1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Lampedusa si pikëkthese e politikës së BE-së ndaj refugjatëve?

Vdekja e mbi njëqind refugjatëve në Mesdhe është shokuese për BE-në. Por a do të çojë ajo vërtetë në një tjetër politikë evropiane për refugjatët?

Përfaqësuesit e BE-së shprehin tronditje të madhe për shkak të numrit të madh të refugjatëve të mbytur para ishullit italian Lampedusa. Por menjëhere pas reagimeve të para është rindezur debati lidhur me trajtimin e duhur të refugjatëve. Bëhet fjalë për dy gjëra. Në njërën anë secili vend i BE-së vazhdon të ketë politikën e vet për refugjatët dhe azilin. Pra këtu nuk ekziston një linjë e përgjithshme evropiane. Dhe nga ana tjetër vendet përpiqen që t'i mbajnë refugjatët sa më larg të jetë e mundur. Prandaj vendet më të prekura si Italia dhe Greqia mbeten të vetmuara me këtë problem. Kjo për shkak të ligjeve ekzistuese. Vendet e BE-së kanë rënë dakord në fakt prej vitesh, se refugjatët duhet të bëjnë kërkesë për azil atje, ku kanë shkelur fillimisht tokën e BE-së. Shtetet e tjera nuk janë të detyruara me ligj për të treguar solidaritet.

BE-ja do t'i zbulojë më lehtë anijet me refugjatë

Kështu si deri tani, nuk mund të shkohet më tej në asnjë mënyrë , thotë Komisionerja për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmström. Prej vitesh ajo bën thirrje për një politikë të përbashkët evropiane për refugjatët. Për aq kohë sa ajo nuk ekziston, asaj i mbetet vetëm të apelojë: "Unë i bëj thirrje shteteve anëtare, që të pranojnë më shumë njerëz, të cilët kanë nevojë për mbrojtje", thotë në një deklaratë me shkrim Malmström, e cila ndodhet aktualisht në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Zëdhënësi i saj Michele Cercone sheh "pas kësaj tragjedie dhe shumë tragjedive të tjera të kriminelë, që shfrytëzojnë vuajtjen e njerëzve." Kontrabanda e njerëzve është një krim, që u sjell bandave fitime të mëdha, tha Cercone të enjten (03.10. 2013) në Bruksel. "Prandaj ne duhet t'i shtojmë përpjekjet tona për t'i luftuar këto banda kriminale". Cercone pret ndihmë nga sistemi i sigurisë së kufirit, Eurosur. Që nga dhjetori do të jetë më e lehtë të gjendet vendndodhja edhe e anijeve shumë të vogla me refugjatë dhe të shpëtohen ata, që rrezikohen të mbyten. Megjithatë kritikët besojnë se qëllimi nuk është aq shumë shpëtimi se sa parandalimi i mundësive të barkat të nisen në drejtim të Evropës.

"Europa bën sikur është e prekur"

Günter Burkhard, drejtorit ekzekutiv të organizatës Pro Asyl, edhe reagimin i Komisioneres së Brendshme i duket gati cinik: "Evropa mbyll kufijtë dhe pastaj bën sikur është e prekur, kur pasojat e mbylljes së saj bëhen të dukshme." Për shkak të mbylljes së kufijve tokësorë të BE-së me Turqinë Pro Asyl mendon se refugjatët marrin gjithnjë e më shumë rrugë detare edhe më të rrezikshme. Dhe eurodeputetja e majtë Cornelia Ernst shkruan në një deklaratë të premten (04.10.2013): "Politika evropiane ndaj refugjatëve fokusohet në kriminalizimin e migrantëve, dëbimin dhe diskriminimin e tyre. Liderët e shteteve anëtare të BE-së përdorin çdo mjet, për të mbrojtur mirëqenien e tyre nga njerëzit prej vendeve të tjera."

Komisioni do t'i mbajë dyert të hapura

Komisionerja për Çështjet e Brendshme nuk është kurrsesi kundër refugjatëve. Zëdhënësi i saj Michele Cercone tha në Bruksel: "Ne duhet të kujdesemi për të hapur më shumë rrugë ligjore për ardhjen në Evropë." Por për këtë duhet të ketë "kushte shumë të rrepta dhe të përcaktuara mirë". Por Cercone i kritikon vendet e BE-së, se ato e shohin "emigracionin shpesh si një kërcënim, si një problem." Nga ana tjetër Evropa në plakje ka nevojë për migrantë. Këtë çështje nuk e sheh secili kështu, as në Parlamentin Evropian. Në mesin e shtatorit eurodeputetja kristiansociale Monika Hohlmeier ankohej në një intervistë me Deutsche Welle, se de fakto tashmë pranohen "çdo vit qytete të vogla”. Dhe eurodeputetja liberale Nadja Hirsch pranoi: "Se kjo nuk është një temë, me të cilën mund të fitosh pikë në politikën e brendshme."

Grenzdurchgangslager Friedland bei Göttingen

Gjermania pranon 5000 refugjatë nga Siria si kontigjent të veçantë

Ç'është një fluks masiv?

Martin Schulz, Presidenti i Parlamentit Evropian, nuk e duron më dot qendrimin e rezervuar të vendeve të BE: "Ky është një problem evropian dhe unë nuk e pranoj dot, që vendet anëtare thonë se nuk kanë më vend". Komisioni përkatës i Brendshëm i Parlamentit Evropian kalon tani me një rezolutë në ofensivë. Përmes saj i bëhet thirrje shteteve anëtare dhe Komisionit që të reflektojnë edhe lidhur me zbatimin e një direktive të vitit 2001, e cila nuk është realizuar kurrë deri tani. Ajo rregullon "standardet minimale për dhënien e mbrojtjes së përkohshme në rastin e një fluksi masiv të personave të dëbuar dhe masat për ndarjen e ekuilibruar të ngarkesave ndërmjet shteteve anëtare në pranimin e këtyre personave."

Për rast zbatimi refugjatët do të merrnin leje qëndrimi për kohën, që kanë nevojë për mbrojtje dhe kanë të drejtë të fillojnë edhe punë. Javën e ardhshme plenumi i Parlamentit do të debatojë mbi këtë çështje. Përveç kësaj ministrat e brendshëm të BE do të bisedojnë të hënën (10.07.2013) në Luksemburg mbi këtë çështje. Por debati fillon që me pyetjen se kur kemi të bëjmë me një "fluks masiv". Dhe që tani është e qartë se shumica e shteteve do të luftojnë me çdo mënyrë kundër marrjes së kontigjenteve të mëdha të refugjatëve.