1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Lëkundje të reja pas tërmetit trondisin Italinë qendrore - Vazhdon kërkimi i të mbijetuarve

Një ditë pas tërmetit forcat e shpëtimit ende kërkojnë të mbijetuarit. Shumë lëkundje të reja toke u bënë pengesë për punimet e shpëtimit. Deri tani rreth 100 të mbijetuar janë nxjerrë nga gërmadhat.

default

Edhe natën vazhdon kërkimi i të mbijetuarve

Mijëra njerëz e kaluan natën në makina, apo kampe me çadra për shkak të lëkundjeve të tokës pas tërmetit.

"Ne jemi abrucezë, jemi të fortë dhe të fuqishëm dhe këtë situatë do ta përballojmë me forcën, që na karakterizon ne abrucezët."

Gianni Chiodi është president i rajonit të Abrucos. Kurajo dhe forcë për të rezistuar kërkon të ngjallë ai tek bashkëqytetarët në natën e parë pas një tërmeti, që njëzëri nga të mbijetuarit u konsiderua më i rëndi. Frika vazhdon, pak pas mesnate ndihet sërish një lëkundje e qartë e tokës. Në pesë lokalitete të qytetit Lakuila janë ngritur qindra çadra, kuzhina emergjence dhe tualete lëvizëse. Franco Albanesi drejton misionin e shpëtimit në Ona, një komunë në hyrje të L´Akuilës, e cila është shkatërruar thuajse plotësisht nga tërmeti.

Erdbeben in Italien Hunderte Menschen vor einem Zeltlager

Njerëzit kalojnë natën në kampe dhe çadra

"Na u desh të pajisim me krevate edhe çadrën e shpërndarjes së ushqimit. Ende mungojnë çadra dhe na duhet t'i strehojmë njerëzit. Edhe këtu në Ona shifrat nuk përputhen. Disa thonë se të humburit janë dy tre, por të tjerë thonë se mungojnë akoma rreth 40 vetë. Por të gjitha këto janë zëra, ende nuk kemi shifra të sigurta e të sakta. Ende nuk e dimë, por gjatë ditës situata do të bëhet më qartë.“


Bilanci i bërë gjatë natës flet për më shumë se 100 vetë të nxjerrë nga gërmadhat nga forcat e shpëtimit. Qentë e shpëtimit dërgohen menjëherë atje, ku mendohet se ende dëgjohen zhurma që japin shenja për të mbijetuar. Janë paraqitur një numër i madh ndihmësish vullnetarë, psikologët përpiqen t'u vijnë në ndihmë njerëzve në gjendje shoku.

Reagim shumë i shpejtë i forcave të shpëtimit

Zerstörung durch das Erdbeben in L'Aquila Italien

Pjesa më e madhe e dëshmitarëve okularë dëshmojnë një reagim shumë të shpejtë të forcave për mbrojtjen nga katastrofat. Ekipe shpëtimi nga të gjitha anët e vendit kanë ardhur në rajonin e goditur nga tërmeti dhe të tjerë janë rrugës. Të gjitha mediet e vendit kanë bërë thirrje për mbledhje ndihmash për të dëmtuarit. Debatet vazhdojnë në skenën e sizmologëve rreth një paralajmërimi të bërë pak përpara tërmetit të rëndë. Por paralajmërimi nuk ishte i saktë as për kohën dhe as për vendin, ai vetëm iu përafrua ngjarjes së vërtetë. Dhe kjo nuk ndihmon shumë, kur dihet se e gjithë Italia konsiderohet si e rrezikuar nga tërmetet. Presidenti i rajoni të Abrucos Chiodi ngriti megjithë akuzën se paralajmërimi ishte injoruar. Por shefi i autoritetit kombëtar për mbrojtjen nga katastrofat, Guido Bertolaso thotë:


"Të gjithë ekspertët me emër dhe specialistët e sizmologjisë në vend i kanë analizuar informacionet dhe sinjalet e regjistruara dhe kanë arritur në përfundimin se nuk është konstatuar asnjë situatë e parashikueshme tërmeti, për të cilën të kishte sinjale më të forta se zakonisht. Regjistrimet sizmike nuk ishin të besueshme dhe si rrjedhojë nuk kishte as një sinjal tekniko-shkencor për vendin e rrezikut."

Tronditje të lehta përpara tërmetit, të cilat ishin ndjerë nga disa banorë të zonës, janë thuajse të përditshme në atë zonë, por nuk përbëjnë një sinjal.

Kryeministri italian Silvio Berlusconi kërkoi edhe një 1000 trupa të ushtrisë dhe ministria e mbrojtjes reagoi menjëherë. Roma kërkon të dëmonstrojë vendosmëri për të vepruar. Njerëzit, që mbijetuan, por që kanë mbetur të pastrehë, e njohin historinë e atyre, që e kanë patur më parë këtë fat të keq dhe që për vite me radhë kanë mbetur pa banesë fikse. Politika në Itali për momentin i ka ndërprerë polemikat, pasi skuadrat e shpëtimit ende gërmojnë në gërmadha në kërkim të të humburve.

Autor: Gregor Hoppe/Eliana Xhani

Redaktor: Angjelina Verbica


  • Data 07.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HRqi
  • Data 07.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HRqi