1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Larg nga atomi? - Energjia atomike në Evropë

Edhe shtatë muaj pas katastrofës së reaktorit në Fukushima Evropa është e përçarë në pyetjen se si duhet të sillet me energjinë bërthamore. Mirëpo nën sipërfaqe në Evropë po kristalizohet një konsensus i ri

Reaktori i dëmtuar i Fukushimës

Reaktori i dëmtuar i Fukushimës

Kur qeveria gjermane si konsekuencë nga katastrofa e Fukushimës vendosi daljen nga energjia bërthamore Të Gjelbrit në Parlamentin Evropian u ndien të konfirmuar. Kryetarja e fraksionit të tyre Rebecca Harms e quajti energjinë bërthamore "një teknologji e rrezikshmërisë së lartë, që mund dhe duhet të bëhet e tepërt".

Parisi nuk sheh arsye për kthesë

Mirëpo ndërkohë që shkëputja prej energjisë bërthamore për Gjermaninë duhet të bëhet një orë e më parë, Franca për shembull mbahet fort pas saj, së paku në nivel qeveritar. Ajo që tha ministri i energjetikës Eric Besson në mars në Bruksel, vlen për Parisin deri sot. "Te energjia bërthamore jemi në majën e progresit. Te transparenca jemi sistematikisht në krye dhe ne jemi e mbetemi në krye te siguria bërthamore."

Komisioni me kompetenca të kufizuara

Komisioneri i BE Günther Oettinger

Komisioneri i BE Günther Oettinger

Përkrahësve e energjisë bërthamore në Evropë u del krah tërthorazi edhe komisionerja e BE-së për mbrojtjen e klimës, Connie Hedegaard. Ajo druan se centralet bërthamore do të zëvendësohen me termocentrale qymyri. Për klimën nuk do të fitohej gjë me këtë, përkundrazi.

Ajo për të cilën arriti të merrej vesh BE-ja ishin prova stresi mbarëevropiane. Ato janë duke u kryer. Të Gjelbrit druajnë se provat janë pak domethënëse sepse janë vetë shtetet dhe operatorët e energjisë bërthamore, që i zhvillojnë provat.

Komisioni Evropian duhet të pranojë një gjë. Meqenëse shtetet e veçanta mund të vendosin vetë se cilat burime energjetike shfrytëzojnë, Komisioni gati nuk ka mundësi veprimi kundër centraleve bërthamore të pasigurta. Marlene Holzner është zëdhënëse e komisionerit të BE-së për energjetikën Oettinger. "Nga ana ligjore ne nuk mund ta ndalojmë ndërtimin e një centrali bërthamor, edhe sikur ta konsiderojmë atë të pasigurt." Por me gjasa ndërtimi do të dështonte për arsye të mungesës së financimit, pasi Komisioni të ketë dhënë një vlerësim negativ, thotë Holzner.

Kthesa e heshtur

Opcionet e përftimit të energjisë në të ardhmen

Opcionet e përftimit të energjisë në të ardhmen

Mirëpo pasojat e Fukushimës në Evropë shkojnë përtej pyetjes për sigurinë e centraleve bërthamore. Shpesh pa u përfillur, në popullsinë franceze ka nisur një riorientim, i shkëputjes nga energjia bërthamore.

Shpresë te rryma nga shkretëtira

Veç kësaj, komisioneri për energjetikën nxit ndërtimin e rrjeteve evropiane dhe kjo ka të bëjë me energjitë e ripërtëritshme. Energji ere nga veriu drejt jugut, energji diellore nga jugu drejt veriut (kjo është ideja). Kjo ndodh tani njëkohësisht me ndryshimet politike në Afrikën Veriore. Me energjinë diellore nga Saharaja, të ashtuquajturin projekt Desertec, BE-ja do të arrijë njëkohësisht disa synime: të stabilizojë Afrikën veriore, të japë një kontribut për sigurimin e energjisë në Evropë dhe të mbrojë klimën

Projekti Desertec ekzistonte që para Fukushimës, së paku planet evropiane për zgjerimin e rrjetit, mirëpo prej aksidentit bërthamor japonez alternativat ndaj energjisë bërthamore kanë marrë një shtytje të re të qartë në Evropë.

 

Autor: Christoph Hasselbach/Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica