1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lëndohen ushtarë të KFOR-it gjatë aksionit për heqjen e barrikadave në Veri

20 Tetor 2011

Në orët e hershme të mëngjesit KFOR-i nisi aksionin për heqjen e barrikadave në disa nga rrugët e veriut të Kosovës. Gjatë këtij aksioni janë lënduar edhe ushtarë të trupës ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/12vjR
KFOR heq barrikadat
KFOR heq barrikadatFotografi: dapd

Të paktën tetë ushtarë të forcave paqeruajtëse janë lënduar gjatë aksionit të sotëm për heqjen e barrikadave të vëna nga serbët në veri të Kosovës, konfirmojnë për DW, zyrtarë nga zyra për informim e KFOR-it. Njoftohet se njëri nga ushtarët e KFOR-it është lënduar nga gazi lotsjellës gjatë përpjekjes për të shpërndarë serbët, një tjetër nga tymi i madh, ndërsa gjashtë të tjerët nga mjetet për shuarjen e zjarrit.

Forcat paqeruajtëse të NATO-os, sot në mëngjes nisën aksionin për heqjen e barrikadave në disa nga rrugët e veriut të Kosovës të cilat çojnë në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak. Një zëdhënës i KFOR-it, Uve Novicki, thotë se operacioni i deritashëm ka rezultuar i suksesshëm. Ai konfirmon se KFOR-i ka kontroll të plotë në pikat kufitare dhe se kontrollon të gjitha kalimet në kufirin me Serbinë. Deri tani KFOR-i ka arritur të largojë barrikadën në hyrje të fshatit Zupq, e cila ka qenë e betonuar si dhe një barrikadë në fshatin Jegenicë, në rrugën Zvecan-Zubin Potok.

Mediet serbe njoftojnë se në orët e hershme të mëngjesit presidenti Serb Boris Tadic, u kërkoi serbëve në veri të Kosovës të mbesin të qetë, ndërsa NATO-s i kërkoi t'i shmanget përdorimit të dhunës. “Liderët e serbëve lokalë në veri do të duhej të punonin vetëm në interesin e njerëzve dhe jo nën ndikimin e disa partive politike serbe”, citohet të ketë thënë presidenti Boris Tadiq.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi