1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Lëvizja opozitare në Rusi para shpërbërjes?

Pas zgjedhjeve presidenciale po dalin në pah më fort dallimet në kuadër të lëvizjes protestuese anti-Putin. Në një kohë, kur disa duan të demonstrojnë në mënyrë paqësore, të tjerët kërkojnë konfrontimin me Kremlinin.

Demonstratë kundër falsifikimit të zgjedhjeve në St.

Demonstratë kundër falsifikimit të zgjedhjeve në St. Petersburg

Atmosfera midis opozitarëve rusë është e acaruar. "Vërtet që mënyra e veprimit të policisë duhet dënuar, por njëkohësisht edhe duhet parë se disa nga pjesëmarrësit e aktivitetit e provokuan dhunën," shkruan kryetari i partisë liberale "Jabloko", Sergej Mitrochin, në blogun e tij në platformën e internetit LiveJournal.

Të hënën në mbrëmje (05.03.12), një ditë pas zgjedhjes së presidentit, në Sheshin Pushkin të Moskës pati përleshje midis demonstruesve dhe forcave të sigurisë. Opozitarët patën protestuar më parë në mënyrë paqësore kundër falsifikimeve në zgjedhje. Ata i vunë pikëpyetje rezultatit zyrtar të zgjedhjeve, në bazë të të cilit Vladimir Putini qe në gjendje të mblidhte dy të tretat e votave. Pasi mori fund manifestimi i miratuar i kundërshtarëve të Putinit, disa aktivistë bënë thirrje që të vazhdohet edhe më tej protesta. Pas kësaj, policët ushtruan dhunë kundër demonstruesve. Rreth 250 vetë i arrestuan fillimisht, më vonë i liruan.

Shkëmbim replikash midis opozitarëve

Bashkëpërgjegjës për shkallëzimin e situatës është në radhë të parë drejtuesi i "Frontit të majtë", Sergej Udalzow, tha Mitrochini. Udalzowi nga ana e tij e akuzon shefin e "Jabloko-s" se kërkon ta përçajë lëvizjen opozitare.

Shkëmbimet e reja të replikave midis opozitarëve tregojnë se shoqëria e re civile në Rusi, e cila është krijuar pas zgjedhjeve parlamentare në dhjetor 2011, ka marë plasaritje.

Që prej tri muajsh, dhjetëra mijëra vetë dalin para së gjithash në Moskë nëpër rrugë, për të protestuar kundër falsifikimit të zgjedhjeve dhe për më shumë demokraci. Protestat deri tani kanë kaluar në mënyrë paqësore, sepse demonstruesit u qenë përmbajtur marrëveshjeve me autoritetet. Por tani kjo mund të ndryshojë. "Pas zgjedhjeve presidenciale, lëvizja ndoshta do të ndahet - në një lëvizje paqësore dhe në një lëvizje radikale", mendon Leonidi, një nëpunës në Moskë, i cili deri tani kishte marrë pjesë në të gjitha lëvizjet protestuese. Ai e refuzon përdorimin e dhunës. Eshtë e gabuar që të bësh thirrje për manifestime të pamiratuara. "Vetëm me protesta paqësore mund t'i detyrojmë ne pushtetmbajtësit për reforma liberale", mendon Leonidi.

Demonstrues anti-Putin

Demonstrues anti-Putin

Lëvizja protestuese jo homogjene

Një përçarje e lëvizjes protestuese nuk do të vinte papritur. Kemi të bëjmë me një aleancë politikanësh të majtë dhe liberalë të djathtë, nacionalistësh dhe kundërshtarësh të globalizimit, përfaqësues të shtresës së mesme të qyteteve, pensionistësh dhe studentësh. Të gjithë këta duan më shumë demokraci. Por përfytyrimet e tyre për një rend të ri shoqëror janë shumë të ndryshme.

Vëzhguesit besojnë se Kremlini mund të përpiqet që ta përçajë lëvizjen protestuese. Miliarderi dhe kandidati për president, Mihail Prohorov mund ta merrte përsipër këtë rol. Para së gjithash në Moskë dhe në qytete të tjera të mëdha Prohorovi mori shumë vota. Pas zgjedhjeve, Putini e inkurajoi atë që të themelojë një parti të re liberale. Pas kësaj, Prohorovi doli para demonstruesve në Sheshin Pushkin dhe deklaroi se do të angazhohet për interesat e tyre. Por nëse Prohorovin do ta pranojnë si "alternativë" ndaj Putinit është ende e hapur. Në manifestim, miliarderi mori si aprovim, është edhe fishkëllima.

Autor: Roman Gonçarenko/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica