1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Ky nuk është turizëm fetar" - Papa Benedikti viziton Gjermaninë

Papa Benedikti i XVI-të, mbërriti sot në vizitën e tij të parë shtetërore në Gjermani. Në aeroportin Berlin-Tegel ai u prit nga presidenti gjerman Christian Wulff dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Papa me kancelaren Merkel

Papa me kancelaren Merkel

Himni i Vatikanit do të luhet në ardhjen e Papës të enjten (22.09). Për herë të tretë tashmë për Joseph Ratzingerin, i cili vizitoi Këlnin në vitin 2005 në Ditën Botëre të Rinisë dhe në vitin 2006 vendlindjen e tij në Bavari. Por këtë herë ai shkon në kryeqytet, për herë të parë zyrtarisht për vizitë. Megjithatë, kjo nuk është vizitë shtetërore, sepse ka dallime të vogla në protokoll. Pas takimeve me presidentin dhe kancelaren Papa do të mbajë një fjalim para parlamentit. Për herë të parë për një Papë. Dhe kjo e gëzon kryetarin e Konferencës ipeshknore gjermane, kryepeshkopin Robert Zollitsch nga Freiburgu: "Ne gëzohemi, që Papa vjen në Gjermani për një vizitë zyrtare. Dhe ne me siguri do ta mirëpresim."

Por papën nuk do ta mirëpresin të gjithë

Gjermania pret Papën

Gjermania pret Papën

Rreth 100 delegatë nga grupet parlamentare të PSD, të të Gjelbërve, dhe të Majtës do të largohen gjatë fjalës së Papës, sepse ato mendojnë se udhëheqësit fetarë nuk duhet të dalin para parlamentit. Hans-Kristian Strëbele, deputet i të Gjelbërve thotë: "Nëse tani fillojmë të nderojmë liderët kishtarë dhe udhëheqësit e komuniteteve fetare në Bundestagun gjerman, ku do të na çojë kjo?"

Në një demonstratë kundër moralit seksual të kishës katolike, sipas organizatorëve, do të marrin pjesë 20.000 njerëz në qendër të Berlinit , në mesin e tyre deputeti homoseksual i Bundestagut, Volker Beck, i të Gjelbërve: "Në aspektin e të drejtave të njeriut dhe në çështjet e politikës seksuale, ai nuk i përgjigjet asaj, që kërkon kushtetuta jonë nga politika. Kundërshtimi këtu është legjitim dhe se si shprehet ai, secili duhet ta vendosë vetë."

Kryepeshkopi Zollitsch në parim nuk ka kundërshtim kundër protestave kundër fjalimit në parlament: "Zoti kryetar i parlamentit e ka ftuar Papën. Kjo ishte iniciativë e tij. Dua të them se ku ka diversitet mendimesh, që është pjesë e demokracisë, është më mirë që ta dëgjosh së pari tjetrin e të ballafaqohesh objektivisht me të. Por duhet respektuar, nëse dikush thotë, se unë dua të shpreh mendimin tim në këtë mënyrë."

Katër mesha të mëdha

Gjermania pret Papën

Gjermania pret Papën

Numri i përkrahësve të Papës është shumë më i madh se ai i kundërshtarëve të tij. Për katër meshat në ajër të hapur në Berlin, Erfurt, Freiburg, kanë njoftuar se do të marrin pjesë 250.000 vetë. Edhe stadiumi olimpik në Berlinin më shumë protestant dhe ateist, është rezervuar i tëri. 80.000 bileta janë shpërndarë, bën të ditur konferenca ipeshknore gjermane. Papa Benedikti sipas fjalëve të tij, gëzohet sidomos për një takim me udhëheqësit e kishës protestante në Gjermani, dhe pikërisht në manastirin e Erfurtit, ku ka punuar reformatori, Martin Luther, dikur si murg katolik. Biseda në mes protestantëve dhe katolikut më të lartë, do të çojë përpara ekumenizmin, pajtimin e dy besimeve, gati 500 vjet pas ndarjes. Benedikti i XVI tha për këtë në kanalin televiziv gjerman ARD:

"Ne nuk presim sensacione të mëdha. Me të vërtetë e madhja këtu është, që se së bashku mendojmë në këtë vend, dëgjojmë dhe lusim fjalën e zoti, dhe kështu jemi të lidhur me njëri-tjetrin, kjo është me të vërtetë ikumeni."

Forcimi i ekumenizmit një nga qëllimet e vizitës

Nga zemra e reformacionit, nga Thuringia, Papa do të flasë për ribashkimin e Gjermanisë. Dhe ai nderon në Freiburg ish-kancelarin Helmut Kohl për meritat e tij për ribashkimin me një audiencë private. Laikët katolikë dhe kleri presin nga Papa edhe një fjalë sqaruese, për rastet e vjetra, por të zbuluara së voni, të abuzimit seksual në institucionet katolike. Në SHBA dhe Britaninë e Madhe Papa është takuar me viktimat e abuzimit. Kjo do të bëhet edhe në Gjermani. Koha dhe vendi i takimit nuk janë të njohura ende. Hannelore Bartscherer është kryetare e komisionit të katolikëve në Këln.

Bundespraesident Christian Wulff (Mitte, r.) und dessen Frau Bettina Wulff begruessen am Donnerstag (22.09.11) in Berlin Papst Benedikt XVI. vor dem Schloss Bellevue. Foto: Nigel Treblin/dapd

Papstbesuch in Deutschland 2011 Berlin Flash-Galerie

"Unë mendoj se është e nevojshme që papa të thotë diçka. Viktimat presin thjesht, që ai herë pas here të shprehet hapur për këtë çështje."

"Ku është Zoti, aty është e ardhmja"

Në Eichsfeld, një ishull i vogël katolik në Gjermaninë qëndore, përndryshe protestante, Papa do të celebrojë një meshë në një kishëz të shën Marisë pranë Erfurtit në mes të një fushe. 60 000 vetë kanë njoftuar se do vijnë, një sfidë logjistike për policinë, për sipërmarrjet e transportit urban dhe ndihmën e shpejtë. Vetëm njëri vjen me helikopter: Benedikti XVI. 84 vjeçari ka një itinerar tepër të ngushtë dhe përfundon udhëtimin në Freiburg, në dioqezën e vendlindjes te kryepeshkopit Robert Zollitsch, me një shërbim të madh fetar dhe një fjalim në sallën e koncerteve. 20 stacione televizive nga e gjithë bota do të transmetojnë drejtpërdrejtë, udhëtimin e papës në vendlindjen e  tij. Megjithë bujën e madhe Joseph Ratzinger këmbëngul të theksojë karakterin fetar të udhëtimit të tij, ai dëshiron t'u japë guxim rreth 25 milionë katolikëve në vendlindjen e tij, për ta jetuar besimin, pavarësisht nga kritikat, pavarësisht nga mungesa e priftërinjve dhe tkurrja e bashkësive:

"E gjitha kjo nuk është turizëm fetar, dhe aq më pak një shfaqje. Përse është fjala e thotë motoja e këtyre ditëve: "Ku është Zoti, aty është e ardhmja"

 

Autor: Bernd Riegert / Angelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama

 

DW.COM