1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Lëvizje politike që rrit krizën e besimit të publikut në Shqipëri

Realpolitika përsëri në Tiranë - në prag të zgjedhjeve parlamentare LSI del nga qeveria dhe bashkohet me PS në opozitë.

Tronditëse, të natyrshme, të çuditshme, të dyshimtë e kanë cilësuar analistët politikë të Tiranës largimin ditët e fundit të partisë LSI nën drejtimin e Ilir Metës nga koalicioni qeverisës me PD-në të drejtuar prej kryeministrit Sali Berisha. Largimi nga koalicioni qeverisës i LSI-së u bë për t'u bashkuar në një koalicion me rivalen e djeshme politike, PS-në në opozitë, vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlametare të 23 qershorit.

Analisti i pavarur Aleksandër Çipa thotë për DW: “Është një lëvizje politike brenda së majtës shqiptare, që ka tronditur më shumë sesa ndarja e së majtës në vitin 2005, kur Ilir Meta krijoi LSI-në. Tronditja vjen pasi dalja në një koalicion me PS-në nuk kaloi në një proces ku të paraqitej projekti për të cilin u bë prishja e koalicionit me PD-në pas 4 vitesh qeverisjeje dhe bashkimi me PS-në në opozitë. Statusi i LSI-së në këtë bashkim nuk është statusi i një force opozitare por i një partie të majtë që ka qenë në koalicion qeverisës të djathtë me PD-në”, thotë Çipa.

Analisti Sami Neza nuk e cilëson tronditëse këtë lëvizje politike por racionale dhe të dyshimtë. “LSI-ja është një parti e majtë, lideri i saj është një politikan i majtë. Brenda kornizës ideologjike vajtja e Metës tek PS-ja është shumë më logjike se aleanca e tij me PD-në. Por kjo lëvizje është e dyshimtë për shkak të raporteve mes PS-së dhe LSI-së në të shkuarën nga njëra anë dhe biografisë jo aq të pëlqyer të LSI-së në pushtet nga ana tjetër, pa harruar këtu edhe legalizimin e marrëveshjes PS - LSI si konformizëm” thotë Sami Neza.

Bashkim që nuk merr parasysh interesin e sovranit

Në katër vitet e bashkëqeverisjes së LSI - PD, opozita e majtë e kryesuar nga PS-ja bëri moto të aksionit politik korrupsionin në qeverisje që drejtohej në thelb kundër LSI-së, e cila u bë protagoniste e skandaleve të korrupsionit që plasën në janar të vitit 2011 dhe tronditën skenën politike të Shqipërisë. A do të jetë në gjendje të ndërtojë koalicioni PS - LSI një model qeverisjeje ndryshe nga ai PD - LSI i stigmatizuar për përfshirje në afera korruptive?

“Platforma elektorale e PS-së, e quajtur “Platforma e Rilindjes” është afishuar si një platformë e kontrastit të thellë, mes një modeli egzistues të koalicionit qeverisës PD - LSI dhe vetë PS. Tani pas aleancës PS- LSI kjo platformë bie në thelbin e vet dhe sidoms në parimin e saj moral. Elektorati i majtë është skeptik pasi nuk sheh se cili është motivim i bashkimit. Dhe në këtë bashkim nuk është marrë parasysh interrsi i sovranit, i elektoratit. Në horizont duket dualiteti në nivele të larta të lidershipit të së majtës, nëse do të ketë një fitore të mundshme të zgjedhjeve të 23 qershorit”, thotë Aleksander Çipa

Edhe analisti Sami Neza mendon se marrëveshja PS - LSI nuk do të ndikojë në votat e elektoratit të majtë edhe pse ajo nuk është pritur mirë. "Socialistët do ta votojnë partinë e tyre gjë që do ta ulë pazarin e LSI-së për qeverinë dhe ka mundësi që të ulë numrin e votave të kësaj partie për koalicionin. Por LSI-ja nuk është humbëse nëse humbet koalicioni. Ajo mund të transferojë asetet e veta tek ata që fitojnë në çdo rast”, thotë Sami Neza.

Kriza e besimit – publiku kërkon një elitë të re politike

Një moral i tillë i të bërit politikë e ka shtuar krizën e besimit tek publiku. Këtë krizë besimi duket se bashkimi i PS-së me LSI-në nuk e merr në konsideratë, mendon analisti Aleksandër Çipa: "Opinioni publik, elektorati shpreh hapur krizën e besimit ndaj ndërgjegjes dhe moralit politik që ofron akltualisht klasa politike e Shqipërisë. Kriza për një elitë të re politike po shfaqet çdo ditë në të gjitha segmentet e shpoqërisë. Mendoj se pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit kriza e besimit të publikut ndaj partive dhe aktorëve të rëndësishëm politikë do të dimensionohet sërish dhe kjo mund të sjellë kapituj të rinj në reagimin qytetar dhe në marrdheniet mes politikës dhe sistemit partiak të tanishëm”, thotë Çipa.

Që nga viti 2005 kur Ilir Meta themeloi LSI-në dhe u nda nga PS-ja, votat që ajo mori duket se ndikuan në humbjen e PS-së. Po tani a do të ndikojnë në fitoren e saj? “Marrëveshja e LSI-së me PS-në shton dilemën e fituesit të zgjedhjeve sivjet. Formula e llogaritjes së votave në sistemin proporcional rajonal është më e ndërlikuar se sa në rastin e mazhoritarit dhe shpesh herë perceptimet e fituara nga llogaritje të tjera elektorale nuk funksiojnë njësoj rast pas rasti. Por kjo aleacë e ndërlikon betejën elektorale të opozitës dhe kërkon ndryshime në strategjinë e saj. Tani ajo ka një pjesë të qeverisë në përbërje të saj dhe duhet të ndërtohet një platformë që ruan deri diku edhe kredibilitetin e LSI-së në qeverisje, pra Rama duhet që të paktën të reformojë fjalorin për ato sektorë që ka drejtuar LSI në katër vite. Fituesi është herët të parashikohet. Të dyja palët janë në garë të fortë”, thotë Sami Neza.