1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Lajme kontradiktore - Politika japoneze e informimit vihet në provë

Gjendja lidhur me reaktorin japonez me avari Fukushima po tensionohet. Çfarë po ndodh atje në të vërtetë, mund të mësohet vetëm prej spekulimeve të ekspertëve në mbarë botën. Informacionet nga Japonia janë kontradiktore.

default

Lajmet e fundit nga Japonia janë të vazhdueshme: shpërthime në reaktorin e katastrofës Fukushima, re radioaktive para brigjeve dhe drejt Tokios, ujë që zien në bërthamat e reaktorit. Këto ditë s'kalon asnjë minutë pa lajme të reja tronditëse.

E megjithatë ne nuk jemi të mirëinformuar. Sepse gjithçka, që ne shohim minutë pas minuti nëpër ekrane, lexojmë në live-ticker dhe mësojmë prej raportimeve papushim të korrespondentëve nga Japonia, tek e fundit nuk ka shumë kuptim. Me gjasë reaktorët prej ditësh ndodhen në prag të shkrirjes bërthamore. Me gjasë? Por nga vijnë atëherë retë radioaktive? Përse digjet një reaktor, i cili prej kohësh ishte mbyllur? Çfarë ndodh në të vërtetë në bërthamën e reaktorit? A do të rezistojnë vallë paretet mbrojtëse. Sa i lartë është rrezatimi përreth Fukushimës? Eskpertët në mbarë botën hamendësojnë duke arritur në konkluzione të ndryshme.

Sybille Golte

Sybille Golte-Schröder

Ka dy burime përgjegjëse për këtë kaos informativ: Operatori i reaktorit Tepco përpiqet prej ditësh, që ta zbusë situatën dhe qeveria japoneze përpiqet të ruajë prestigjin. Por tani nuk është koha për të tilla qëndrime. Duket se edhe kryeministri Kan tashmë e ka kuptuar këtë. Deklarimet e tij të lenë të kuptosh, se për fat të keq as ai vetö nuk ka një pasqyrë të qartë se çfarë po ndodh në Fukushima dhe në reaktorët e tjerë.

Një gjë është e saktë, Japonia ndodhet përballë problemesh, të cilat eklipsojnë gjithçka ka qenë deri më sot. Zona të tëra përgjatë bregdetit janë shkatërruar, dhjetöra mijë vetë konsiderohen të humbur, qindra mijëra kanë mbetur të pastrehë. Arratia dhe evakuimi i njerëzve përreth reaktorit është një sipërmarrje e vështirë logjistike.

Por kjo nuk justifikon as zbutjen artificialisht të situatës dhe as disinformimin. E gjithë bota është e gatshme të japë ndihmë, por kjo ndihmë mund të ketë efekt, vetëm nëse faktet nxirren në tavolinë. Gjatë katastrofave të kaluara Japonia është krenuar, që i ka pasur vetö nën kontroll problemet e veta. Por kjo krenari është e parëndësishme në sfondin e përmasave të katastrofës.

Ishte gabim, që menaxhimi i krizës në reaktorët e Fukushimës iu la firmës Tepco me reputacion jo të mirë dhe që informacionet e saj me sa duket u përcollën pa u verifkuar. Kryeministri Kan do të bënte mirë tani më në fund të kërkonte ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë, përpara se territori i reaktorëve të bëhet i pakalueshëm.

Për njerëzit në mbarë botën kaosi informativ japonez është indinjues, por për vetö japonezët është edhe më keq, sepse atyre u duhet të jetojnë me pasojat e katastrofave natyrore dhe atyre të reaktorëve. Qeveria japoneze ka një interes legjitim për të parandaluar një panik të masës në zonat përreth reaktorit - ose akoma më keq: në rajonin me dendësi të lartë të Tokios me 30 milionë njerëz. Por kjo afatgjatë nuk mund të arrihet me një politikë informacioni kontradiktore dhe çorientuese. Përkundrazi: Udhëheqja e Japonisë po vë në pikëpyetje kredibilitetin, besimin, për të cilin ajo ka urgjentisht nevojë, nëse do ta rikthejë vendin në normalitet.

Autor: Sybille Golte-Schröder

Redaktoi: Angjelina Verbica