1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Löning: "Dyshime rreth sundimit të ligjit në Kinë"

I Ngarkuari i Qeverisë federale Gjermane për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën Humanitare thotë se në Kinë ushtrohet presion edhe mbi familjet e njerëzve të padëshirueshëm për politikën.

Duket se në Kinë jetojnë në rrezik jo vetëm ata që kritikojnë qeverinë, por edhe familjet e tyre. Një gjykatë në Pekin e refuzoi ankesën e Liu Hui, kunati i Liu Xiaobo, fitues i Çmimit Nobel të Paqes. Liu Xiaobo u dënua në fund të vitit 2009 me njëmbëdhjetë vjet burg - për gjoja "minimin e pushtetit shtetëror". Edhe Liu Hui nga ana tjetër, u dënua në qershor me njëmbëdhjetë vjet burg për gjoja mashtrim.

Dyshime serioze për sundimin e ligjit

Markus Loening (FDP) që është që nga viti 2010 i Ngarkuari i Qeverisë Federale gjermane për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën Humanitare mendon se vendimi i Gjykatës së Pekinit: "ngre përsëri dyshime serioze në lidhje me sundimin e ligjit në Kinë. Po forcohet përshtypja se tani ushtrohet presion edhe mbi familjet e njerëzve që janë të padëshirueshëm për politikën. Duket se kemi një rast përgjegjësie farefisnore. Unë mendoj se ai duhet të lirohet. Por kjo duhet të bëhet edhe për Liu Xiaobo dhe sidomos për Liu Xia, gruaja e Liu Xiaobo, e cila mbahet në arrest shtëpie. Në këndvështrimin tim kemi një rast të qartë politik."

Presion ndaj familjeve të aktivistëve për të drejtat e njeriut

Markus Loening, i cili ka qenë disa herë vetë në Kinë thotë se ka edhe raste të tjera që pjesëtarët e familjes të aktivistëve kinezë për të drejtat e njeriut vihen nën presion, p.sh. vëllai dhe nipi i Chen Guangcheng, aktivistit të verbër të drejtave të njeriut, i cili u largua nga vendi vitin e kaluar për në Shtetet e Bashkuara. "Më trondit fakti që udhëheqja kineze, qeveria kineze bën presion ndaj anëtarëve të familjeve të njerëzve që marrin pjesë në debatin politik dhe shprehin pakënaqësi." - thotë Markus Loening për Deutsche Wellen.

Me Markus Loening bisedoi Matthias von Hein