1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Lëvizja e lirë e punëtorëve nga Rumania dhe Bullgaria dhe shqetësimet e Gjermanisë

Gjermania i përket vendeve të BE-së, të cilat e kanë kufizuar, aq sa ka qenë e mundur, ardhjen e punëtorëve nga Rumania dhe Bullgaria. Në Spanjë dhe Itali kjo çështje nuk shtrohet fare. Po pse?

default

Secili qytetar i Bashkimit Evropian ka të drejtë të lëvizë dhe të punësohet në çdo vend anëtar të këtij organizmi. Me anëtarësimin në BE, qytetarët e një vendi e fitojnë të drejtën që të punësohen në vendet e tjera anëtare, por jo menjëherë, sepse vendet e tjera mund të kufizojnë këtë të drejtë për një periudhë deri në shtatë vjet. Rumania dhe Bullgaria janë anëtarësuar në BE me 2007, që do të thotë se me 1 janar të këtij viti qytetarët e këtyre vendeve kanë fituar të drejtën që të punësohen kudo, pra edhe në Gjermani, Austri, apo në Britani të Madhe.

Kjo ka bërë që në Gjermani të kërkohen prej disa partive politike rregulla më rigoroze për ardhjen e punëtorëve nga këto vende. Debatin e ka ashpërsuar Partia Kristiansociale (CSU), e cila paralajmëron për "ardhjen e varfërisë". Kjo do të thotë se nga këto vende nuk do të vijë vetëm fuqi punëtore, por edhe shumë persona, që mund të kërkojnë ndihma sociale. Ngjashëm ka reaguar para ca javësh edhe kryeministri britanik David Cameron. Ai ka frikë nga një lloj "turizmi social".

Frika dhe mbrojtja

Debati në Gjermani përshkohet nga frika dhe dëshira për mbrojtje, thotë drejtori i Institutit për Studime të Migracionit dhe Studime Interkulturore nga Universiteti në Osnabrück, Andreas Pott, në një bisedë me DW. Në dallim prej vendeve të tjera, njerëzit në Gjermani kanë një qasje më të ngurtë në raport me migracionin.

Pamje si këto ngjallin frikë nga ardhja e varfërisë

Pamje si këto ngjallin frikë nga "ardhja e varfërisë"

Në Spanjë, ku sipas të dhënave të OECD prej vitit 2007 deri 2011 kanë shkuar rreth 51.000 bullgarë dhe 327.000 rumunë, një debat i tillë gati nuk ekziston fare, edhe pse papunësia atje është shumë më e lartë. As në Itali nuk ka një debat të tillë, ndonëse gati çdo i katërti migrant është me origjinë nga Rumania. Papunësia në Gjermani është rreth shtatë përqind. Ndërkohë që në këtë vend kanë ardhur deri tani vetëm 68.000 bullgarë dhe 107.000 rumunë. E megjithatë ka një debat më të gjërë. Po pse?

Një rol mund të luajë vetë fakti që mes rumunëve dhe italianëve, apo spanjollëve dhe italianëve ka një ngjasi gjuhësore, ndërsa me gjermanët jo. Por vendimtare konsiderohet fuqia ekonomike, sepse kjo temë është më akute për vendet ekonomikisht më të fuqishme se sa më të dobëta. "Në Itali dhe Spanjë momemtalisht është shumë vështirë të gjesh një vend pune. Atje ku nuk ka punë, është më i vogël edhe numri i atyre, që shkojnë për të kërkuar punë", thotë eksperti i OECD, Thomas Liebig. Në anën tjetër, në Gjermani kërkohen punëtorë nga vendet e tjera, pra mund të pritet që numri i atyre, që vijnë në këtë vend, të jetë shumë më i madh.

Eksperti i OECD, Thomas Liebig

Eksperti i OECD, Thomas Liebig

Por masat që do të ndërmarrë një vend për mbrojtje, varen edhe nga pozita gjeografike. "Në kohën e valës së anëtarësimit të vendeve të reja në BE në vitin 2004 Gjermania dhe Austria i kanë mbajtur më gjatë kufizimit në kufi me vendet e tjera anëtarë", thotë Liebig. Në vitin 2004 në BE janë anëtarësuar Estonia, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria dhe Qipro.

Edhe në atë kohë ka pasur në Gjermani një debat të nxehtë për ardhjen e mundshme të migracionit të varfër. Por debatet e tilla duket se nuk janë me vend, sepse liria e kërkimit të punës në gjithë territorin e BE nuk do të thotë automatikisht edhe liri e qasjes në sistemet sociale. E drejta e kërkimit të një vendi pune do të thotë se një person ka të drejtë të qëndrojë në vendin tjetër vetëm tre muaj, për të kërkuar punë. Sipas të drejtës së BE ky person nuk ka të drejtë për mbështetje sociale. Ndërkohë që vetë vendet anëtare vendosin, nëse një personi i takojnë, apo jo ndihmat sociale.

Tregu i punës përfiton

Edhe pse rumunët dhe bullgarët i takojnë grupit të popujve, që nuk frikësohen nga emigracioni, ekspertët thonë se një valë e madhe e migrantëve në Gjermani, apo në Austri nuk mund të pritet. Situata do të jetë e ngjashmë më atë të vitit 2011, kur është hapur tregu i punës për polakët. Shumë polakë të shkolluar në atë kohë kaherë kishin kërkuar punë në vendet e tjera.

Andreas Pott thotë se Gjermania e ka humbur rastin që në vend të sjellë ekspertë. "Kufizimet e Gjermanisë ndaj punëtorëve polakë kanë bërë që shumë ekspertë polakë, për të cilët Gjermania ka pasur nevojë, kanë shkuar në Britani të Madhe", pohon eksperti.

Liebig shpjegon se në Gjermani në vitin 2004 është futur në fuqi reforma Hartz, e cila parashikonte angazhimin, që migrantëve t'u ndihmohet të gjejnë ndonjë vend pune. "Kjo ka dhënë rezultate të mira, ndërsa tani hapen mundësi për ardhjen e punëtorëve të tjerë". Ai është i bindur se në fund të gjithë mund të përfitojnë. "Lëvizjet e tilla varen në masë edhe nga nevoja në tregun e punës në një vend. Njerëzit shkojnë atje, ku ka nevojë për fuqi punëtore dhe nga kjo mund të përfitojë i gjithë tregu evropian i punës", pohon ai.