Ruajtjes së Natyrës (BUND), Stefan Ott. Të gjitha institucionet relevante kanë përmendur edhe një herë kohët e fundit rrezikshmërinë e kësaj metode. "Nuk mund të ndodhë, që kimikatet, që rrezikojnë ujin, të shtypen në tokë dhe në këtë mënyrë të dëmtohet uji i pijshëm." Në Saksonisë e Poshtme tërmetet e vogla janë shpjeguar edhe me nxjerrjen e gazit nga toka. "Se në ç'mase lidhen me përdorimin e metodës fracking, nuk mund ta thotë askush, por as ta përjashtojë", thotë Ott. Në disa zona të SHBA-së uji i pijshëm është kontaminuar nga fracking, thonë ambientalistët.

Në fundjavë në politikë u ndez një debat i gjerë mbi reduktimin e varësisë gjermane nga furnizimet me gaz natyror nga Rusia. Ministrja gjermane e Mjedisit, Barbara Hendricks, tha të hënën (21.04.2014). "Ne në fakt e kemi bërë plotësisht të qartë, edhe në marrëveshjen e koalicionit, se ne nuk duam në asnjë mënyrë fracking", tha ajo në radion Deutschlandfunk. Kjo vlen të paktën për aq kohë, sa substancat toksike duhet të presohen në tokë, për të bërë të mundur fracking, tha politikania e partisë socialdemokrate, SPD. Në marrëveshjen e koalicionit procesi fracking për prodhimin e gazit shist argjilor vlerësohet si një teknologji me potencial të lartë të rreziku. Pasojat për njerëzit, natyrën dhe mjedisin nuk janë të studjuar sa duhet shkencërisht.