1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Lëvizja e qytetarëve të Shqipërisë pa viza proces në monitorim

Dy muaj pas aplikimit të lëvizjes pa viza për qytetarët shqiptarë në zonën Shengen të BE-së statistikat flasin për një proces normal. Sipas ekspertëve kriza ekonomike dhe dimri nuk favorizojnë udhëtimet e qytetarëve.

default

Aeroporti i Tiranës

Autoritetet zyrtare në Shqipëri nuk e fshehin optimizmin se procesi i liberalizmit të vizave deri më tani është në kufijtë normalë. Shifrat për dy muajt e parë që kur qytetarët shqiptarë nisën të udhëtojnë pa viza drejt zonës Shengen të BE-së flasin vetë: Rreth 127 mijë qytetarë kanë kaluar kufirin, më shumë se 38 500 janë kthyer pas qëndrimit në vendet e BE-së, ndërkohë që vetëm 700 vetëve ju është refuzuar hyrja në pikat e kalimit kufitar. Sipas Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë një pjesë e mirë e atyre që u është refuzuar udhëtimi janë nga ata që kanë patur probleme me qëndrimet e mëparshme. Një dukuri që u vu re gjatë ditëve të para të zbatimit të procesit të liberalizmit është se rreth 600 qytetarë nuk u lejuan të hyjnë në territorin e Greqisë fqinje nga pika e kalimit kufitar të Kakavijes për motive të paqarta dhe të pargumentuara. Por pas datës 20 dhjetor 2010 kalimi nga kjo portë hyrëse drejt shtetit fqinj u normalizua.

Për dy muajt e parë të udhëtimit pa viza ka të paktën 17 raste kur qytetarët shqiptarë kanë kërkuar azil politik. Nisur nga statistikat e viteve të mëparshme kjo kuotë nuk tregon ndonjë fluks të ekzagjeruar. Shifra është modeste krahasuar me atë që ndodhi në muajt e parë me liberalizmin e vizave për qytetarët nga Serbia e Maqedonia.

Në prill priten rezultatet e monitorimit

Albanien Schengen Bilanz

Gledis Gjipali, drejtor i EMA, European Movement Albania

Lëvizja Evropiane në Shqipëri, EMA, është një organizatë joqeveritare që e monitoron nga afër udhëtimin pa viza të shqiptarëve në vendet e Shengenit. Drejtori i organizatës Gledis Gjipali shprehet për DW-në, se gjatë muajit maj pritet që të publikohet një raport zyrtar i Komisionit Evropian mbi ecurinë e procesit. “Por shifrat dhe premisat duken që janë pozitive, qytetarët shqiptarë janë treguar të përgjegjshëm. Kjo nuk do të thotë se fushata informuese për njerëzit nga autoritetet, media e shoqëria civile duhet të ndërpirtet. Ky është një proces ende në monitorim. Duhet pasur kujdes për të vazhduar me zbatimin e detyrimeve pa pasur azilkërkues, por duke pasur një kontroll të fortë e të hollësishëm nga autoritetet shqiptare për personat, të cilët mund të jenë subjekt i abuzimeve, dhe që janë më të predispozuar për të abuzuar me këtë liri të ofruar”.

Prof. Dr Zyhdi Dervishi, lektor i sociologjisë në Universitetin e Tiranës kujton se para 15 dhjetorit 2010 pati parashikime dhe rezultate testimesh, që flisnin për një fluks të jashtëzakonshëm të atyre që do të udhëtonin pa viza. Kjo krijoi një frikë e drojë tek vendet pritëse evropiane se mund të gjendeshin para situatave të vështira me kërkesat për azil ose qëndrime përtej kohës së lejuar. Por duke pasur parasysh bilancin faktik të dy muajve të parë, prof. dr Dervishi numëron një sërë faktorësh se përse udhëtimi pa viza nuk është shfrytëzuar deri më tani në masën që pritej. Sipas tij, kryesorja është kriza ekonomike, pamundësia financiare e qytetarëve për të ndërrmarrë udhëtimet jashtë vendit. Ende shqiptarët ndodhen nën efektin turbullues të krizës, thotë ai për DW-në: “Fakti që pjesa më e madhe e atyre që përfituan nga liberalizimi i vizave kanë qarkulluar me autobusë dhe me tragete e jo me linjat ajrore tregon se faktori ekonomik ka ndikimin e vet në ecurinë e largimit të shqiptarëve në vendet e Shhengenit. Procesi nisi në dimër, që nuk është shumë i përshtatshëm për udhëtime dhe pushime. Shumë njerëz që kanë nevoja për shërbime të specializuara shëndetësore mund ti kryejnë ato në Shqipëri, në klinika që kanë të njëjtat standarde si në vendet që frekuentoheshin deri dje, si në Greqi, Turqi, Itali etj. Mendoj se në pranverë, ose më pas në stinën e verës mund të ketë më shumë lëvizje të qytetarëve, për vetë prirjen e natyrshme për pushime ose udhëtime zbavitëse”.

Albanien Schengen Bilanz

Prof. Dr. Zyhdi Dervishi

Efektet psikologjike

Gledis Gjipali nga EMA shikon dhe elementë psikologjikë në këtë bilanc dy mujor të qarkullimit pa viza në shtetet e listës Shengen të BE-së nga ana e qytetarëve shqiptarë.

“Është një lloj skepticizmi nga njerëzit për arësye se procesi është zgjatur shumë në kohë. Ndaj dhe ata presin të sqarohen nëse është i vërtetë, a do të kenë probleme me ato që kërkohen në pikat e kalimit kufitar për të justifikuar qëllimin dhe destinacionin e udhëtimit. Këtë e konsideroj si stepje të fillimit, që do të kapërcehet nga përvojat pozitive të shumicës së atyre që e kanë shfrytëzuar tashmë të drejtën e lëvizjes pa viza”.

Nga Ministria e Brendshme në Tiranë nuk mungojnë dhe apelet në adresë të atyre që tashmë janë në territorin e vendeve të BE-së, që të jenë të kujdesshëm me afatet e qëndrimit. Duke qënë se dy muaj kanë kaluar, ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka kujtuar publikisht së fundi se duhet “të kujtohen se kanë dhe një muaj kohë për të mos qenë në shkelje të afateve. Afatet duhet të respektohen në mënyrë rigoroze.”, ka deklaruar Basha.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 22.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10M2z
  • Data 22.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10M2z