1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Lëvizjet për pavarësi në Evropë

Disa rajone në Evropë synojnë pavarësinë. Skocezët, baskët, katalanët duan një shtet të tyre, në Belgjikë grinden flamandët me valonët. Një prirje e kundërt me integrimin evropian.

"Rule, Britannia! [Sundo Britani!] – por jo te ne!" I ngjashëm me këtë mund të ishte slogani i lëvizjes skoceze për pavarësi. Pas një përkatësie më shumë se 300-vjeçare te Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut skocezët do të lejohen të votojnë në referendum për pavarësinë e tyre.

Në foto, David Cameron dhe Alex Salmond

Në foto, David Cameron dhe Alex Salmond

Marrëveshjen përkatëse e nënshkruan kryeministri britanik David Cameron dhe shefi i qeverisë rajonale skoceze, Alex Salmond, të hënën (15.10.2012). Me dëshirën për pavarësi skocezët nuk janë të vetëm në Evropë.

Rajonet e pasura duan të dalin nga lidhja

Janë para së gjithash rajonet ekonomikisht të forta në Evropë ato që duan të shkëputen prej vendit të prejardhjes: Për shembull, sipas entit të statistikave eurostat, rajonet e Katalonisë dhe të Baskisë, të cilat synojnë pavarësinë, kontribuan gati çerekun e produktit të brendshëm bruto (GDP) spanjoll, megjithëse ato përbëjnë më pak se dhjetë për qind të sipërfaqes së vendit. Veriu i Italisë me Tirolin Jugor dhe rajonin e metropolit Milano, të përgatitur mirë për sfidat e së ardhmes, nuk duan ta bashkëfinancojnë edhe më tej jugun me ekonomi të dobët. Edhe skocezët parapëlqejnë t'i mbajnë për vete të ardhurat nga nxjerrja e naftës.

Veçanërisht e rëndë është situata në Belgjikë, ku separatistët flamandë kërkojnë gjithnjë e më fort ndarjen nga jugu frankofon. Vërtet Flandra përfshin vetëm një të tretën e sipërfaqes, mirëpo është përgjegjëse për gati 60 për qind të produktit të brendshëm bruto të vendit.

Shumë arsye për mëvetësi

Në foto, Elke Göttsch-Elten

Në foto, Elke Göttsch-Elten

Krahas arsyeve ekonomike për dëshirën për pavarësi nga vendi i prejardhjes ka një sërë argumentesh të tjera, thotë profesorja Silke Göttsch-Elten, etnologe në Universitetin e Kiel-it. Të gjitha ato shërbejnë për të përkufizuar identitetin individual: "Gjuha, historia e përbashkët, apo ajo çka në vija të trasha cilësohet kulturë". Besimi mund të luajë në këtë kuadër një rol të madh, thotë profesorja, por edhe aspekte gjeografike, nëse për shembull një rajon shtrihet në skaj apo në qendër të një vendi.

Lëvizjet për pavarësi në perëndim dhe në jug të Evropës duan para së gjithash të ruajnë mëvetësinë e grupit etnik përkatës. Mirëpo sipas të drejtës ndërkombëtare vetëm ky fakt nuk u jep atyre të drejtën për shkëputje, pra për t'u shpallur të pavarur kundër vullnetit të vendit të prejardhjes, shpjegon profesor Christian Hillgruber nga Universiteti i Bonit. "Këtu ekspertët e së drejtës ndërkombëtare janë përgjithësisht të një mendjeje, me përjashtim të rastit kur ka pasur një trajtim që përbën cenim të rëndë të të drejtave të njeriut deri në gjenocid, siç ishte në rastin e Kosovës." Në luftën midis trupave serbe dhe ushtrisë së kryengritësve të UÇK-së në provincën asokohe pjesë e Serbisë patën humbur jetën në 1998/99 dhjetëra mijëra vetë.

Gjatë ndarjes së ish-Çekosllovakisë në Republikën Çeke dhe në Sllovaki ishte ndryshe. Ky hap u krye në 1993-shin paqësisht e pa zhurmë me pëlqimin e të dyja palëve dhe prodhoi dy shtete të pavarura.

Njëçikë i pavarur

Në foto, Christian Hillgruber

Në foto, Christian Hillgruber

Megjithëse edhe në vende evropiane si Spanja dhe Irlanda ka vazhdimisht atentate të grupeve separatiste, eksperti i së drejtës ndërkombëtare Christian Hillgruber nuk pret që në Evropë të ketë transformime dramatike e të rënda si në luftërat shumëvjeçare në pjesë të tjera të botës, për shembull në Eritre, Timorin Lindor apo në Sudan.

Gjatë ndarjes nga vendi i prejardhjes, siç synohet për shembull në Skoci, ai i vëren problemet në vend krejt tjetër: "Natyrisht që do të duhet të flitet për pasojat e si të themi divorcit, veçanërisht për ndarjen e pasurisë dhe të borxheve: Skocia nuk do të lejohet të pavarësohet në rast se nuk merr përsipër pjesërisht borxhet e Mbretërisë së Bashkuar." Për këtë arsye, thotë Hillgruber, përfundimi do të jetë që skocezët të mjaftohen me marrjen e një pavarësie më të madhe ekonomike nga Londra, pa u ndarë plotësisht nga Mbretëria e Bashkuar.