1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Lüders: Gjendje ekstreme alarmante në Siri

Lufta e shteteve vasale mund të shkallëzohet, druhet eksperti i Lindjes së Afërt, Michael Lüders. SHBA kanë vënë në shënjestër Rakka-n, kryeqytetin e Shtetit Islamik. Është e paqartë si do të reagojë Rusia.

Nahost Experte Michael Lüders (picture-alliance/ dpa)

Michael Lüders

DW: Sa u habitët nga lajmi që SHBA sulmuan një bazë të aviacionit luftarak sirian?

Michael Lüders: U habita shumë, sepse nuk e kisha konsideruar të mundur që qeveria amerikane të tregohej me të vërtetë e gatshme për një veprim të tillë të pamenduar. Këtu është e qartë se kemi një potencial të rrezikshëm shkallëzimi.

Në Siri zhvillohet një luftë shtetesh që veprojnë si agjente të të tjerëve. Në njërën anë janë SHBA, BE, Turqia dhe Shtetet e Gjirit, të gjitha ato duan ta shohin të rrëzuar Assadin; Rusia, Irani dhe Kina nuk duan ta lejojnë këtë në asnjë mënyrë. Po të kryesh një sulm të tillë, siç e urdhëroi tani Trumpi, natyrisht që ekziston rreziku që ai të mos mbetet sulm i vetëm, që gjendja të shkallëzohet dhe që shumë shpesh në tokën siriane të ndodhen përballë njëri-tjetrit amerikanët dhe rusët.

Nga Kremlini u tha se sulmi qe agresion, ndonëse rusët qenë paralajmëruar dhe qenë në gjendje që t'i largojnë ushtarët e tyre nga zona e rrezikut. Nuk tingëlloi se SHBA dhe Rusia do të jenë në gjendje që të zhvillojnë në një të ardhme të afërt biseda për Sirinë. Sa i madh është rreziku që të ndërhyjë Rusia?

Konfrontimi është i pranishëm dhe gatishmëria për të synuar një balancim objektiv interesash dhe që të flitet si i barabartë me tjetrin, është shumë e dukshme që nuk ekziston. Në këtë kuadër natyrisht rreziku është i madh që ky konflikt të vazhdojë. Nëse do të ketë sulme të tjera të amerikanëve, në të cilat të dëmtohen ndoshta edhe rusë ose pajisje ushtarake ruse, atëherë Moska nuk do ta pranojë këtë dhe gjendja mund të shkallëzohet shumë shpejt.

Cila është më e keqja që mund të ndodhte nga kjo goditje ushtarake?

Te Rusia, SHBA shohin për momentin kundërshtarin më të madh gjeopolitik, dhe ato zhvillojnë një luftë të mbuluar në dy territore lufte: në Ukrainë, por para së gjithash në Siri. Regjimi i Assadit i ka rimarrë të gjitha qytetet e mëdha, së fundi Aleppon Lindore në dhjetor 2016. Në njëfarë mënyre mund të thuash se amerikanët e kanë humbur këtë luftë, këtë konfrontim me Rusinë në Siri. Por tani, qendra me pushtet në Uashington me sa duket janë të gatshme ta kthejnë pas këtë zhvillim, duke u fokusuar në konfrontim në Siri.

Të mos e harrojmë se pas referendumit për kushtetutën në Turqi në 16 prill, SHBA duan të nisin një sulm me forca tokësore, me trupa elite amerikane. 400 ushtarë të SHBA janë stacionuar tashmë në Siri, në drejtim të Rakkas, kryeqytetit të Shtetit Islamik në Lindje të Sirisë. Ato do të arrijnë ta ripushtojnë Rakkan, po pastaj? Cilat do të jenë kërkesat e tjera? Do të ngrihet një zonë e ndalim-fluturimit? Kjo do të ishte një taktikë e marrjes së gishtit për të të rrëmbyer dorën, për të cilën rusët nuk do të binin dakord. Sepse zonë e ndalim-fluturimit do të thoshte që avionët rusë ose sirianë të mos jenë më në gjendje të ngrihen në qiell. Ky do të ishte pa dyshim një konfrontim. Se cila do të jetë rruga që do të marrë më tej ky zhvillim, për momentin nuk mund ta parashikojmë, por pa dyshim që shkalla e shqetësimit është është shumë e lartë.

