1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kuvendi i Kosovës votoi PRO themelimit të Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte. Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Deputetët e parlamentit të Kosovës miratuan me 03.08. me shumicë votash ndryshimet kushtetuese, që tash e tutje mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte. Pas një seance maratonike që nga mëngjesi, pro themelimit të Gjykatës Speciale votuan 82 deputetë, 5 ishin kundër dhe një abstenoi. Amendamentin për ndryshimin e kushtetutës, që mundëson themelimin e Gjykatës Speciale, e prezantoi para deputetëve kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ai tha se partneriteti i Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare është i nevojshëm dhe mbi këtë bazë Kosova duhet t'u përgjigjet obligimeve ndërkombëtare dhe një nevoje për të dëshmuar luftën e pastër dhe të drejtë, që zhvilloi UÇK-ja.

"Një sfidë, që Kosova duhet ta kalojë"

“Është detyrimi moral, që Kosova ka ndaj partnerëve ndërkombëtarë sidomos atyre, që ndihmuan çlirimin e vendit dhe pavarësinë, si SHBA dhe vendet e BE-së, që e konsiderojnë të nevojshme formimin e Gjykatës Speciale. Kosova nuk mund të qëndrojë e izoluar”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke shtuar se zbardhja e të vërtetës është një sfidë, që Kosova duhet ta kalojë.

Edhe zëvendës-kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, i ftoi deputetët që ta votojnë Gjykatën Speciale, sepse në votimin për Gjykatën pesë javë më parë ishin pikërisht disa deputetë të partisë së zotit Thaçi, PDK, që votuan kundër Gjykatës.

Partitë politike opozitare kundërshtuan

Partitë politike opozitare e kundërshtuan riprocedimin e amendamenteve në kuvend për themelimin e Gjykatës Speciale. Glauk Konjufca, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se kuvendi i Kosovës një muaj më parë i tha jo themelimit të Gjykatës Speciale dhe ai vendim duhet të jetë i plotfuqishëm.

“Një vendim i Kuvendit të Kosovës është i plotfuqishëm dhe që është vullnet i deputetëve të zgjedhur të popullit, vendim që e ka rrëzuar Gjykatën Speciale në votimin e fundit. Tash, me riprocedimin e Gjykatës Speciale në Kuvend, mendoj se qeveria po e fut pushtetin politik në Kosovë në një cikël të ri, të cilin unë do ta quaja diktaturë e Qeverisë në Kosovë. Shtetet demokratike dhe moderne funksionojnë vetëm me rregulla të shkruara”, tha deputeti Glauk Konjufca.

Kundër themelimit të Gjykatës Speciale ishin tri partitë politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën. Opozita kosovare thotë se themelimi i Gjykatës Speciale nga kuvendi i Kosovës dhe që udhëhiqet krejtësisht nga autoritetet ndërkombëtare, përbën cenim të rendit kushtetuese dhe krijon sistem paralel të drejtësisë. Sipas tyre nuk ka asnjë rast të vetëm në botë që në këtë mënyrë është themeluar një Gjykatë e tillë.

Përfaqësuesit e opozitës propozuan miratimin e një rezolute për dënimin e krimeve të luftës në Kosovë gjatë viteve 1998 -1999, përkatësisht siç thuhet gjenocidin, që ka ushtruar Serbia në Kosovë. Kjo rezolutë nuk siguroi votat e mjaftueshme që të futet si pikë e parë e rendit të ditës për sot.

Udhëheqësit e opozitës thonë se nuk janë kundër një gjykate për krime lufte, por kërkojnë që ajo të jetë gjithëpërfshirëse, dhe jo të gjykojë vetëm pjesëtarë të UCK-së.

Në seancën, që u votua themelimi i Gjykatës Speciale, në cilësinë e mysafirëve ishin pothuaj të gjithë ambasadorët në Kosovë të vendeve më të industrializuara. Ka muaj të tërë që në prononcime të ndryshme përfaqësuesit diplomatikë vazhdimisht kërkonin nga kuvendi i Kosovës që vetë ta themelojë Gjykatën Speciale, sepse në të kundërtën këtë do ta bëjë Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Parlamenti i Kosovës më datë ( 26.06 ) për herë të parë dështoi ta themelojë Gjykatën Speciale, për faktin që ndryshimet kushtetuese, që do ta mundësonin themelimin e Gjykatës nuk morën dy të tretat e votave të nevojshme të deputetëve nga 120 deputetë, sa i ka kuvendi i Kosovës.

Pas nënshkrimit të ligjit Gjykata Speciale mund të nisë punën

Sidoqoftë, tash pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, që e mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale, qeveria e Kosovës menjëherë do ta shqyrtojë ligjin, siç quhet për dhomat e specializuara dhe serish do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme të kuvendit për ta miratuar ligjin. Ky ligj më pas duhet të nënshkruhet nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe pas nënshkrimit të ligjit, Gjykata Speciale për krime lufte mund të cilësohet funksionale dhe të nisë punën.

Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale, apo siç do të emërohet me ligj si “Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar”, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UCK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organeve të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Një prokuror amerikan Clint Williamson, tashmë ka kryer një hetim të gjerë rreth këtyre pretendimeve. Kjo gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte. Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.