1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kushtet e Gjermanisë për punëtorët nga Ballkani

Shqiptarët nuk kanë shanse për azil politik, por Gjermania do të hapë rrugën për ardhjen legale të fuqisë punëtore nga vendet Ballkanit, thotë Anette Kramme, në bisedë me Deutsche Wellen.

Migracioni dhe refugjatët janë aktualisht ndër temat më të rëndësishme në Gjermani. Deri në tetor të vitit 201 janë paraqitur mbi 130.000 kërkesa për azil nga shtetasit e vendeve të Balkanit Perëndimor. Ndër ta janë rreth 35.000 nga Kosova dhe rreth 45.000 nga Shqipëria. "Por shanset e tyre për azil janë të gati të barabarta me zero", thotë sekretarja e Shtetit në Minsitrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, Anette Kramme.

Shanset për azil nuk ekzistojnë, por Gjermania do të hapë tregun e punës prej vitit të ardhshëm për shtetasit e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Sipas propozimeve të tanishme, parashikohet që në vit të pranohen rreth 20.000 punëtorë nga këto vende. Parashikohet që ligji i ri të hyjë në fuqi në vitin 2016 dhe do të vlejë deri më 2020 kur do të bëhet evaluimi i tij. "Nga këto rregulla mund të përfitojë Gjermania, por edhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor", pohon Kramme.

E pyetur nga Deutsche Welle, se çfarë do të ndryshojë konkretisht me ligjin e ri, i cili duhet të hyjë në fuqi në vitin 2016, sekertarja e shtetit Anette Kramme përgjigjet: "Deri tani situata është kështu: migrantët mund të vijnë në Gjermani vetëm nëse kanë ndonjë kualifikim të posaçëm. Ata ose kategorizohen si akademikë dhe mund të vijnë përmes Blu Card, që është mundësia e parë. E mundësia tjetër është nëse dikush ka një profesion të posaçëm, për të cilin ka mangësi në Gjermani. Ndonëse tani ne do ta hapim tërësisht tregun e punës për njerëzit nga vendet e Ballkanit, kushti i parë absolut është që të ketë një vend vend vakant. Dhe kushti tjetër është që për këtë të japë pëlqimin edhe Agjencia Federale e Punës, e cila të sigurojë, se për këtë vend pune nuk ka ndonjë kandidat nga Gjermania apo nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Ndërkohë që kushtet e punës duhet të jenë të barabarta."

Në Gjermani është folur shpesh për mungesën e fuqisë punëtore në shumë fusha. Njerëzit në Kosovë, Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor shpresojnë se do të gjejnë ndonjë vend pune në Gjermani, por në cilat fusha ekziston nevoja më e madhe për fuqi punëtore? E pyetur për këtë nga DW, sekretarja e Shtetit pranë Ministrisë gjermane të Punës dhe Çështjeve Sociale, Anette Kramme, thekson: "Kjo vlen në veçanti për fushat ku nuk kërkohet ndonjë shkollim i posaçëm, si dhe për vendet e punës për të cilat nuk ka kandidatë nga Gjermania apo Bashkimi Evropian. Këto janë mundësitë për migracion pune, por natyrisht që tregu i punës është i hapur edhe për akademikë dhe profesionistë të fushave të ndryshme.

Sa i përket problemit që kanë qytetarët e Kosovës me vizat, si e vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon lirinë e lëvizjes pa viza në BE, Anette Kramme thekson, se: "Ne do të lehtësojmë të gjithë procedurën. Procedura e dhënies së vizave do të jetë më e shpejtë dhe më e thjeshtë."

DW.COM