1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kutitë e fundit zvarrisin rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri

Nga komisionerët e maxhorancës e të opozitës ka pretendime dhe akuza për parregullsi, për mangësi dokumentacioni, për dëmtim fizik, ose keqadministrim përpara se kutitë e votimit të dorëzoheshin në pikat e numërimit.

Duke numëruar votat

Numërimi i votave të kutive të fundit nuk po ecën dhe ka shkaktuar sërish zëvëndësim të komisionerëve

Rreth 72 orë nuk kanë mjaftuar që të përfundojë procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e së dielës në Shqipëri. Në disa qarqe të vendit, si në Shkodër, Fier apo Lezhë, kanë mbetur më pak se 1 përqind e kutive të votimit, të cilat do të kërkojnë ende kohë. Janë kutitë më të nxehta të zonave zgjedhore, për të cilat tregohen lloj-lloj historish. Nga komisionerët e maxhorancës e të opozitës ka pretendime dhe akuza për parregullsi, për mangësi dokumentacioni, për dëmtim fizik, ose keqadministrim përpara se këto kuti të dorëzoheshin në pikat e numërimit të votave. Nga dy koalicionet e mëdha, Aleanca për Ndryshim që udhëhiqet nga kryeministri Berisha, si dhe ai që drejton shefi i opozitzës Edi Rama ka një përsëritje të zëvëndësimit të komisionerëve në këto qarqe. Por puna e numërimit të kutive të fundit gjithësesi nuk po ecën duke shkaktuar sërish zëvëndësim të njerëzve në komisione.

Dhjetra kutitë e mbetura nuk janë thjesht plotësuese të shifrave të rezultatit përfundimtar. Ato mendohet se do të japin ndikim në ndarjen e mandateve të deputetëve nga partitë. Duke ndryshuar dhe atë që tani për tani po shfaqet si barazim 70 me 70 mes të djathtëve dhe të majtëve, për 140 vendet në parlament.

Nga selitë kryesore të politikës në Tiranë tani ka jo vetëm akuza të ndërsjella për fajtorin e bllokimit të procesit. Por ka nisur dhe artikulimi i rezultatit përfundimtar. Zëdhënësja e PD-së, Majlinda Bregu, deklaroi për herë të parë të mërkurën pasdite se koalicioni i djathtë "Aleanca për Ndryshim" ka 71 vota, që i japin të drejtën të jenë fitues dhe qeverifomues. Sipas saj "Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve duhet që t'i përpunojë sa më shpejt të dhënat e fundit për të shpallur rezultatin përfundimtar".

Por nga selia e opozitës socialiste, njëri prej eksponentëve, Ditmir Bushati, e përshkroi këtë qëndrim si një spekulim. Sipas Bushatit deklaratat e demokratëve në terren janë të kundërta. Ai tha se PD dhe aleatët nuk i kanë votat për të qeverisur. "Përkundrazi ata po rrëmbejnë nga mandatet tona"

Atëhere raporti 70 me 70, 71 me 69, apo me shifra të tjera do të duhet të konfirmohet nga ana e Komisionit Qëndor të Zgjedhjeve. Por nga bllokimet ose zvarritjet në procesin e numërimit të kutive të fundit do të duhet më shumë kohë për t'u dhënë përgjigje pyetjeve të tilla si: Sa mandate jep rezultati final në Shkodër. Si do të ndahen deputetet në Fier? Çfarë do të bëhet me kontestimet në qarkun e Lezhës e të Beratit? Për këto pritet të futet në lojë sipas ligjit, Kolegji Zgjedhor, një trupë gjyqësore e posaçme që trajton çdo ankimim nga palët. Kjo nënkupton që do të duhet sërish kohë derisa sa të merret vesh një rezultat përfundimtar për atë që ndodhi të dielën e kaluar në të gjithë Shqipërinë.

Autor: Arben Muka
Redaktoi: Pandeli Pani

  • Data 01.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/If5R
  • Data 01.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/If5R