1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush nuk do ta quante këtë mision luftë?

23 Korrik 2009

Bundesveri lufton në ofensivën kundër kryengritësve në Afganistan

https://p.dw.com/p/IvqE
Tanke gjermane në AfganistanFotografi: picture-alliance / dpa

Recklinghäuser Zeitung shkruan:

Luftime të ashpra, raketa nga ajri, luftë shtëpi më shtëpi, kush nuk do ta quante këtë mision luftë? Numri i viktimave në të dyja palët dhe ndër civilët bëhet gjithnjë e më i madh, gjendja e sigurisë gjithnjë e më dramatike, por ministrit gjerman të mbrojtjes i pëlqen të bëjë sikur në Hindukush në rradhë të parë ndërtohen puse dhe shkolla. Sepse nuk duhet të jetë, ajo që nuk lejohet të jetë.

Reutlinger Generalanzeiger:

Ky duhet të jetë misioni më i madh luftarak i trupave gjermane që prej luftës së dytë botërore. Formalisht mund të jetë në rregull, kur ministri gjerman i mbrojtjes Jung flet për "mision stabilizues". Por faktikisht Gjermania ndodhet në luftë. Kjo nuk është problematik vetëm nga ana e së drejtës ndërkombëtare, por edhe përsa u përket rrezikut të ushtarëve dhe sidomos kur inspektori i përgjithshëm Schneiderhahn e thotë hapur, se luftë nuk mund të fitohet.

Këlner Stadt Anzeiger"

Lajmet e fundit na mësojnë edhe një gjë. Nuk ka rrugë bindëse për paqëtimin e Afganistanit. Por nuk ka rrugë bindëse edhe për daljen nga Afganistani, jo sepse terroristët do të sulmojnë përsëri Manhatanin, por sepse për shkak të afërsisë gjeografike të Afganistanit me fuqinë de facto atomike Pakistanin dhe me fuqinë gati atomike Iranin janë shumë gjëra në lojë. Ka mundësi, që shtimi i angazhimit të aleancës do të sjellë kthesën. Por po të bazohesh te përvojat e deritanishme, duhet pritur, që me shumë gjasa të mos jetë kështu.

Autor: Angjelina Verbica

Redaktoi: Fabian Schmidt