1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kuvendi i Kosovës: rezolutë për mbikqyrjen

Rezoluta e kuvendit të Kosovës, u miratua vetëm një javë pas takimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili konstatoi se viti 2012, duhet të shënojë edhe fundin e mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Pamje nga Kuvendi i Kosovës

Pamje nga Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtzakonshme, miratoi të martën një rezolutë, sipas së cilës parlamenti i Kosovës merr të gjitha obligimet për heqjen e mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Rezoluta e kuvendit të Kosovës, u miratua vetëm një javë pas takimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili konstatoi se në përgjithësi në Kosovë janë përmbushur obligimet që dalin nga pakoja e Marti Ahtisarit dhe për rrjedhojë, viti 2012, duhet të shënojë edhe fundin e mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës nga faktori ndërkombëtar.

Rezoluta miratohet me 83 vota për dhe 13 kundër

Në foto, Adem Grabovci

Në foto, Adem Grabovci

Deputetët e kuvendit të Kosovës me 83 vota për dhe 13 kundër miratuan tekstin e rezolutës. "Duke njohur përparimin që ka bërë Kosova në vitet që nga shpallja e pavarësisë dhe përparimin që do vazhdojë ta bëjë, duke mirëpritur vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për të synuar përmbylljen e mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës gjatë vitit 2012 dhe duke besuar se Kosova është e gatshme të pranojë vendin meritor në mesin e vendeve të pavarura të botës...", tha shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci i cili kërkoi nga deputetët që të miratojnë rezolutën.

Rezoluta fton Qeverinë e Kosovës, anëtarët e Grupit Ndërkombëtar Drejtues dhe Përfaqësuesin Ndërkombëtar Civil që me prioritet të përgatisin dhe miratojnë legjislacionin i cili është i nevojshëm për të kompletuar zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës (Planin e Ahtisarit) si dhe të hartojë të gjitha amendamentet e nevojshme kushtetuese dhe legjislacionin shtesë për t'ia paraqitur këto kuvendit, jo më vonë se katër javë nga data e nxjerrjes së kësaj rezolute.

Rezoluta e kuvendit kundërshtohet nga Lëvizja Vetvendosja

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Teksti i rezolutës, u kundërshtua nga lëvizja Vetvendosja, e cila thotë se kuvendi i Kosovës me këtë rezolutë paraprakisht obligohet që të miratojë ligje që kërkohen nga pakoja e Marti Ahtisarit në mënyrë të përshpejtuar, pa u diskutuar si duhet në kuvendin e Kosovës. Kjo mënyrë e miratimit të ligjeve, sipas përfaqësuesve të Vetvendosjes nuk përkon me demokracitë parlamentare.

Rezoltën e miratuar të martën në kuvendin e Kosovës, e përshëndeti shefi i zyrës civile ndërkombëtare Peter Faith, e cili shpreh gatishmërinë e tij për ta ndihmuar me konsultime qeverinë dhe kuvendin e Kosovës në amandamentimin e kushtetutës e cila do ta përcaktojë përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur.

Peter Faith mbështet rezolutën e kuvendit të Kosovës

Në foto, Peter Faith

Në foto, Peter Faith

“Pajtohem plotësisht me thirrjen që bëhet në rezolutë për unitet në mesin e popullit, forcave politike dhe udhëheqësve të tyre në ecjen tonë përpara. Besoj se kjo duhet zbatuar në të dy drejtime. Në zbatimin e plotë të planit gjithpërfshirës të presidentit Marti Ahtisari dhe në përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur”, thotë Peter Faith në një deklaratë të shkruar. Sipas tij, nëse konsensusi kombëtar ruhet gjatë gjithë kësaj kohe, kjo do të dërgonte një mesazh të fuqishëm për qëndrueshmërinë e reformave dhe zbatimin e tyre dhe rrjedhimisht do ta forconte reputacionin dhe kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës si një shtet modern evropian.

Edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, thotë se përmbyllja e fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë shënon një sukses të përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare, të institucioneve të Kosovës.

Kosova do ta vendosë ligjshmërinë edhe në veri të Kosovës

Në foto, Afitete Jahjaga

Në foto, Afitete Jahjaga

“Periudhën deri në përmbyllje të misionit të Zyrës Civile Ndërkombëtare, institucionet e Republikës së Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare do ta shfrytëzojnë për ndërtimin e një qasjeje të përbashkët, për konkretizimin e përgjegjësive dhe përcaktimin e bartësve të proceseve në mënyrë që kjo fazë e tranzicionit të zhvillohet dhe të përfundoj me sukses. Kjo siguron përmbushjen e plotë të obligimeve që dalin nga Pakoja e Ahtisaarit”, thotë në reagimin e saj, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidentja Jahjaga, garanton bashkësinë ndërkombëtare, se institucionet e Kosovës do të vendosin ligjshmërinë në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe integrimin e tri komunave më shumicë serbe në veri të Kosovës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Esat Ahmeti