1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lampeduza - Tragjedia që mund të përsëritet në çdo kohë

Kirstin Hause26 Dhjetor 2013

Prej vitesh në Itali partia ksenofobe Lega Nord e ka dominuar politikën e emigracionit duke vendosur rregulla të rrepta. Por problemi i refugjatëve në vend që të zgjidhej është ashpërsuar edhe më shumë.

https://p.dw.com/p/1AglO
Symbolbild afrikanische Flüchtlinge im Mittelmeer
Fotografi: picture-alliance/Milestone Media

Sot në banakun e dyqanit të bukëpjekësit Gennaro ka më pak panine të mbështjella me letër. "Në dimër fal Zotit vijnë më pak refugjatë me anije këtu", thotë ai. Normalisht ai u dhuron panine njerëzve të raskapitur që kalojnë pranë dyqanit të tij pasi kanë zbarkuar nga anijet në plazh dhe të eskortuar prej truprojës bregdetare mbërrijnë në Lameduza.

Lampeduza është kthyer tashmë në sinonimin e politikës së dështuar të Italisë, e madje të Europës, për emigracionin. Kjo për faktin se në ishullin mesdhetar çdo vit zbarkojnë mijëra refugjatë nga Afrika. Ata rrezikojnë jetën duke lundruar me barka të vjetra. Vetëm kur ata hasin në havari dhe kur numri i viktimave është mjaft i lartë, vëmendja e opinionit botëror përqendrohet në Lampeduza - kështu ndodhi edhe në fillim të tetorit, kur më shumë se 300 vetë u mbytën pak para brigjeve të ishullit. Nëse lundrimi është i suksesshëm refugjatët e anijeve izolohen në kampin e grumbullimit, ku normalisht ata duhet të qëndrojnë vetëm për pak ditë. Por në realitet atyre u duhet të presin atje me muaj. E gjitha kjo ndodh jashtë vëmendjes së publikut, sepse askush nuk ka të drejtë të hyjë në kamp. Kur kryeministri i Italisë Enrico Letta vizitoi Lampeduzën bashkë me presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, ai e ndërpreu programin zyrtar, për të pasur mundësi që të shohë ambjentin, ku jetojnë në ngushticë të gjithë refugjatët së bashku.

Barroso dhe Letta në Lampeduza
Barroso dhe Letta në LampeduzaFotografi: picture-alliance/dpa

Fjalë boshe dhe aspak efikasitet

Numri i lartë i refugjatëve i ka preokupuar herë pas here banorët e ishullit të vogël. Në vitin 2011, pas rrëzimit të diktatorit të Tunizisë, Zine El Abedine Ben Ali, dhe lëvizjeve të "Pranverës Arabe" që pasuan, mijëra vetë morën arratinë duke lundruar drejt Lampeduzës. Qeveria në Romë shpalli asokohe gjendjen e emergejncës humanitare dhe ish-ministri i Brendshëm, Roberto Maroni, kritikoi "mosangazhimin e shteteve të tjera europiane lidhur me çështjen e refugjatëve". Maroni ishte dhe është një ndër politikanët kryesorë të partisë Lega Nord, e cila me parrulla ksenofobie kundër emigrantëve nxit urrjetjen dhe përpiqet të pengojë me të gjitha mënyrat pranimin e refugjatëve. Deri në dorëheqjen e Silvio Berlusconit nga posti i kryeministrit në nëntor 2011 kjo ishte partia në koalicionin qeveritar përgjegjëse për politikën e emigracionit. Gjatë kësaj periudhe Lega Nord ndiqte një rregullore të rreptë, nënshkroi marrëveshje për riatdhesimin me Libinë dhe me të tjera shtete afrikane, për t'i kthyer menjëherë në atdhe refugjatët. Komisariati i OKB-së për Refugjatët protestoi, sepse njerëzve të larguar prej diktaturave, lutfrave civile dhe urisë nuk u jepej asnjë shans të paraqisnin kërkesën për azilim. Por pavarësisht rregullave të ashpra Lega Nord nuk mundi ta ndalonte zbarkimin e pakontrolluar të refugjatëve. Si reagim ndaj kësaj situate Lega Nord e shpalli si akt penal kalimin e kufirit pa leje qëndrimi dhe aplikoi rregullin, sipas të cilit në vend mund të hyjë legalisht vetëm ai që paraqet një kontratë pune.

