1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kuvendi i Kosovës miraton në parim ligjin për amnistinë

Miratimi i ligjit për amnistinë është një hap përpara në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Ndërkohë organizatat joqeveritare dhe qytetarë të shumtë, protestuan para Kuvendit të Kosovës.

Parlamenti i Kosovës, me 91 për, 17 kundër dhe asnjë abstenim, miratoi në parim projektligjin për amnistinë. Kundër projektligjit ishte Lëvizja Vetvendosja, ndërsa, ligji u përkrah nga të gjitha grupet e tjera parlamentare. Kjo përkrahje u rrit pasi qeveria hoqi nga projekligji nenin tre me të cilin u reduktuan dukshëm shumë vepra penale që parashiheshin të amnistoheshin. Miratimi i ligjit për amnistinë është një hap përpara në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Ligji për amnisti do të ndryshojë realitetin në Kosovë

Zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi, që prezantoi projektligjin para deputetëve, tha se “projektligji trajton çështjen e amnistisë konform kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”.

Hajredin Kuci

Hajredin Kuçi -Ministri i Drejtësisë së Kosovë

“Në shtetet e konsoliduara ligji vjen si rezultat i një mentaliteti dhe realiteti të shprehur përmes vullnetit të qytetarëve, por në demokracitë e brishta, çfarë është ende e jona, natyrisht se ligji tenton t'i ndryshojë realitetet. Unë jam i bindur se ky ligj do ta bëjë një gjë të tillë”, tha zëvëndës-kryeministri Kuçi.

Ligji për amnistinë është pjesë e marrëveshjes Kosovë-Serbi, e arritur me 19 prill të këtij viti ndërmjet kryeministrave, Hashim Thaçi dhe Ivica Daciq. Përmes këtij ligji ishte menduar të amnistohen strukturat paralele serbe në veri të Kosovës të cilat më pas do të integroheshin në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Mirëpo, sipas interpretimeve të bëra nga ekspertët juridik, u konstatua se draftligji i propozuar amniston edhe shumë vepra të krimeve në gjithë territorin e Kosovës.

Qindra qytetarë protestojnë kundër ligjit për amnisti

Kosovo Protest

Pamje nga protesta e qytetarëve kundër ligjit të amnistisë

Qytetarë të shumtë u mblodhën para kuvendit të Kosovës duke protestuar në mënyrë paqësore kundër miratimit të ligjit. Një rrjet i organizatave joqeveritare të grupuara rreth Institutit për Hartimin e Politikave zhvillimore, KIPRED, ka një javë që po mbledhin nënshkrime të qytetarëve dhe këtë peticion do tia dërgojnë presidentes Atifete Jahjaga, nga e cila do të kërkojnë që mos ta nënshkruaj ligjin për amnistinë. Pas miratimit të ligjit për amnisti, presidentja ka kohë tetë për ta nënshkruar ligjin.

Nga prania ndërkombëtare në Kosovë, miratimi i ligjit për amnistinë u cilësuar i domsdoshëm për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi. E fundit nga vizitat e shumta në Kosovë të diplomatëve perendimorë që i dhanë mbështetje ligjin për aministinë, ishte shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Ajo tha të merkurën ( 10.07 ) gjatë vizitës së saj në Prishtinë se ajo “dëshiron ta shoh zbatimin e ligjit dhe të gjitha pikat e marrëveshjes Kosovë-Serbi”. Një takim i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daciq, do të mbahet në fund të muajit Korrik. Këtë e paralajmëroi gjatë vizitës së saj në Prishtinë shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.