1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Lammert: Shqipëria të ecë drejt standarteve politike të BE

Presidenti i Bundestagut Gjerman, Norbert Lammert mori pjesë në hapjen e zyrës në Tiranë të Fondacionit gjerman ”Konrad Adenauer”. Ai rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për daljen nga kriza parlamentare në Shqipëri.

Presidenti i Bundestagut Gjerman Lammert, me kryetaren e Parlamentit të Shqipërisë Topalli dhe kryeministrin Berisha

Presidenti i Bundestagut Gjerman Lammert, me kryetaren e Parlamentit të Shqipërisë Topalli dhe kryeministrin Berisha

Shqipëria ka rëndësi të veçantë për Gjermaninë

“Prania ime këtu është një tregues i qartë që për Gjermaninë, Shqipëria nuk është një adresë në glob, por një vend me rëndësi tejet të veçantë. Me hapjen e zyrës së Fondacionit Konrad Adenauer do të lidhim traditën e miqësisë sonë, për ta thelluar atë edhe më tepër në të ardhmen.”

Këto deklarata të Presidentit të Bundestagut Gjerman dhe nënkryetarit të Fondacionit “Konrad Adenauer”, Norbert Lammert u bënë mbrëmë në ceremoninë e rastit në Tiranë. Lammert rikonfirmoi mbështetjen gjermane ndaj integrimit europian të Shqipërisë, por përmendi në prani të kryemnistrit Berisha dhe të kryetares së Parlamentit Topalli domosdoshmërinë e plotësimit të parakushteve për ta merituar anëtarësimin.

“Para një viti Bundestagu gjerman miratoi MSA mes Shqipërisë dhe BE, duke sinjalizuar qartë që Shqipëria ka një perspektivë europiane. Tani dëshiroj të bëj të qartë që bashkërisht të vendosim kushtet paraprake, që pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ajo të ketë edhe perspektivën e anëtarësimit në BE. Perspektivë e anëtarësimit do të thotë të krijojmë parakushtet që Shqipëria të bëhet anëtare e BE,” theksoi Norbert Lammert.

Standarde të përbashkëta politike me BE

Që kjo të ndodhë, Shqipëria duhet të ecë drejt standarteve të përbashkëta politike me BE. Situata politike në Shqipëri, ku opozita ka bojkotuar Parlamentin është një shmangie nga standartet politike europiane, la të kuptohet Norbert Lammert.

Presidenti i Bundestagut Gjerman Norbert Lammert në Tiranë

Presidenti i Bundestagut Gjerman Norbert Lammert në Tiranë

Ai dha një leksion para autoritetevete larta të Tiranës për rolin e Parlamentit në një demokraci funksionale.

“Bojkoti i Parlamentit nuk është një ide e mirë. Nuk ka rëndësi me çfarë argumenti. Ideja e bojkotit nuk përmirëson cilësinë e tij, në rast se bazohet në raste precedente. Gjermania dëshiron të mbështesë çdo përpjekje për të kapërcyer përplasjet, konfliktet e mundshme dhe garantuar funksionimin e Parlamentit,” tha Presidenti i Bundestagut Gjerman, Lammert.

Si një bazë për thellimin e bashkëpunimit mes Gjermanisë dhe Shqipërisë ai vlerësoi historinë e veçantë të Gjermanisë, që pati përvojën e demokracisë dhe të regjimit komunist në ish RDGJ.

Fondacioni Konrad Adenauer: bashkëpunim me partitë dhe nxitje e vlerave

Fondacioni Konrad Adenauer studion ideologjitë e partive politike. Drejtori i zyrës së sapohapur në Tiranë, Willibold Frehner tha se objekt i punës së kësaj zyre do të jetë bashkëpunimi me “partitë politike, parlamentin, universitetin, shoqërinë civile, për të forcuar shtetin e së drejtës, edukuar tolerancën dhe njëherazi, të përcjellë përmes punës së Fondacionit cilësi të tilla si profesionaliteti, integriteti dhe transparenca” .

Autor: Ani Ruci/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 04.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LsQ6
  • Data 04.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LsQ6