1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lajpcigu : Qytet me traditë libri

14 Mars 2008

Panairi i librit në Lajpcig hapi sërisht dyert më 13 mars. 2300 eskpozues nga 36 vende prezantojnë në panair autorë, libra dhe aktivitete.

https://p.dw.com/p/DOZo
Panairi i Librit
Panairi i LibritFotografi: AP

Që prej riorganizimit të ri pas ribashkimit të Gjermanive më 1991, panairi është përqëndruar kryesisht në letërsinë për të rinj dhe i ka vënë vetes si qëllim të kthehet në urë kulturore për vendet e Evropës qëndrore. Një panair modern që zhvillohet në sfond të mbushur me traditë. Sepse Lajpcigu është një nga qytetet më të rëndësishme gjermane të librit.

"Para Luftës së dytë Botërore, Lajpcigu ka qenë kryeqyteti i tregtisë me librin gjerman. Këtu ndodheshin dy shtëpitë e mëdha të tregtimit, ajo e mjeshtërisë së librit dhe e tregtisë me librin. Këtu ishte qendra organizative dhe shpirtërore e lagjes së grafistëve në Lajpcig".

Sabine Knopf sheh me dhimbje fotografitë e paraqitura në ekspozitën "Shtëpia e librit". Në to shihen shtëpi të vjetra botimi nga lagja e grafistëve, ose të paktën atë ç’ka ka mbetur prej tyre. Nuk është shumë. Prej fasadave është duke rënë suvaja. Dhe në ndërtesat e renovuara jetojnë familje. Shtëpitë e botimit dhe shtypshkronjat është e kotë t’i kërkosh. Kështu fotografitë dokumentojnë rënimin e Lajpcigut, qytetit të famshëm të librit, rrënim që ka filluar në vitet nëntëdhjetë.

"Pas luftës së parë botërore marrëdhëniet ndërkombëtare u prishën krejt. Ato duhet të ngriheshin nga e para. Pastaj erdhi Rahju i tretë, me të cilin u prishën disa marrëdhënie. Pastaj ndodhi mbyllja e shtëpive çifute të botimit. Dhe në Luftën e Dytë Botërore lagja e grafistëve u shkatërrua krejt dhe një milionë libra u dogjën. Pas Luftës së Dytë Botërore shumë shtëpi botimi nuk morrën më licenca dhe e ndryshuan biznesin. Ose u mbyllën, apo u shtetëzuan."

Sabine Knopf ka shkruar dy libra për sistemin e shtypshkrimit dhe botimit të librave të Lajpcigut, një për rrënimin e tij dhe një për kohët e lulëzimit. Lagjia grafistëve lindi në mes të shekullit të 19-të. Shtëpi të mëdha botuese si "Brockhaus", "Teubner", "Volckmar" dhe "Reclam" e kishin këtu qendrën, po ashtu si qindra shtëpi të mesme dhe të vogla botimi.

Në vitin 1930 në Lajpcig kishte 436 shtëpi botimi, 69 librari dhe 277 shtypshkronja. 32 mijë lajcigas, një në dhjetë vetë punonte në sistemin e botimit, shtypshkrimit të librit. Në fillim të shekullit të 20-të botues dhe tregtarë të librit nga e gjithë Evropa vinin në Lajpcig.

"Për shembull në vitet 20-të erdhi një delegacion tregtarësh britanik librash për të parë këtu organizimin e tregtimit të librit gjerman. Në atë kohë në Evropë ata zinin vendin e parë. Në Angli për shembull në atë kohë nuk kishte bashkim zyrtar të tregtarëve të librave dhe botuesve. Ata e krijuan më vonë këtë sipas shembullit gjerman. Dhe prej këtej, prej Lajpcigut ndikohej
zhvillimi në gjithë botën".

Këto kohëra kanë ikur prej kohësh, shtëpitë e mëdha të botimit kanë ikur krej këndej. Sot Lajpcigu përpiqet të zhvillohet si qendër e mediave dhe e letërsisë së re. Tregtarë librash shkollohen këtu, disa shtëpi të vogla botimi janë ngritur, kryesisht për shkrimtarë të rinj.

Instituti gjerman i letërsisë ka sjellë me Juli Zeh dhe Clemens Meyer autorë shumë të respektuar. Por kulmi i jetës letrare të qytetit zhvillohet për drejtorin Oliver Zille kur zhvillohet panairi i përvitshëm i librit. "Një herë në vit, Lajpcigu feston letërsinë, megjithëse në qytet sot ka pak botuesa. Që do të thotë se zhvillimi i qytetit si qytet i botimit dhe shtypshkrimit ka marrë drejtim tjetër nga ai si qytet panairi libri. Kjo ndarje nuk mund të ndreqet më. Me panairin e librit ne kemi arritur të ngremë një skenë evropiane".

Panairi i librit në Lajpcig është panairi më i vjetër i letërsisë në botë. Historia e tij i ka fillesat në shekullin e 17-të. Ai ka qenë gjithnjë konkurues me Panairin e librit në Frankfurt, panairi më i madh në botë. Megjithatë fokusi i Lajpcigut është përqëndruar diku tjetër.

"Së pari Panairi i Librit në Frankfurt është një panair letërsie, që përqëndrohet në letërsinë gjermane dhe në atë evropianoqëndrore. Dhe i gjithë qyteti është i përfshirë në bërjen e reklamës për letërsinë."

Gjatë ditëve të panairit me "Lajpcigu lexon" organizohet një prej festivaleve më të mëdha evropiane të letërsisë. Mbi 1900 aktivitete në 300 pika. Leximi bëhet në librari, kafe, klube, dyqane antikuaresh.