1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Lamtumirë familjes tradicionale në Gjermani?

Zyra Federale e Statistikave publikon shifra që tregojnë se megjithëse martesa është forma më e përhapur e krijimit të familjes në Gjermani, në vend është krijuar një realitet i ri përsa i përket familjes.

Zyra Federale e Statistikave në Gjermani vëren një transformim shumë të madh të familjes tradicionale: numri i familjeve, i çifteve të martuara me fëmijë është ulur në mënyrë masive. Gati më pak sy gjysma e gjermanëve jetojnë ende në familje me fëmijë, bëri të ditur Zyra Federale gjermane e Statistikave, me qendër në Visbaden të hënën. Vërtet që ende forma më e përhapur e familjes është ajo e modelit tradicional - familje me një ose disa fëmijë, por ky model është lëkundur shumë - ndërkohë që në 1996 81% e çifteve kanë qenë të martuar e me fëmijë, në 2014 kjo shifër ka rënë në 70%. Përkundër kësaj është rritur në 20% numri i familjeve me një prind, pra prindi që i rrit fëmijët vetëm, pas divorcit ose ndarjes. Sipas statistikave gati çdo e treta familje në Gjermani e ka braktisur modelin klasik të familjes.

Ende martesa përbën formën kryesore të familjes në Gjermani, por duket se ajo ka tani konkurrencë nga forma të tjera të bashkëjetesës mes çifteve- Sipas sociologut gjerman, Jürgen Dobritz nga Instituti Gjerman për Studimin e Popullsisë "martesa se e ka humbur kuptimin në shoqërinë gjermane". Dobritz thotë se ne këtë e quajmë "individualizim të shoqërisë". Sipas sociologut "fëmijët mbeten ende arsyeja kryesore për krijimin e një familjeje", por fëmijët tani në Gjermani por edhe në Europë jetojnë në forma të tjera familjare, si në familjen "patchwork"- familja e re që krijohet me çifte që sjellin fëmijët nga martesat e mëparshme, apo familje, ku çiftet bashkëjetojnë me fëmijë, por pa kurorëzim.

Lindja gjermane - më shumë fëmijë, më pak martesa

Statistikat nxjerrin edhe një rritje të numrit të familjeve që krijohen nga e njëjta gjini, apo çiftet pa celebrim nga 5 në 10%. Rritjen e numrit të nënave të divorcuara, sociologët nuk e shohin vetëm tek integrimi i gruas në jetën e punës, por tek ndryshimi i mentalitetit. 35% e të anketuarve gjermanë nga mosha 20-39 vjeç e refuzojnë martesën, duke e quajtur atë një institucion që i ka kaluar koha.

Sipas statistikës së të hënës në Berlin duket se familja nuk është më forma më atraktive për çiftet. Numri më i madh i familjeve vetëm me një prind gjendet pikërisht në Berlin, ku jeton çdo e treta familje me një prind. Ndërkohë që më tradicional duket se është një land gjerman, ai i Baden-Vyrtembergut, aty është vetëm çdo e gjashta familje është familje me një prind. Ndërsa Lindja e Gjermanisë, dallon në dy gjëra nga perëndimi gjerman. Aty ka shumë më pak çifte të martuara, por ka më shumë fëmijë. pra gjermano-lindorët bëjnë fëmijë por duket i tremben lidhjes martesore.