1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Lajme të mira dhe të këqija përsa i përket Sirisë

Pavarësisht nga vendosja e armëpushimit trupat siriane sipas të dhënave të aktivistëve kanë bombarduar sërish qytetin Homs. Vëzhguesit e OKB-së janë ndërkohë rrugës për në Siri.

Qyteti Homs pas bombardimeve

Qyteti Homs pas bombardimeve

Lajme të mira dhe të këqija përsa i përket Sirisë. Ekipi i parë i OKB-së është rrugës për në Siri, për të vëzhguar, si dhe nëse respektohet armëpushimi në vend. Shpresat se situata në Siri mund të përmirësohej, ekzistojnë. Nga ana tjetër duket se në vend vazhdojnë luftimet, megjithë premtin për t'i ndërprerë ato.

Luftime të ashpra, plumbat bien në shtëpi banimi, tym mbi lagjet e qytetit. Një skenë nga një video interneti e aktivistëve. Thuhet se është regjistruar këtë të dielë në qytetin sirian Homs. Pamjet duan të provojnë se ushtria e udhëheqjes siriane nuk e respekton armëpushimin. A është e vërtetë videoja, kur është xhiruar dhe ku, nuk mund ta thuash. Informacionet e opozitës për gjoja viktima të reja në vend edhe ditën e sotme, nuk vijnë nga Siria vetë, por nga jashtë vendi. Së paku 32 vetë kanë humbur jetën në Siri që prej fillimit të armëpushimit të enjten, thuhet në Londër. Atje e ka qendrën grupi opozitar "Observatori sirian për të drejtat e njeriut". Të dielën duhet të ketë patur luftime kryesisht në veri, në provincën Aleppo, thonë ativistët, dhe madje në mes ushtarëve dhe dezertorëve.

Syrien Damaskus

Damasku në lindje të diellit

Sipas udhëheqjes siriane në Damask shtetet e huaja janë fajtore, që dhuna vazhdon megjithë armëpushimin e ndërmjetësuar nga i dërguari i posaçëm i OKB-së Kofi Annan. Në fjalët e ambasadorit të Sirisë në OKB, Bashar Jaafari, kjo tingëllon kështu: "Qeveria siriane është e mendimit, se tani është rradha e atyre, që mbështesin grupet e armatosura në Siri."

Ambasadori sirian në OKB foli në New York, pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën për Sirinë. Ajo parashikon ndër të reja, që të dërgojë vëzhgues ushtarakë në vend, për të kontrolluar armëpushimin dhe tërheqjen e trupave dhe armëve të rënda nga qytetet. Rezoluta e OKB-së është e para për Sirinë që prej fillimit të protestave kundër presidentit Bashar Al-Assad para më shumë se një viti.

Vendimi u përshëndet në mbarë botën. Edhe nga opozita siriane. I vetëquajturi "Këshilli kombëtar sirian" e quajti vendimin "të vonuar". Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të gënjehet nga mashtrimet e regjimit në Damask, thuhet në një deklaratë të grupit opozitar. Skepticizëm shprehu në New York edhe ambasadorja e SHBA-së në OKB, Susan Rice.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Susan Rice.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Susan Rice.

"Edhe në qoftë se Kombet e Bashkuara i përshëndesin veprimet e Këshillit të Sigurimit, ne nuk i jepemi iluzioneve. Para disa orësh trupat siriane kanë vazhduar të qëllojnë brutalisht qytetin Homs. Në Aleppo është qëlluar një kortezh i përmortshëm. Kjo të zgjon dyshime për sinqeritetin e regjimit në lidhje me armëpushimin."

Megjithë skepticizmin: Vëzhguesit e parë të OKB-së sipas të dhënave të OKB-së janë rrugës për në Siri. Pjesa tjetër e vëzhguesve ndërkombëtarë do të pasojë, sapo armëpushimi të jetë stabilizuar dhe armët e rënda të jenë tërhequr nga zonat e banuara.

Autor: Steffen Wurzel/Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj