1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kuvendi i Kosovës miraton fundin e mbikqyrjes ndërkombëtare

Ndryshimet kushtetuese që u miratuan të premten në kuvendin e Kosovës, heqin nga ligjet dhe kushtetuta e Kosovës, terminologjinë kur përmendet pakoja e Marti Ahtisarit dhe Zyra Civile Ndërkombëtare.

Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, më shumicë votash miratuan ndryshimet kushtetuese, me të cilat i jepet fund mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Këto ndryshime kushtetuese heqin nga ligjet dhe kushtetuta e Kosovës, terminologjinë kur përmendet pakoja e Marti Ahtisarit dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila për katër vjet e gjysmë mbikqyri zbatimin e pakos së Marti Ahtisarit. Me miratimin e ligjit, që u cilësua “ligj special” dhe i jep fund mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, konstatohet edhe përmbushja e pikave të pakos së Marti Ahtisarit.

Për miratimin e amandamenteve që parasheh “ligji Special”, kërkohej votimi i 2/3, të deputëve të Kuvendit të Kosovës dhe po ashtu 2/3 e deputetëve të pakicave kombëtare. Ky numër u arrit. Ndryshimet kushtetuese morën 98 vota pro nga 120 deputetët në Kuvendin e Kosovës dhe 22 vota të deputetëve të pakicave, nga 25 deputetë të tillë në Kuvend. Dhe në këtë mënyrë, heqja e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë tash mori formën e plotë, sa i përket palës kosovare, ndërsa, vendimi final pritet të konfirmohet nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili takimin e fundit e mban në Prishtinë të hënën me datën 10 shtator.

"Hap vendimtar drejt një vendi të lirë!"

Takimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, 24.01.2012.

Takimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, 24.01.2012.

Zëvendëskryeministri në qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se miratimi i ligjit në Kuvendin e Kosovës që mundësoi heqjen e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësië, është hapi i fundit dhe ai vendimtar drejt një kombi të lirë.

“Tashmë do të thoja se pavarësia e mbikqyrur e Kosovës ka përfunduar. Ne presim që nga sot të rritet përgjegjësia institucioneve vendore dhe funksionimi si shtet sovran, i pavarur në kuptimin e asaj sikur operojnë të gjitha kombet e lira”, tha Kuçi.

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë heqjen e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarasisë, u përshendetën edhe nga shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Peter Faith. Zoti Faith nga dita e hënë 10 shtator, përfundon misionin në Kosovë.

“Votimi i sotëm në Kuvend nuk paraqet vetëm hapin e fundit praktik që nevojitet për të mundësuar vendimin e ISG-së për përfundimin e mbikqyrjes së pavarësisë, por gjithashtu është një arritje e madhe për Kushtetutën e Kosovës. Kur Grupi Drejtues Ndërkombëtar të hënën të deklarojë përfundimin e mbikqyrjes, ashtu siç parashihet, Kushtetuta do të jetë si korniza e vetme juridike kryesore në këtë vend. Kjo do ta bëjë 10 shtatorin 2012 një ditë historike për Kosovën”, thotë Peter Faith.

“Me vendimin e tyre të sotëm, deputetët e Kuvendit të Kosovës nga të gjitha komunitetet etnike të këtij vendi krenar dhe të larmishëm kanë treguar përkushtimin e tyre të përbashkët për ta bërë Kosovën një shtet funksional të pavarur. I përgëzoj deputetët për punën e tyre të durueshme që e kanë bërë për shumë muaj në kuadër të komisionit dhe për frymën e konsensusit dhe të bashkëpunimit që kanë treguar sot”, tha Peter Faith.

Vetëvendosja kundër vazhdimit të mandatit të EULEX

Ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me heqjen e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë u mbështeten nga të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të lëvizjes Vetvendosja, e cila vazhdon të kundërshtojë vazhdimin e mandatit të misonit EULEX në Kosovë.

Visar Ymeri, shef i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetvendosja, u shpreh: “Nëse dikush pyet a po e heqim Zyrën Civile Ndërkombëtare të udhëhequr nga Peter Feith, përgjigja është 'Po', po e heqim, por nëse dikush pyet a po e heqim mbikëqyrjen ndërkombëtare, në disa aspekte po e përforcojmë atë shembull me vazhdimin e mandatit të misionit EULEX”.

Megjithë këto kritika të Lëvizjes Vetvendosja, Kuvendi i Kosovës ratifikoi edhe marrëveshjen bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për vazhdimin e mandatit të misionit EULEX deri me 15 qeshor të vitin 2014. Ky mision vazhdon të ketë kompetenca ekzekutive në fushën e policisë dhe gjyqësisë.