Lufta kundër terrorit, kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik, synimi i përbashkët i SHBA dhe i Rusisë, nuk e humbet kështu rëndësinë?

Kjo luftë zhvillohet paralelisht, por për momentin elementi kryesor natyrisht është konfrontimi Rusi-SHBA. Por për një ose dy javë kjo mund të ndryshojë sërish. Të dyja, SHBA dhe Rusia janë të të njëjtit mendim, se Shteti Islamik duhet dëbuar në Rakka. Këtu ndoshta mund të gjenden sërish përbashkësi, por ne nuk i dimë veprimet e tjera të administratës amerikane dhe në cilin drejtim do të shkojnë ato. Do të ketë ithtarë të vijës së fortë, që si të thuash duan konfrontim vendimtar dramatik me Rusinë, sipas parimit "të shohim sa larg mund të shkojmë". Por do të ketë edhe të moderuar, pragmatikë, që thonë se nuk duam ta teprojnë, prandaj duhet të presim se çfarë do të ndodhë.

Me sa duket në Uashington nuk janë të gatshëm që të marrin në konsideratë se Rusia e vështron si Ukrainën, ashtu edhe Sirinë si pjesë të oborrit të saj të pasëm, dhe në këtë fushë Rusia sfidohet. Rusia nga ana e saj natyrisht që ndjek një politikë imperiale, por fakt është që deri tani në Siri kanë dalë llogaritë që kanë bërë Rusia dhe Assadi. Amerikanët kanë problemin, që po ta largojnë këtë regjim nga pushteti, kush do ta marrë pastaj pushtetin e Assadit? Një opozitë legjitime demokratike, e moderuar, në Siri ekziston vetëm si premisë. Pushteti në këtë rast do të kalonte në duart e xhihadistëve. Këtë e dinte edhe Presidenti Obama dhe prandaj ai qe shumë i përmbajtur këtu përsa i përket një angazhimi direkt ushtarak.

Çfarë tregon kjo goditje ushtarake e SHBA për politikën e jashtme të qeverisë Trump që nuk dukej kaq bindëse javët e para?

Politika amerikane, e këtu edhe politika e jashtme janë shumë të paqendrueshme. Presidenti Trump ka gati tri muaj që është në pushtet. Ka pasur një fillim shumë të vështirë. Atij iu desh të korrigjonte edhe vendime në personel, e të tërhiqte së fundi kryestrategun e tij Steve Bannon nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë. Këtë sigurisht që ai nuk e bëri vullnetarisht por nën presionin e qendrave tradicionale të pushtetit në Uashington, të cilat po i sinjalizojnë për momentin: "O mik, dole për të luftuar si kryengritës, si i tillë e pushtove Shtëpinë e Bardhë, po tani po të themi se ku janë interesat e SHBA dhe këtij kursi do t'i përshtatesh."

Me sa duket Trumpi është duke e marrë këtë orientim të ri. Të mos harrojmë se në fushatën elektorale Trumpi tha se nuk do më aksione ushtarake në botën e jashtme, nuk do më angazhim në Siri, të gjitha këto do të kushtonin vetëm para. Si zgjedhës i Trumpit të mbetet vetëm të konstatosh që ke zgjedhur një gjë dhe po merr një gjë tjetër...

...pra nuk kemi "America first" në politikën e jashtme të Trumpit?

"America first" patjetër, por në një mënyrë dhe stil jo të mirë, sepse bota nuk funksionon më sikur të kishim një qendër të vetme pushteti. Ekziston edhe Rusia, Kina dhe të tjerë dhe përfytyrimi që shtetet perëndimore, konkretisht SHBA, të jenë në gjendje t'u imponojnë agjendën e tyre vetjake këtyre aktorëve të tjerë, është i huazuar pak nga Lufta e Ftohtë, është iluzore. Këtë nuk do ta pranojnë as rusët dhe as kinezët, dhe këtu është rreziku i madh dhe një potencial i madh lufte.

Michael Lüders është politolog, ekspert për fenë islame dhe publicist. Ai është President i Shoqatës Gjermano-Arabe dhe këshilltar i Ministrisë së Jashtme gjermane.

Intervistoi: Marc Saha