1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

181108 EU Freizügigkeit

Christoph Hasselbach19 Nëntor 2008

Kufizimet e lëvizjes për fuqinë punëtore nga Evropa Lindore do të hiqen më parë nga sa ishte planifikuar. Kjo kërkohet nga Komisioni i BE-së në një raport mbi migracionin e punës pas zgjerimit në Lindje të Unionit.

https://p.dw.com/p/Fy29
Pamje simbolike. Një punëtor spanjoll fabrike në GjermaniFotografi: AP

Komisari i BE-së për çështjet sociale, Vladimir Spidla, ka kërkuar hapje të plotë të tregut të punës në Gjermani për evropiano-lindorët. "Unë shpresoj që të gjitha vendet anëtare do të hapin tregjet e tyre të punës", deklaroi çeku dje (18.11.) në paraqitjen në Strasburg të një raporti mbi lëvizjet migratore pas zgjerimit në Lindje të BE-së. Me përjashtim të Gjermanisë, Austrisë, Belgjikës dhe Danimarkës të gjithë vendet e tjera perëndimore të BE-së kanë hapur tregjet e tyre për qytetarët nga shtetet evropiano-lindore që u anëtarësuan në vitin 2004.

Frika e evropianëve nga lindorët

Kur në vitin 2004 dhjetë vende të reja hynë në BE, shumë njerëz në vendet e vjetra anëtare nuk ndien vetëm gëzim. Ata kishin frikë se një armatë fuqie e lirë punëtore nga Lindja do të vërshonte në këto vende, do t'u merrte vendet e punës dhe do të shkaktonte uljen e nivelit të pagave. Shumë vende, ndër to edhe Gjermania, kërkuan dhe arritën vendosjen e kufizimeve për hyrjen e fuqisë punëtore nga Lindja në tregjet e tyre. Por kjo është e papajtueshme me rregullat e tregut të brendshëm të BE-së.

EU-Sozialkommissar Vladimir Spidla China soziales Sicherheitssystem
Vladimir SpidlaFotografi: AP

Komisari i BE-së për çështjet sociale Vladimir Spidla vjen vetë nga një prej anëtarëve të rinj, nga Çekia. Pak pas marrjes së postit në vitin 2004 ai ishte përpjekur t'ua hiqte këtë frikë gjermanëve: "Migracioni ekonomik është një proces i natyrshëm dhe për Evropën është shumë e rëndësishme ta manaxhojë mirë këtë proces."

Thirrje për heqjen e kufizimeve

Por Gjermania, Austria dhe vendet e tjera deri tani i janë përmbajtur këtyre kufizimeve. Më e vonta deri në vitin 2011 ata mund t'i mbajnë larg punëmarrësit nga Polonia, Çekia dhe Hungaria, dhe deri në vitin 2013 ata nga Rumania dhe Bullgaria. Spidla tani ka bërë sërisht thirrje që të hiqet dorë vullnetarisht nga këto kufizime. Posaçërisht për Gjermaninë ai ka këtë mesazh: "Raporti ynë tregon fare qartë që të gjitha vendet që janë treguar të hapur nuk kanë vërtet probleme. Nga pikëpamja ekonomike ka qenë një sukses i vërtetë."

Spargel Polnischer Arbeiter auf dem Bauernhof
Polak që punon në GjermaniFotografi: DW/Alexandra Jarecki

Në disa raste, në vendet pranuese kanë munguar banesat apo vendet në kopshtet e fëmijëve, por në tregun e punës apo nivelin e pagave ndikimi i kësaj fuqie punëtore nuk ka qenë negativ. Qeveria gjermane ndërkohë po ndeshet me problemin e kundërt. Në Gjermani mungon fuqia e specializuar e punës. Megjithatë Berlini i ka zbutur kufizimet vetëm për disa profile të inxhinierisë. Por pikërisht punonjësit shumë të kualifikuar e shmangin Gjermaninë. Pengesat janë relativisht të larta në krahasim me vende si Britania e Madhe apo Irlanda pa folur për vendet jashtë Evropës. Britania e Madhe dhe Irlanda patën hequr dorë që në fillim nga kufizimet dhe tërhoqën një pjesë të mirë të fuqisë së specializuar nga Lindja, veçanërisht nga Polonia. Me fillimin e krizës ekonomike shumë prej tyre rikthehen në atdhe.


Në fund Spidla foli për çështje parimore. Si çek me përvojën e komunizmit ai thekson fort lirinë si tipar karakteristik të demokracisë: "Liria e lëvizjes është sigurisht një vlerë. Natyrisht në momente të caktuara liria mund të kufizohet, por për këtë duhen vërtet arsye shumë të mira." Këto arsye Spidla nuk i sheh aktualisht në asnjë prej vendeve anëtare.

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë