1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kuvendi i Kosovës në bllokadë

Opozita: pa tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk ka seanca në kuvend. Analistët: bllokada në kuvendin e Kosovës e ka dëmtuar demokracinë parlamentare të shtetit të ri.

Tri subjektet politike opozitare në Kosovë janë të vendosura që mos të lejojnë vazhdimin e seancave në Kuvendin e Kosovës, përderisa, siç thonë, kryeministri Isa Mustafa, nuk e tërheq nënshkrimin nga marrëveshja për krijimin e asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Blloku opozitar fizikisht tri herë radhazi ka vazhduar ta mbajë të bllokuar foltoren e kuvendit të Kosovës. Kjo ndodhi edhe në seancën e fundit më 1 tetor, kur partitë politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) dhe Nisma, për orë të tëra bllokuan foltoren e kuvendit, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të kryetarit të kuvendit, Kadri Veseli, për vazhdimin e seancës. Kryetari i kuvendit tha se është e patolerueshme që pakica të imponojë vullnetin e shumicës.

"Ka këtu zëra që mendojnë se me stupca do të arrihet demokracia parlamentare. Unë jam duke i përdorur të gjitha mjetet, të cilat janë humane, ligjore që janë edhe në traditën tonë. Nga kjo sallë e Kuvendit më parë do të dalë pozita se sa opozita. Nuk do të lejojmë skenarin e bartjes së pakënaqësive në rrugë si moment i bllokimit. Nuk do të ketë dhunë nuk do të ketë skenarë dhune, kemi nevojë për qetësi dhe paqe", tha kryetari i kuvendit Kadri Veseli.

Ata që po bllokojnë punën e kuvendit të Kosovës, veprimin e tyre e arsyetojnë me faktin që kryeministri Mustafa, nuk po e tërheq nënshkrimin nga marrëveshja dhe bllokada e kuvendit sipas tyre do të vazhdojë. Glauk Konjufca nga lëvizja Vetëvendosje, thotë se askush nuk është zgjedhur që ta dëmtojë sovranitetin e Kosovës, siç do të ndodhë me asociacionin e komunave me shumicë serbe.

"Edhe pas bllokimit të Kuvendit, qeveria nuk po lëshon pe dhe Isa Mustafa po thotë se nuk e tërheq nënshkrimin, atëherë ne presim shprehje të pakënaqësisë së popullit në rrugë dhe hapësira publike, përmes protestave dhe demonstratave të cilat me siguri që do t'i organizojë fronti i përbashkët opozitar. Në rast të shkallëzimit të situatës dhe protestave, përgjegjësinë do ta mbajë ai i cili ka vendosur nënshkrimin për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe", tha Glauk Konjufca.

Analistët politik nga ana e tyre thonë se situata politike në Kosovë është e rënduar dhe bllokada që po i bëhet punës në Kuvendin e Kosovës e ka dëmtuar demokracinë parlamentare të shtetit më të ri në Evropë. Analisti Blerim Burjani i tha DW-së, që në këtë situatë deputetët duhet të gjejnë zgjidhje dhe mos të thellohet kriza. "Rruga që ka zgjedhur opozita është rrugë e thellimit të krizës së funksionimit të shtetit. Realisht kjo opozitë ka bllokuar foltoren e kuvendit, andaj deputetët e kuvendit duhet të gjejnë rrugën e daljes nga kriza. Marrëveshjet e nënshkruara nuk mund të kthehen mbrapa, përderisa shteti po ka probleme të kthimit në rrugën e zhvillimit të demokracisë dhe institucioneve demokratike dhe integrimin e Kosovës në BE. Bllokimi i demokracisë po ndodh në Kosovë, pakënaqësitë dhe lufta për pushtet është me e madhe se implementimi i vullnetit të qytetarëve që duhet të ishte lehtësimi i jetës së tyre", thotë Blerim Burjani.

Burjani thotë se më mirë shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, se sa të bllokohet puna e kuvendit të Kosovës. "Kosova duhet të gjej një model tjetër të qeverisjes së shtetit. Kosova ka 76 subjekte politike apo 76 alternativa, ndaj nuk është alternativa me këto katër subjekte në kuvend, që janë përgjegjës për gjendjen e krijuar. Gjendja në Kosovë është mjaft shumë e ndjeshme, ndaj kaosi është gjendja më e pa pranueshme në shtet. Më mirë zgjedhje të jashtëzakonshme se sa bllokim i jetës institucionale", thotë Blerim Burjani.

Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe u arrit më 25 gusht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Opozita e sheh atë si hap që çon drejt ndarjes së Kosovës. Një ditë më vonë me 26 gusht, në Vjenë u nënshkrua marrëveshja për demarkacionin Kosovë-Mali i Zi. Edhe kjo marrëveshje kundërshtohet nga opozita dhe kërkohet tërheqja e nënshkrimit. Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i cili ndodhet për vizitë në SHBA, një javë më parë nuk u lejua të raportojë në kuvend për këto marrëveshje. Ai madje u gjuajt me vezë nga deputetët e opozitës. Kryeministri Isa Mustafa, tha se marrëveshjet nuk mund të kthehen në pikën zero.