1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kuvendi i Kosovës miraton Kushtetutën e vendit

Në një seancë të jashtzakonshme Kuvendi i Kosovës miratoi dje Kushtetutën e Kosovës, e cila e përcakton vendin si "Republikë Parlamentare".

Pamje nga sesioni parlamentar i 17 shkurtit - ditës së deklarimit të pavarësisë

Pamje nga sesioni parlamentar i 17 shkurtit - ditës së deklarimit të pavarësisë.

Kushtetuta e Kosovës, është certifikuar nga përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Peter Faith, mandati i të cilit është mbikqyrja e zbatimit të planit të Marti Ahtisarit. Kushtetuta e Kosovës hyn në fuqi më 15 qeshor, pas përfundimit të fazës së tranzicionit.

Kosova që nga 9 prilli ka kushtetutën e saj, dokumentin më të lartë juridik të vendit. Kushtetuta u miratua në Kuvendin e Kosovës me shumicë votash të deputetëve të pranishëm në sallë. Mirëpo, seanca solemne u bojkotua nga përfaqësuesit e komunitetit serb të cilët në kuvendin e Kosovës kanë 10 ulëse. Kushtetuta e Kosovës, garanton respektim të plotë të të drejtave të individëve dhe të komuniteteve, duke përfshirë në mënyrë të veçantë të drejtat e serbëve të Kosovës.

Në fjalën e tij Presidenti Fatmir Sejdiu tha se dokumenti më i lartë juridik në Kosovë, Kushtetuta, është hartuar në bazë të dokumentit gjithpërfshirës të Marti Ahtisarit.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaqi, nga ana e tij, tha se Kushtetuta e Kosovës i përcakton qartë të drejtat e qytetarëve të saj. Ajo do t'i mbajë ata të bashkuar dhe të barabartë para ligjit.

Në kuvendin e Kosovës nuk u zhvillua debat për kushtetutën sepse ditë më parë ajo u nënshkrua nga anëtarët e komisionit, në të cilin ishin të përfshirë përfaqësuesit e të gjitha partive politike dhe të shoqërisë civile. Kushtetutën e ka certifikuar ditë më pare edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Peter Faith, mandati i të cilit është mbikqyrja e zbatimit të planit të Marti Ahtisarit.

Peter Faith ka thënë se e ka parë me kujdes Kushtetutën dhe se ajo është hartuar në pajtueshmëri me dispozitat e statusit. Kushtetuta e Kosovës, u miratua në kuvend por, ajo do të hyjë në fuqi vetëm pas fazës së tranzicionit dhe kur misioni i BE-së të ketë shtrirje të plotë, të jetë i plotfuqishëm dhe funksional. Kjo thuhet se do të ndodhë pas datës 15 qeshor, kur do të shënohet edhe përfundimi i bartjes së përgjegjësive nga UNMIK-u tek institucionet e Kosovës.

  • Data 10.04.2008
  • Autor Bekim Shehu
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Dep9
  • Data 10.04.2008
  • Autor Bekim Shehu
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Dep9