1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Lëngata e gjatë e një ikone amerikane- Rrënimi i GM shënon fundin e një tradite industriale

Në Detroit, ku ndodhet qendra e koncernit, lindi klasa e mesme amerikane - falë industrisë së automobilëve. Detroiti atëherë konsiderohej modern, shik, ishte qyteti i motorëve.

default

Selia qendore e General Motors në Detroit

General Motors ka në SHBA një rëndësi të ngjashme me atë, që ka patur për Gjermaninë prodhuesi i çelikut Krupp. GM është simbol i një industrie të fortë, një koncerni të suksesshëm. Detroiti, atdheu i GM-it, për dekada me radhë ishte simboli i këtij suksesi. Industria e prodhimit të automjeteve konsiderohej si nëna e klasës së mesme amerikane. Ajo mbështetej nga një sindikatë e fortë, e cila nuk i lejonte shefat e koncernit t'u hanin hakun punëtorëve.

Ato ishin kohë të mira! Në vitin 1933 General Motors ishte vetëm një çerek shekulli i vjetër dhe e quante veten: "Triumfi i Amerikës!"

"Asnjë industri nuk i paguan punëtorët e saj aq mirë sa Chevrolet. Qytete të tëra kanë lindur përreth fabrikave tona", thuhet në spotin publicitar. Dhe kjo ishte e vërtetë. Chevrolet, një nga markat e makinave të koncernit General Motors personifikonte atëherë pushtetin: pasurinë, suksesin, ishte simbol i forcës.

Automesse Detroit Chevrolet Camaro Bumblebee

Chevrolet Camaro Bumblebee i GM prezantohet në panairin në Detroit, janar 2008

Në Detroit, ku ndodhet qendra e koncernit, lindi klasa e mesme amerikane - falë industrisë së automobilëve. Me pagat e mira punëtorët e fabrikës realizonin ëndrrën e tyre për shtëpinë e vet, të paktën një makinë amerikane ishte e parkuar përpara derës. Detroiti atëherë konsiderohej modern, shik, ishte qyteti i motorëve. Dhe kompania diskografike "Motown" kontribuon në mitin e qytetit:

"Temptations", Stevie Wonder, "The Supremes" – janë emblemat muzikore të qytetit të motorëve. Muzikë e zezë, shqeto dhe intensive. Motown ishte njëra nga etiketat e Detroitit, Rock City një tjetër:

Por pastaj ëndrra amerikane filloi të ngecte. Në tregun amerikan hyjnë makina të konkurrencës. Problemet e cilësisë, politika e gabuar në zgjedhjen e modeleve dhe kostot tepër të larta të prodhimit rëndojnë mbi GM-in. Në vitet '80 fillon rënia e ikonës së automobilëve në SHBA:

General Motors Präsident Fritz Henderson gibt Stellenabbau bekannt

Presidenti i General Motors Fritz Henderson njofton shkurtimin e vendeve të punës 27 prill 2009.

Dhjetëra mijëra vende pune shkurtohen, mbyllen fabrika të tëra, por të gjithë shpresojnë për një kthim të shkëlqimit të kohëve të vjetra. Muzika pasqyron gjithnjë e më shumë kushtet e vështira të jetesës në qytetin industrial në rrënim:

Në qendër të Detroitit gjenden ende pesë kullat me zyra të General Motors. Por vetëm pak kilometra më tutje syri të sheh radhë të tëra ndërtesash industriale bosh, dyqane pijesh alkolike, shitore mallrash të lira dhe dyqane, ku mund të merret kredi duke lënë peng sende me vlerë.

Në një pallat prej qelqi direkt buzë lumit Detroit, ndodhen zyrat shoqërisë së Detroitit për zhvillimin e ekonomisë. Në katin e 19-të shefi i saj Richard Blouse nuk pranon në asnjë mënyrë ta shohë Detroitin si një qytet industrial, që jep shpirt, të kapluar nga droga dhe pa perspektivë:


"Këtu gjendet truri i industrisë së automobilëve!" - thotë ai dhe numëron industritë alternative, që mund të vijnë në qytet: prodhues të gjeneratorëve të energjisë nga era, bioteknologjia, specialistë të logjistikës dhe transportit, prodhues instrumentash. Blouse paguhet, që të mendojë pozitivisht.

Por atmosfera tek ish punonjësit e GM-it është prej kohësh e zymtë.

Qyteti, që dikur rritej përreth fabrikave të makinave, tani po tkurret. General Motors, superfuqia e dikurshme e industrisë së automjeteve, rrezikohet nga ilikuiditeti.

Autor: Jens Borchers/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 29.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I02Z
  • Data 29.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I02Z