1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kushtetuta e Kosovës ka nevojë për ndryshime të tjera sa i takon mbikqyrjes ndërkombëtare

Intervistë me kryetarin e komisionit për ndryshimet kushtetuese, Arsim Bajrami.

default

DW: Zoti Bajrami, deri në çfarë fazë ka arritur puna e komisionit për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës?

Bajrami: Procesi për amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës, ka ardhur pothuaj në fazën finale. Jemi në fazën e debatit publik, ndërkohë që kemi miratuar një pako amendamentesh në komision në mënyrë konsensuale dhe po presim që pas përfundimit të debatit publik të miratohet teksti i disa amendamenteve dhe t'i propozohet kuvendit për miratim në mënyrë që të hapet rruga, që vitin e ardhshëm të bëhet zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit të Kosovës.

DW: Zoti Bajrami, a do të jetë Kosova republikë parlamentare, apo po shkon drejt një sistemi presidencial?

Bajrami: Republika e Kosovës edhe aktualisht pa ndryshime kushtetuese nuk është një sistem i pastër parlamentar, sepse bazohet në një ndarje të pushtetit ku pozita e presidentit është mjaft aktive, sepse presidenti ka edhe kompetenca që janë tipike për ekzekutivin, si për shembull udhëheq politikën e jashtme, bën emërime të tjera, kështu që ne më tepër i përngjajmë sistemeve gjysmë presidenciale. Pra, me këto ndryshime, me faktin që po zgjidhet drejtpërdrejt presidenti, mund të konstatojmë se Republika e Kosovës i takon grupit të shteteve me sistem të përzier parlamentar dhe presidencial dhe kjo është shumë mirë, sepse krijon një ekuilibër të mirë ndërmjet pushteteve.

DW: Këtë vit do të përfundojë amendamentimi i Kushtetutës vetëm për zgjedhjen e presidentit, apo do të ketë edhe ndryshime tjera në kushtetutë?

Bajrami: Sa i përket reformës që ka të bëjë me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit, procesi do të përfundojë këtë vit. Ndërkohë, jemi në proces të kërkimit të mandatit shtesë sepse jemi koshient se ka nevojë për rishikime edhe në disa segmente të Kushtetutës, por që kjo nuk lidhet me ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. Në fazën e dytë ne tentojmë që deri në fund të kësaj legjislature të rishikojmë Kushtetutën edhe në segmente tjera, e sidomos në segmentin që ka të bëjë me pavarësinë e mbikëqyrur, apo me bartjen e plotë të kompetencave nga prezenca ndërkombëtare te institucionet e Kosovës edhe pse ky është një proces politik.

DW:Zoti Bajrami më konkretisht, si do të specifikohet në Kushtetutë, fundi i mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës?

Bajrami: Është pjesa e dispozitave tranzicionale që është pjesa e fundit e Kushtetutës ku janë përcaktuar disa mandate ekzekutive të prezencës civile. Pra kemi një prani të fuqishme ndërkombëtare në institucionet e Kosovës, duke filluar nga Gjykata Kushtetuese dhe mendoj se krahas fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë, duhet të fillojë debati që këto kompetenca të barten te institucionet vendore. Pra kjo kërkon rishikimin komplet të një kaptine të Kushtetutës, që quhet dispozita tranzicionale dhe ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë rishikim.

DW: Këto ndryshime të planifikuara a prekin pakon e Marti Ahtisarit, për faktin që një pjesë e mirë e kësaj pakoje është e përfshirë në Kushtetutën e Kosovës?

Bajrami: Në fazën aktuale nuk preket pakoja e Marti Ahtisarit, ajo plotësisht respektohet, sepse është një bazë politike mbi të cilën është nxjerrë edhe Kushtetuta e Kosovës dhe të gjitha parimet e pakos respektohen, qoftë sa i përket respektimit të të drejtave të komunitetit pakicë, qoftë sa i përket autoriteteve ndërkombëtare. Në një fazë të mëvonshme, sidomos ajo që ka të bëjë me mbikëqyrjen ndërkombëtare nëse arrihet një pëlqim, do të mund të rishikohet ajo pjesë. Ndryshimi i vetëm që ndodhë në pakon e Ahtisarit është transformimi i vendeve të komuniteteve pakicë nga vendet e rezervuara në vende të garantuara dhe ky është një ndryshim që automatikisht parashihet edhe me kushtetutën në fuqi por edhe me pakon e Marti Ahtisarit.

Intervistoi: Bekim Shehu / Prishtinë

Redaktoi: E. Xhani