1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Lapidari është hequr me "pëlqimin" e Perëndimit

Analistët në Beograd mendojnë se xhandarmëria serbe e ka hequr të dielën në mëngjes lapidarin e UÇPMB-së në Preshevë, pas marrëveshjes me autoritetet perëndimore.

Heqja e lapidarit

Heqja e lapidarit

Ambasadorët e SHBA-së dhe të shteteve evropiane disa herë kanë theksuar se çështja e lapidarit të UÇPMB-së, është një çështje e brendshme e Serbisë.

"Pavarësisht kësaj, duket se ka pasur dhe ndërmjetësime ndërkombëtare", pohon kryeredaktori i gazetës "Politika", Dragan Bujosheviq, në një deklaratë për Deutsche Wellen. Ai mendon se kryeministri Ivica Daçiq gjatë vizitës në Bruksel me siguri që ka biseduar për këtë çështje edhe me shefen e diplomacisë evropiane Chatherine Ashton dhe me diplomatin e lartë amerikan Philipp Riker.

"Jam absolutisht i sigurt se Daçiqi nuk do ta bënte këtë pa pëlqimin e partnerëve perëndimorë", nënvizon Bujosheviq. Ndërsa profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, Dragan Simeunoviq mendon se është e kotë që të kërkohet ndonjë konsenzus lidhur me çështjen nëse luftëtarët e dikurshëm të UÇPMB-së kanë qenë "heronj apo kriminelë".

Protestat e shqitparëve

Protestat e mëhershme të shqiptarëve

"Edhepse ekstremistët në jug të Serbisë janë amnestuar prej qeverisë, në kokat e shumicës së qytetarëve serbë nuk do të ndodhë kurrë kjo amnesti. Duhet kuptuar se qeveria serbe është nën presion të madh ndërkombëtar, që gjërat rreth Kosovës të përfundojnë sa më parë. Ndaj kjo qeveri ka nevojë për ndonjë sukses diku tjetër", mendon Simeunoviq.

Si qëndron puna me përmendoret e tjera?

Autoritetet më të larta serbe kanë theksuar këto ditë shpesh se përmendore të ngjashme të UÇPMB-së ka dhe në shumë vende të tjera. "Përmendoret e tilla nuk duhet të vendosen, sepse nuk ekzistojnë askund në botë. Shtrohet pyetja pse Nikoliqi dhe Daçiqi nuk i kanë hequr ato edhe në vendet e tjera. Mendoj se as që do të hiqen", vëren Bujosheviq.

Kryeredaktori i gazetës "Vreme", Dragolub Zharkoviq në shkrimin e tij në këtë revistë javore pohon se autoritetet serbe duhet të kenë shumë kujdes me këtë çështje, sepse "pas rrëzimit të kësaj tabele prej guri, dikujt mund t'i bie ndërmend që ta rrëzojë Patriarkanë e Pejës".

Edhe Dragan Bujosheviq mendon se autoritetet serbe duhet të kenë shumë kujdes. "Ne i rrëzojmë dy tabela, ata mund ta arrzojnë Patriarkanë", thotë ai. Ndaj është i bindur se për këto çështje do të ketë konsultime me partnerët evropianë. "Por nuk mund të jemi kurrë të sigurt se nuk do të ketë incidente në Kosovë - siç dëshmojnë më së miri edhe trazirat e 17 marsit të vitit 2004 - kur janë në pyetje monumentet kulturore, manastiret, përmendoret dhe shtëpitë. "Këto gjëra kanë ndodhur në praninë e forcave ndërkombëtare, ndonëse duhet thënë se këto forca kanë evituar disa herë krime shumë më të rënda", thekson Bujosheviq.

Shqiptarët e jugut nuk e kanë mbështetjen perëndimore

Kryengritësit e dikurshëm.

Kryengritësit e dikurshëm.

Ngjarjet e fundit kanë bërë publike edhe një herë kërkesat e shqiptarëve të jugut të Serbisë që t'i bashkangjiten Kosovës. Kërkesat e tilla aktualisht nuk mund të realizohen, mendon profesori Simeunoviq, në radhë të parë për shkak të mungesës së mbështetjes perëndimore. Ai rikujton edhe ngjarjet e vitit 2000 - 2001.

"SHBA-ja ka bërë atëherë një hap vendimtar: shqiptarët e jugut të Serbisë nuk i ka mbështetur ashtu siç i ka mbështetur shqiptarët e Kosovës. Kjo ka mundësuar dhe shuarjen e kryengritjes". Sipas tij, "shqiptarët e jugut të Serbisë, nuk mund të realizojnë qëllimet e tyre pa mbështetjen perëndimore, sepse veprimet e tyre gjithmonë do të kualifikohen si ekstremizëm e madje edhe terrorizëm, në qoftë se shndërrohen në një luftë të armatosur".

Por askush nuk mund të përjashtojë shtimin e tensioneve. "Ditët e ardhshme në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc do të ketë shprehje pakënaqësie të shumicës shqiptare atje. Serbia dhe askush tjetër nuk mund ta asimilojë një bashkësi etnike, nëse ajo nuk do. Ky është një problem me të cilin përballen edhe shumë vende perëndimore", konkludon Bujosheviq.