1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Lajçak: "Është përgjegjësi e shqiptarëve dhe jo e ndërkombëtarëve"

BE përsëriti sot thirrjen drejtuar politikanëve drejtues të Tiranës të marrin përgjegjësinë për të garantuar një proces zgjedhor transparent, në përputhje me standartet ndërkombëtare.

default

Miroslav Lajcak

Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i baroneshës Catherine Ashton, Përfaqësuese e Lartë e BE për politikën e Jashtme dhe të Sigurisë tha sot në Tiranë se kjo është pritshmëria e BE ndaj Shqipërisë dhe se realizimi i një procesi të tillë zgjedhor është në rradhë të parë përgjegjësi e qeverisë.

Kjo është vizita e tretë e Miroslav Lajçak në Tiranë që pas ngjarjeve dramatike të 21 janarit, ku gjatë një proteste antiqeveritare të opozitës u vranë 4 demonstrues. Ai tha se BE që nga vizita e tij e dytë, shtatë javë më parë, nuk ka vërejtur asnjë progres për rifillimin e dialogut politik maxhorancë-opozitë, ndonëse ka edhe zhvillime pozitive: “Fakti, që nuk kam qënë këtu për shtatë javë, tregon se BE nuk ka parë përpjekje të ndershme për të filluar dialogun politik. Ndonëse ka edhe zhvillime pozitive. Nuk ka patur demonstrata vdekjeprurëse dhe njerëzit nuk po vdesin në rrugë, por kjo nuk është e mjaftueshme për një vend si Shqipëria, që inspiron të bëhet kandidate për në BE dhe më pas të integrohet në BE”, tha ai në konferencën për shtyp, që dha në Qendrën Informative të BE në Tiranë.

Rifillimi i dialogut politik parakusht i progresit

Ndonëse sugjerimi i BE për rifillimin e dialogut politik nuk është plotësuar nga politikanët drejtues të Shqipërisë, Miroslav Lajçak tha se qëllimi i vizitës së tij të tretë sot në Tiranë ishte t'u përcillte politikanëve drejtues të Tiranës pritshmëritë e BE dhe komunitetit ndërkombëtar për zgjedhjet lokale të 8 Majit: “Ne besojmë se ka një rëndësi kyçe, që Shqipëria të kthehet në rrugën e integrimit europian të saj përmes reformave, nga të cilat përfitojnë të gjithë shqiptarët dhe që lypsen për të ardhmen e tyre europiane. Parakushte të progresit janë: rifillimi i dialogut politik, respektimi i institucioneve të vendit, rikthimi i besimit të politikanëve dhe qytetarëve tek Parlamenti”, vuri ne dukje ai.

Në emër të BE ai renditi fushat, ku BE pret reagim të shpejtë nga politikanët e Tiranës: hetim të pavarur dhe gjithëpërfshirës të ngjarjeve të 21 janarit dhe dhënia Prokurorisë së Përgjithshme e rezultateve, që pritet të arrijë për këtë ngjarje komisioni hetimor i Parlamentit dhe garantimi i praktikave më të mira në organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve lokale të 8 Majit, duke zbatuar kodin elektoral ekzistues dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

I pyetur nga DW, nëse nga bisedimet e sotme me autoritetet e Tiranës ai mori premtimin se pritshmëritë e BE dhe të faktorit ndërkombëtar për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe moskontestimin e rezultatit do të realizohen, ai tha: “Në të gjitha vendet është e qartë, që është qeveria ajo, që ka përgjegjësinë për organizimin dhe zhvillimin e nje procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm."

Ai përsëriti idenë e njohur të BE se faktori ndërkombëtar do të mbështesë Shqipërinë, por janë vetë qeveria dhe partitë politike ato, qe do të organizojnö dhe zhvillojnë zgjedhjet. “Është përgjegjësia e shqiptarëve për të organizuar zgjedhjet e lira dhe jo e ndërkombëtareve", deklaroi Lajçak sot ne Tirane.


Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 22.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10fiO
  • Data 22.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10fiO