1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kush në popull mbështet ende Assadin?

Regjimi sirian po lufton me të gjitha mjetet kundër popullit të vet. Në këtë mes ai mund t'u besojë përkrahësve të tij megjithëse këta janë në pakicë).

Me gjithë planin Annan, këshillimet e Këshillit të Sigurimit dhe të opozitës, pushtetmbajtësi sirian Bashar al -Assad qëndron në vend dhe jashtë vendit. Duket sikur të gjithë janë kundër Assadit ose pro dorëzimit të pushtetit dhe largimit të tij nga vendi. Mirëpo krejt pa mbështetje në vend ai nuk mund të mbahej. Kush në Siri e mbështet Assadin?

Bëhet fjalë për dezertorë, për humbje të mëdha për trupat qeveritare siriane dhe për suksese të opozitës së armatosur. Njoftime të cilat japin të kuptohet një dobësim i regjimit ose madje një krisje në sistem. Megjithatë nuk ka kurrfarë dyshimi se presidenti sirian Bashar al-Assad vazhdon të ketë një pozicion të pakërcënuar, sepse me gjithë luftimet e përgjakshme në Siri shumica e përkrahësve të tij e përkrahin kreun e shtetit (ashtu siç janë mësuar prej vitesh ose dekadash).

Alevitët, të krishterët, druzët dhe kursët kryesisht pro Assadit

Sirianë të ndryshëm

Sirianë të ndryshëm

Te përkrahësit e Bashar al-Assadit bëjnë pjesë para së gjithash alevitët. Pakica që ndihet afër shiitëve përbën në fakt vetëm rreth 12 për qind të popullsisë siriane, por zë mbiproporcionalisht vende kyç në ushtri dhe politikë. Edhe i ati i Basharit, Hafez al-Assad, familja e të cilit është alevite, i besonte besnikërisë së njerëzve të së njëjtës fe dhe siguroi në këtë mënyrë pushtetin e tij. Një strategji së cilës i ka qëndruar besnik edhe i biri Bashar al-Assad.

Mirëpo presidentin e shtetit sirian nuk e mbështesin vetëm alevitët. Edhe një pjesë e madhe e shtresës së mesme sunite përfiton prej sistemit Assad. Duke mbështetur pas ardhjes së tij në detyrë në vitin 2000 sipërmarrës dhe tregtarë, ai siguroi besnikërinë e tyre. Deri tani shumica e tyre nuk kanë dalë kundër presidentit të shtetit (ndofta sepse nuk kanë interes që të humbasin privilegjet).

Edhe grupe të tjera druajnë rrëzimin e regjimit. Para së gjithash pakica fetare si të krishterët, të cilët përbëjnë rreth dhjetë për qind të popullsisë, apo druzët (rreh tre për qind e popullsisë) ndihen krahasimisht mirë në republikën laike të Sirisë. Për ta një shtet i dominuar nga arabët sunitë (këta përbëjnë 65 për qind të popullsisë siriane) nuk do të ishte doemos alternativa më e mirë. Edhe shumica e kurdëve (rreth dhjetë për qind e popullsisë) sillen deri tani në mënyrë asnjëanëse. Ata vërtet janë kryesisht sunitë, por kanë interesa të tjera nga ato të sirianëve arabë.

Shumica e popullsisë është kundër regjimit

Bash Al-Assad

Bash Al-Assad

Megjithatë, shumë njerëz në Siri kërkojnë me forcë rrëzimin e regjimit. Se ja janë këta realisht, nuk mund të llogaritet. Alan George, ekspert për Sirinë në St. Antony's College të Universitetit të Oksfordit, thotë në bisedë me Deutsche Welle-n, se kundërshtarët e regjimit janë shumica e popullsisë: „Shumica e sirianëve janë kundër regjimit (në mënyrë aktive ose pasive)." Fakti që një pakicë vazhdon të jetë pro sistemit të Assadit, ka të bëjë ndër të tjera me frikën prej kaosit dhe luftës civile, thotë George.

Edhe Lorenzo Trombetta, korrespondent në Bejrut i agjencisë italiane të lajmeve Ansa, beson se presidentin e mbështet vetëm një pakicë (pjesërisht madje kundër vullnetit): „Ata nuk mund të ndahen prej tij sepse në këtë mënyrë vënë jetën në rrezik", thotë Trombetta në bisedë me Deutsche Welle-n. Faktin që javët e kaluara gati nuk ka pasur demonstrata për regjimin, Trombetta e sheh si tregues që mbështetja për Assadin po zhduket.