1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kushtetuesja: ligji për BKA pjesërisht antikushtetues

Qeveria premton përmirësim të shpejtë të ligjit për BKA pas rezervave të Gjykatës Kushtetuese. Disa politikanë ishin ankuar, se konsideronin që me kompetencar për luftën kundër terrorizmit cënohen të drejtat e qytetarëve

Qeveria njoftoi, se do të reagojë shpejt ndaj kritikës së Gjykatës Kushtetuese për përmirësimin e ligjit për luftën kundër terrorit, për të cilën është përgjegjëse BKA (Zyra Federale e Kriminalistikës). "Ne do ta analizojmë shpejt dhe me kujdesin e kërkuar këtë gjykim dhe do ta zbatojmë atë", tha sekretari i Shtetit pranë Ministrisë së brendshme Hans-Georg Engelke pas shpalljes (20.04) së vendimit në Karlsruhe. Me konceptimin e kompetencave të reja për mbrojtjen nga terrorizmi është vepruar në terren të panjohur. Ndaj është mëse e arsyeshme nevoja për korrekturë, tha ai. Engelke tërhoqi vëmendjen për sulmet e fundit. "Parisi dhe Brukseli na treguan së fundi, se sa me seriozitet duhet vlerësuar kërcënimi prej terrorizmit ndërkombëtar." Autoritetet e sigurisë janë të përgatitura mirë. "Ne do të përpiqemi, që të vazhdojmë të garantojmë mbrojtjen dhe lirinë e qytetarëve."

Gjykata supreme në Karlsruhe gjykoi, se kompetencat e BKA-së për mbikqyrjen e fshehtë në praktikë cënojnë në mënyrë disproporcionale të drejtat themelore të qytetarëve. Kushtetuesja dha një sërë udhëzimesh, në mënyrë që rregullorja përkohësisht të vazhdojë të aplikohet dhe i vendosi një afat legjislativit për përmirësimin e ligjit deri në fund të qershorit 2018.

Rregullat e aplikuara nga viti 2009 janë pjesërisht të paqarta dhe i tejkalojnë disa kufij, gjykuan gjyqtarët. Sipas tyre gjtihashtu mungon pjesërisht një mbrojtje e shtetit ligjor, veçanërisht kundrejt bërthamë së sferës së jetës private apo për garantimin e transparencës, mbrojtjes ligjore dhe kontrollit.

Rregulla strikte për mbikqyrjen e banesës

Për të parandaluar sulmet, qëkurse janë vendosur këto rregulla, hetuesit lejohet të përgjojnë banesat, të instalojnë kamera vrotjimi dhe të regjistrojnë telefonatat. Kryesisht lidhur me përgjimin në banesa kushtetuesja vendosi rregulla strikte për mbledhjen dhe shqyrtimin e të dhënave, në mënyrë që të ruhet "bërthama e sferës së jetës private". Sipas këtij gjykimi, të dhënat e përftuara në këtë formë fillimisht duhet të verifikohen nga një instancë e pavarur, për të konstatuar nëse ato "përmbajnë informacione tërësisht private", përpara se BKA-ja të lejohet t'i përdorë ato.

Ligji i reformuar i BKA-së është edhe baza për "Bundestrojaner" (trojanin federal kompjuterik), një program i zhvilluar posaçërisht për të hetuar të dhënat p.sh. nga Chats në ordinatorin e një të dyshuari për terrorizëm.

Ish-anëtarë të qeverisë si paditës

Kundër këtyre rregulloreve ishin ankuar pranë Gjykatës Kushtetuese ish-ministri i Brendshëm Gerhart Baum, ish-ministri i shtetit për Kulturën Michael Naumann dhe disa politikanë ekologjistë. Ata konsideronin, se përmes kompetencave për luftën kundër terrorizmit cënohen të drejtat e qytetarëve, ndaj kërkonin përmirësim të ligjit. Një ndër dy ankimimet kushtetuese drejtohet edhe kundër lejimit të BKA-së që t'u japë informacione shërbimeve të fshehta gjermane dhe atyre të huaja.

Ministri i Brendshëm Thomas de Maizière e mbrojti qeverinë në seancën e Karlsruhes në korrik 2015. Që shumë sulme kanë mundur të parandalohen në kohën e duhur, kjo është arritur falë ligjit për BKA-në, tha ai. Gjithashtu numri i personave të mbikqyrur është mjaft i vogël. Policia Federale e Kriminalisitikës duhet të ndërhyjë, nëse paraqitet rrezik ndërkufitar. Deri në vitin 2009 aktviteti i BKA-së kufizohej vetëm në procedurat e ndjekjes penale. (Az. 1 BvR 966/09 und 1 BvR 1140/09)