1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kutia e Pandorës- Pas zgjedhjeve në Maqedoni

Zgjedhjet në Maqedoni i fitoi pushtetmbajtësi aktual konservator Gruevski. Por zgjedhjet u mbuluan nga dhuna dhe incidentet me një person të vrarë

Nikola Gruevski, fituesi i zgjedhjeve në Maqedoni

Nikola Gruevski, fituesi i zgjedhjeve në Maqedoni

Të mbuluara nga dhunë e përgjakshme dhe parregullsi në votime, të dielën u zgjodh në Maqedoni një parlament i ri. Kryeministri nacional-konservator Nikola Gruevski shprehu shprehimisht keqardhjen për trazirat në ditën e zgjedhjeve. Por njëkohësisht ai e kremtoi si "historike" fitoren e tij. Vendi i tij ndodhet para një të ardhmeje të ndritur, beson kryeministri i vjetër dhe i ri.

Sa pjekuri politike tregoi vendi në këto zgjedhje?

Shtrohet megjithatë pyetja, se sa pjekuri politike tregoi me të vërtetë vendi në këto zgjedhje. Sepse votimi konsiderohet si test nëse vendi mund të anëtarësohet në BE dhe në NATO- sepse për këtë përpiqet Maqedonia. Gruevski u profilizua në këto zgjedhje si mbrojtës i interesave kombëtare. Anëtarësimi i projektuar në NATO dhe në BE nuk mund të ketë kuptimin e humbjes së "identitetit tonë, të gjuhës sonë dhe të kombit tonë", thotë shpesh Gruevski dhe ka me këtë parasysh grindjen e emrit me Greqinë dhe provincën e saj "Makedonia".

Shqiptarët e Maqedonisë nuk janë të kënaqur sot me forcimin e të drejtave të tyre

Sa e thjeshtë do të kishte qenë puna, sikur Maqedonia të kishte pasur probleme vetëm në lidhje me emrin. Kanë kaluar vetëm shtatë vjet, kur Maqedonia ishte në prag të një lufte civile. Me konfliktin në Kosovën fqinjë, edhe shqiptarët e Maqedonisë zhvilluan përpjekje për autonomi. Ata nuk janë të kënaqur sot me forcimin e të drejtave të tyre. Shqiptarët vazhdojnë të ndihen të nëpërkëmbur dhe janë të zemëruar, që Maqedonia nuk e ka njohur ende Kosovën e pavarur. Megjithëse në qeverinë e Maqedonisë ka marrë pjesë gjithmonë një parti e shqiptarëve, nuk mund të bëhet fjalë për raporte stabile tek vendi kandidat i BE. Për të ardhur në pushtet, aktivistët partiakë të minoritetit shqiptar kapin shpejt armët. Partia Demokratike e Shqiptarëve, e Menduh Thaçit fitoi vërtet më pak vota se sa Bashkimi Demokratik për Integrim. Por kjo parti vazhdon të ketë shanse të mira, që të mbetet partner aleat i "koalicionit për një Maqedoni më të mirë", të fituesit të zgjedhjeve Gruevski.

Pse duhet të vuajnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë, kur lufta për pushtet midis shqiptarëve degjeneron në rrahje e keqtrajtime?

Shpërthimet e dhunës dhe lufta për pushtet midis politikanëve shqiptarë e shqetësojnë BE. Incidentet mund të ndikojnë në datën e nisjes së negociatave për anëtarësim në BE të Maqedonisë. Këtu na lejohet pyetja, se pse duhet të vuajnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë, kur lufta për pushtet midis shqiptarëve degjeneron në rrahje e keqtrajtime. A nuk treguan shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri se janë në gjendje të mbajnë zgjedhje të lira dhe demokratike? Pse nuk është e mundur kjo vetëm në Maqedoni? Shqiptarët nuk duhet t'i tejkalojnë marrëveshjet e Ohrit, të cilat i kanë forcuar të drejtat e tyre, paralajmëron kryeministri Gruevski. Me këtë ata do të hapnin "kutinë e Pandoras". Por shumë besojnë se kjo kuti ka kohë që është hapur. Vakumi politik që prej shpërbërjes së Jugosllavisë u mundëson afrimin me njëri-tjetrin shqiptarëve. Edhe shqiptarët e Maqedonisë e quajnë të vetin flamurin me shqiponjë dykrenare të Republikës së Shqipërisë.

A mund t'i besojmë Gruevskit, kur thotë se vendi ka një të ardhme të ndritur?

Pranimi në NATO i mbështetur nga grupet e popullatës do ta kishte ndihmuar unitetin e shtetit të brishtë shumëkombësh. Por në Bukuresht u vendos ndryshe. Zhgënjimi i madh nuk është kapërcyer ende. Dhe tani shpallja se negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë mund të spostohen në një kohë shumë të largët. E parë në këtë kuadër: a mund t'i besojmë ne me të vërtetë kryeministrit të sigurtë në fitore Nikola Gruevski, kur thotë se vendi ka një të ardhme të ndritur?