Ende asnjë ndryshim ligji

Pavarësisht premtimeve të qeverisë Letta, se do t'i ndryshojë këto ligje, deri tani nuk është ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim. Organizatat italiane të ndihmës e dënojnë këtë praktikë duke e cilësuar atë si lajkatare dhe jorealiste, sepse asnjë sipërmarrës italian nuk lëshon kontratë pune për dikë që aplikon nga Mali apo nga Eritrea dhe që nuk e ka parë asnjëherë. Ndërkohë refugjatët e dinë këtë dhe kësisoj ata përgatiten për një jetë në ilegalitet. Kush mundet të arratiset prej kampeve të grumbullimit del në ilegalitet diku në Veri të Italisë apo në Europën Veriore. Në këtë mënyrë jetojnë disa qindra mijëra njerëz pa dokumenta të vlefshme në Itali, në Francë, në Gjermani apo në vendet e Beneluksit. Europa ua delegoi vendeve anëtare në kufijtë periferikë të BE-së: Italisë, Greqisë e Spanjës detyrën që të sigurojnë kufijtë përkatës, por kjo politikë ka dështuar. Ndaj tani ankohen jo vetëm italianët, por edhe vendet e tjera, se e ndiejnë veten të pambështetur në përballimin e një detyre të tillë.

Migrantë në Lampeduza
Fotografi: DW/K.Hausen

Luftë ndër të varfërit

Kryesisht në shtresat e shoqërisë me të ardhura të pakta në vendet e BE-së është shtuar frika, se emigrantët dhe refugjatët e varfër u bëhen pengesë duke u marrë atyre vendet e punës e duke u zënë banesat me qira të ulët. "Eshtë luftë ndër të varfërit. Kush nuk ka shumë, lufton ata që kanë edhe më pak", thotë prifti françeskan Vittorio Rigoni, i cili drejton në Milano një mensë bamirësie për të varfër. Më shumë se 2000 dreka falas ofrojnë në ditë françeskanët e megjithatë nuk ka infrastrukturë për përgatitjen në masë. Vizitorët priten tek hyrja e qendrës së bamirësisë nga punonjës që shërbejnë vullnetarisht. Alfio Petrassi angazhohet prej shumë vitesh këtu, por shpesh ai është përballur me sharje. Jo prej të varfërve, por prej fqinjëve, të cilët banojnë afër mensës për të varfërit. "Ata thonë, po i trajtoni kaq mirë emigrantët, sa ata nuk do të kthehen më në vendet e tyre."

Migrantë në Lampeduza
Fotografi: DW/K.Hausen

Zhgënjim tek brezi i dytë

Prej gati 20 vjetësh Italia nuk pranon ta konsiderojë veten si një vend emigracioni. Si në shoqëri edhe në politikë është i përhapur mendimi, se emigrantët do të qëndrojnë vetëm përkohësisht. Kësisoj integrimi i tyre i është lënë rastësisë dhe nuk është organizuar në mënyrë sistematike. Këtë e ndiejnë më së shumti fëmijët, brezi i dytë në emigracion. Ramat dhe Joy, vajzat 13-vjeçare të refugjatëve nga Nigeria, të ardhura dikur me anije, duan të largohen nga Italia sapo të mbarojnë shkollën. "Këtu ne s'kemi të ardhme", mendon Ramat. Vendet e punës nuk mjaftojnë as për vet italianët dhe kush është me ngjyrë diskriminohet në tregun e punës. Por as Ramat dhe as Joy nuk duan të shkojnë në atdheun e prindërve të tyre. Destinacioni i dëshiruar i tyre është Londra. Atje ato duan të shkojnë në universitet, të punojnë, të martohen e t'i rrisin fëmijët. "Italia ishte një zgjedhje e gabuar e prindërve, që ne nuk duam ta përsërisim", në këtë konkluzion kanë arritur ato.