1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Lëvizja e protestës në Iran është ende gjallë

Dhjetëra mijëra vetë u solidarizuan të hënën në Iran me lëvizjen për demokraci në Egjipt dhe Tunizi duke protestuar kundër qeverisë. Forcat e sigurisë vepruan me forcë kundë demonstruesve.

default

Fotografi e marrë privatisht në demostratat kundër qeverisë pas zgjedhjeve të 2009-ës

Ai duhej të ishte një demonstrim i heshtur, në mbështetje të lëvizjes për demokraci në Egjipt dhe Tunizi. Opozita kishte kërkuar për të hënën (14.2.) lejen për mitingun përkatës, autoritetet iraniane e kishin refuzuar kërkesën.

Qeveria iraniane do që ta kanalizojë protestën në drejtimin e saj. Ajo e cilëson lëvizjen egjiptiane për demokraci një "revolucion islamik" dhe i kishte kërkuar opozitës në ditën e Revolucionit Islamik në Iran, që ishte më 11 shkurt, të merrte pjesë në demonstratat e organizuara nga shteti. Çdo tubim tjetër për të hënën ishte ndaluar rreptësisht.. Të hënën dëshmitarët treguan se në rrugët e Teheranit kishte prezencë të forcave të sigurisë.

NO FLASH Iran Tehran Proteste

Shumë opozitarë janë arrestuar

Një djalë i ri thotë për Deutsche Wellen: "Numri i milicëve është jashtë mase i lartë. Me sa duket kanë rekrutuar edhe fëmijë. Shikon shumë djem, rreth 10 apo 11 vjeç, që kanë shkopinj në duar, apo që kanë hipur në motoçikleta. Ato ndalojnë njerëzit dhe i pyesin se ku duan të shkojnë.”

Gaz lotsjellës kundër demonstruesve

Gjatë ditës u mblodhën megjithatë gradualisht shumë njerëz në rrugë dhe formuan grupe të vogla. Por përpjekja e tyre, për t'u bashkuar në një marshim proteste, dështoi. Në qendër të qytetit pati përleshje midis demonstruesve dhe forcave të sigurisë, të cilët vepruan me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome kundër demonstruesve. Një dëshmitar okular 70 vjeçar, i cili kishte mundur të gjente strehim në një shtëpi, tregon.

“Nuk merrja dot më frymë. Shumë njerëz janë ende në rrugë duke thirrur "Vdekje diktaturës." Policët qëndrojnë aty dhe vështrojnë, por milicët godasin njerëzit pa mëshirë me shkopinj elektrikë. Ata goditën edhe një grua të vjetër, që po kalonte buzë demonstratës. "

Udhëheqësit e opozitës të izoluar nga policia

Shumë iranianë kanë vendosur video të demonstratave në Youtube dhe Facebook. Faqja e internetit kaleme.com, e afërt me lëvizjen për reforma, njoftoi se edhe në qytetin qendror iranian Isfahan dhe në Shiraz, në jug të vendit ka patur tubime të ngjashme.

Udhëheqësit e opozitës Mir Hosein Musavi dhe Mehdi Karrubi nuk u lejuan as të hënën që të dilnin nga shtëpitë e tyre. Ata janë në arrest shtëpiak qysh javën e kaluar. Shumë politikanë të opozitës dhe bashkëpunëtorë të Musavit dhe Karrubit u arrestuan në ditët e fundit.

NO FLASH Unruhen in Iran

Dëshmitarët okularë treguan se të paktën tre demonstrues, të plagosur nga armë zjarri, u dërguan në spital

Lufta për demokraci vazhdon edhe në internet

Faqja e internetit kaleme.com njoftoi se të hënën policia e bllokoi hyrjen e shtëpisë të Musavit dhe paralizoi lidhjet e tij telefonike. Pak më vonë nuk ishte më e mundur as të hyje në kaleme.com, e bllokuar nga qeveria iraniane. Ajo preu edhe lidhjet e telefonisë celulare në disa zona të qytetit. Nga ana tjetër, hakerët e grupit "Anonymous" sulmuan faqet e internetit të qeverisë. Një ekspert i IT, i cili dëshiron të mbetet anonim thotë: "Agjencia iraniane e lajmeve IRIB.ir tani është e pakapshme. Ky ishte suksesi ynë më i madh në këtë natë. Por disa nga faqet pro-qeveritare të internetit janë të paprekshme. Si për shembull Rajanews.com, apo Farsnews.com. Faqe të tilla kanë një mbështetje të fortë nga Kanadaja, apo Austria, pavarësisht nga sanksionet kundër qeverisë iraniane. "

Të hënën në mbrëmje, agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve Farsnews, e cila është e afërt me gardën paramilitare revolucionare raportoi për arrestime të protestuesve. Opozita njoftoi të hënën për "një fitore të madhe dhe të papritur". Këshilltari i Musavit që jeton në Paris, Ardeshir Amir-Arjomand, i tha BBC se "lëvizja e protestës jeton dhe ne do të vazhdojmë."

Po në të njëjtën mbrëmje Amnesty International dënoi goditjen kundër demonstruesve paqësorë në Iran.

Autor: Shabnam Nourian/ Angelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 15.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10HJS
  • Data 15.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10HJS