1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kuvendi i Kosovës me rezolutë kërkon nga Serbia lirimin e Thaçit

Qeveria e Kosovës i bën me dije BE-së se veprimet e Serbisë, si arrestimi i Nehat Thaçit, në raport me institucionet e Kosovës e rrezikojnë thellë dialogun ndërmjet dy vendeve, duke e detyruar Kosovën për reciprocitet.

Pas dy ditë debatesh në parlamentin e Kosovës, deputetët me shumicë votash miratuan një rezolutë me të cilën kërkohet lirimi i menjëhershëm i Drejtorit rajonal të Policisë së Mitrovicës, Nehat Thaçi, i cili po mbahet nën masën e arrestit në Serbi. Nënkoloneli Nehat Thaçi, u arrestua dhjetë ditë më parë në vendkalimin kufitar Kosovë-Serbi në Konçul, teksa udhëtonte nga Kosova për në Serbi. Një gjykatë në qytetin jugor në Serbi, Nish, i caktoi nënkolonelit Thaçi, masën e paraburgimit prej 30 ditësh, nën akuzën siç thuhet, për terrorizëm si pjesëtar i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në seancën e jashtëzakonshme të kuvendit të Kosovës, para deputetëve u propozuan dy tekste të rezolutës, ku njëra nga to e propozuar nga partitë politike opozitare, kërkonin ndërprerjen e dialogut me Serbinë, pa lirimin e policit Nehat Thaçi. Mirëpo, kjo rezolutë nuk kaloi, por kaloi një tekst tjetër i rezolutës i propozuar nga partitë në pushtet, ku kërkohet lirimi i nënkolonelit Thaçi, por nuk kushtëzohet ndërprerja e dialogut me Serbinë, ashtu siç kërkonte opozita. Rezoluta ka gjashtë pika:

"Kuvendi i Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të zotit Nehat Thaçi, epror i Policisë së Republikës së Kosovës."

Kuvendi i Kosovës kërkon nga Bashkimi Evropian që përmes mekanizmave të vet detyrues të ndërhyjë te Qeveria e Serbisë që të lirohet Nehat Thaçi.

Kuvendi kërkon që çdo komunikim i Qeverisë së Kosovës për lirimin e zotit Thaçi të bëhet përmes zyrës së Federica Mogherinit, përfaqësuese e lartë e BE-së”.

Po ashtu është kërkuar edhe që Qeveria e Kosovës t'ia bëjë me dije BE-së se veprimet e tilla të Serbisë në raport me institucionet dhe qytetarët e Kosovës, e rrezikojnë thellë përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si dhe dialogun ndërmjet dy vendeve, duke e detyruar Kosovën për reciprocitet.

Kuvendi i Kosovës po ashtu ka kërkuar që misioni i EULEX-it të deklarohet për rastin e nënkolonelit Thaçi dhe është kërkuar angazhim i drejtpërdrejtë, si mision me kompetenca të veçanta. Nga Interpoli po ashtu është kërkuar që Policia e Kosovës të bëhet pjesë e kësaj organizate dhe është insistuar që fletë-arrestet politike të shpallura nga Serbia të hiqen nga sistemi i tyre ligjor.

Ka vite që një numër i zyrtarëve të lartë të Kosovës, përfshirë edhe ata partiakë, në disa raste janë ndaluar në qendra të ndryshme në Evropë, mbi bazën e flet-arresteve ndërkombëtare të lëshuara nga Republika e Serbisë. Në këtë pikë, analisti i çështjeve të sigurisë Burim Ramadani, pati thënë ditë më parë DW-së, se "institucionet e Kosovës duhet të angazhojnë një ekip profesional për këshillimin dhe ekspertizën për shtetasit e vet në çështjen e listës së akuzave politike të Serbisë”. Sipas tij, secili shtetas i Kosovës që gjendet në këtë listë politike, duhet që të njoftohet për kujdesin që duhet të ketë”.

Mirëpo kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ministri i Rendit Skënder Hyseni, gjatë debatit për rezolutën deklaruan se Kosova nuk i ka listat e personave që mund të kërkohen nga Serbia, sepse Kosova nuk është pjesë e Interpolit dhe për këtë arsye ata nuk kanë sesi t'i njoftojnë qytetarët se kush mund të jetë i kërkuar nga Serbia. Mirëpo, sa i përket zyrtarëve policorë të Kosovës, Ministria e Rendit ka nxjerrë një rregullore të brendshme, ku u ndalon të gjithë pjesëtarëve të policisë së Kosovës që të udhëtojnë qoftë edhe për udhëtime private nëpër territorin e Serbisë. Autoritetet e Serbisë deri tash nuk janë deklaruar për arrestimin e Drejtorit rajonal të Policisë së Mitrovicës, Nehat Thaçi, mirëpo, avokatët mbrojtës të zotit Thaçi të caktuar nga gjykata e qytetit të Nishit, kanë deklaruar se klienti i tij është arrestuar jashtëligjshëm duke mos i paraqitur asnjë dokument se për çfarë akuzohet ai.