1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kuvendi i Kosovës i thotë jo Gjykatës Speciale

Bekim Shehu26 Qershor 2015

Me 75 pro, 7 kundër dhe dy absteniume, kuvendi i Kosovës nuk e votoi themelimin e Gjykatës Speciale. Për themelimin e saj nevojiten 80 vota nga 120 deputetë, sa ka parlamenti i Kosovës.

https://p.dw.com/p/1FoD5
Kosovo Parlament
Fotografi: AFP/Getty Images

Kuvendi i Kosovës nuk miratoi ndryshimet kushtetuese, që do ta mundësonin themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte. Kjo gjykatë parashihet të gjykojë ish pjesëtarë të UCK-së, që dyshohen të kenë kryer krime lufte në Kosovë. Ka disa muaj që kanë filluar debatet për themelimin ose jo të Gjykatës Speciale nga vetë Kosova, mirëpo është këmbëngulja dhe presioni i bashkësisë ndërkombëtare, që shtyu kuvendin e Kosovës ta hedhë në votim vetë themelimin e Gjykatës. Kjo nuk u arrit, pasiqë 75 vota të deputetëve pro themelimit të gjykatës nuk mjaftuan. Për themelimin e saj nevojiten 80 vota, nga 120 deputetë, sa i ka parlamenti i Kosovës.

Amandamenti kushtetues, që e mundësonte themelimin e Gjykatës, i propozuar nga Qeveria e Kosovës, u hodh në votim në seancën e 26.06, pas debateve që zgjatën rreth 6 orë, mirëpo ai nuk kaloi.

Kryeministri Isa Mustafa duke arsyetuar amandamentet e qeverise u tha deputetëve se ato ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. “Marr parasysh se është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese se ky amendament është në harmoni të plotë më Kushtetutën dhe nuk cenon parimin e ndarjes së pushteteve e në veçanti nuk cenon sovranitetin e pushtetit gjyqësor, ju ftoj të gjithë ju që ta votoni amendamentin e propozuar”, tha Isa Mustafa.

Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh edhe ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaci, tha se Kosova është para dy mundësive: Të themelojë vetë Gjykatën Speciale, ose në të kundërtën kjo çështje të shkojë në Këshillin e Sigurimit tek oponentët e Kosovës.

Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, në parlament
Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, në parlamentFotografi: Armend Nimani/AFP/Getty Images

“Që të eliminohet kjo e dyta, ne duhet ta marrim vendimin për themelimin e saj, tha Hashim Thaçi, duke njoftuar deputetët që Gjykata do të jetë e vendosur në një vend të tretë të Evropës.

Partitë politike opozitare ishin kategorike kundër votimit në kuvend për Gjykatën Speciale. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Kosovës me Gjykatën Speciale po i ofrohet, siç tha, “një mosntrum ligjor“.

“Kosovës po i ofrojmë një monstrum ligjor. Gjykata Speciale është precedent. Ajo nuk po ndodh për republikat tjera të Serbisë. Nuk po ndodh për Serbinë, që ka shkaktuar luftërat. Ky monstrum ligjor do të jetë i pranishëm në Kosovë më shumë se 10 vjet dhe për shumë vite ne do të jemi peng i tij edhe në planin njohjeve edhe në zhvillimin e përgjithshëm“, tha Ramush Haradinaj, njëri nga ish komandantët e UCK-së.

Ramush Haradinaj thotë se Kosovës po i afrohet “një mosntrum ligjor“.
Ramush Haradinaj thotë se Kosovës po i afrohet “një mosntrum ligjor“.Fotografi: DW/B. Shehu

Edhe partia tjetër opozitare Lëvizja Vetëvendosje ishte kundër Gjykatës Speciale. Lideri i këtij subjekti politik, Visar Ymeri, thotë se “themelimi i një sistemi paralel të drejtësisë e përjashton organin kryesor të Republikës së Kosovës, Kuvendin e Kosovës, që buron nga vullneti i popullit“.

“Po tentohet të krijohet baza kushtetuese për të themeluar një sistem paralel të drejtësisë. Lloji i kërkesës për këtë është jashtë pranimit të së drejtës. Kjo dispozitë përjashton organin kryesor, Kuvendin e Kosovës, që ka për kompetencë sovranitetin e jashtëm”, tha Visar Ymeri.

Në ditën kur diskutohej për Gjykatën Speciale, organizatat e dala nga lufta protestuan kundër Gjykatës Speciale, duke thënë se ajo është një gjykatë e njëanshme dhe është në dëm të Kosovës. Ata u bënin thirrje deputetëve që mos ta votojnë.

“Përderisa Serbia ka shkaktuar gjenocid ndaj popullatës civile, nuk duhet të kemi frikë nga askush se votën e kanë nga populli dhe është mirë që gishtin ta vënë në kokë e të mos i bëjnë keq Kosovës”, thotë Faton Klinaku, sekretar i Organizatës së Veteranëve të ish UÇK-së.

Ne fund të ditës parlamenti nuk i votoi ndryshhimet kushtetuese, që do ta mundësonin themelimin e Gjykatës Speciale. Tash për tash akoma nuk dihet se si do të veprohet. Do të provohet sërish të votohet në parlamentin e Kosovës, apo kjo çështje do të kalojë në KS-it të OKB-së.

Senatori zviceran Dick Marty
Senatori zviceran Dick MartyFotografi: picture-alliance/dpa

Sidoqoftë, qeveria e Kosovës tashmë ka proceduar për në kuvend edhe ligjin, që ofron mbështetje juridike dhe financiare për personat, që mund të akuzohen nga Gjykata Speciale për krime lufte. Projektligji pretendon të mbulojë shpenzimet për secilin person, që akuzohet, po ashtu për angazhimin e mbrojtjes apo avokatit të tij, shpenzimet e udhëtimeve jashtë Kosovës për të dhe familjen e tij, si dhe mbulimin e shpenzimeve për procedurat gjyqësore e deri te kompensimi i atyre personave, të cilët gjykata do t'i shpallë të pafajshëm.

Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës, që kërkonte hetime mbi supozimet e senatorit e zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UCK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organeve të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Një prokuror amerikan, Clint Williamson, tashmë ka kryer një hetim të gjerë rreth këtyre pretendimeve. Kjo gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte. Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë, të cilët rastet e dyshuara si krime lufte pritet t'i gjykojnë jashtë Kosovës.