1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania - Tregu i punës

Kush lejohet të qendrojë në Gjermani?

Shumë njerëz shpresojnë për një jetë më të mirë në Gjermani. Ndërsa refugjatët nga Siria apo Afganistani kanë shanse të mira që të mund të qendrojnë përgjithmonë, perspektivat për njerëzit nga Ballkani janë të pakta.

Çfarë shansesh kanë njerëzit nga vendet e Ballkanit Perëndimor për të përfituar azil në Gjermani?

Disa shtete të Ballkanit Perëndimor konsiderohen në Gjermani si të ashtuquajtura vende të sigurta të origjinës. QPrej kohësh Serbia, Maqedonia dhe Bosnje Hercegovina bëjnë pjesë në këtë grup dhe që nga 1 nëntori 2015 kësaj liste i shtohen edhe Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Aplikantët nga vendet e sigurta të origjinës kanë pak mundësi që të lejohen të qendrojnë përgjithmonë në Gjermani. Vetëm 0,2 për qind të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor u njihet këtu e drejta e azilit.

Ç'është një vend i sigurt i origjinës?

Një vend i sigurt origjine nuk e përndjek popullsinë e vet politikisht apo nuk praktikon ndëshkime antihumane apo poshtëruese. Por edhe qytetarët e vendeve të sigurta të origjinës nuk mund të dëbohen menjëherë. Juridikisht çdo azilkërkuesi në Gjermani duhet t'i jepet një shans për të dëshmuar se në vendin e tij është i rrezikuar politikisht. Kërkesa për azil nga njerëz nga vendet e sigurta të origjinës zakonisht refuzohet, përderisa nuk ka rrethana tepër të veçanta.

Kush ka të drejtë për azil në Gjermani?

Kushtetuta gjermane thotë: "Personat e përndjekur përfitojnë azil politik". I përndjekur politik konsiderohet ai, që për shkak të bindjes së tij politike është aq i përjashtuar nga shteti i i tij, saqë shkelet dinjiteti i tij njerëzor. Situatat e vështira si varfëria apo shpresa për mirëqënie dhe një jetë më të mirë nuk njihen si arsye për azil. Azil politik në Gjermani gëzojnë vetëm njerëzit, të cilët nuk vijnë nga një vend i ashtuquajtur i sigurt origjine.

Kush vendos për kërkesën për azil?

Vendimin për kërkesën për azil e merr Enti Federal për Migracion dhe Refugjatë (BAMF). Ai vlerëson, nëse një aplikant ka të drejtën e azilit, nëse merr statusin e refugjatit apo i mohohen që të dyja. Derisa të merret një vendim, njerëzit lejohen të jetojnë vetëm në vendstrehimet e refugjatëve dhe fillimisht nuk punojnë.

Çfarë ndodh nëse refuzohet një aplikim për azil?

Nëse një kërkesë për azil në Gjermani refuzohet, dhe personi nuk njihet si refugjat, ai duhet të largohet nga Gjermania. Ai kërcënohet me dëbim të detyruar. Azilkërkuesi mund ta kundërshtojë dënimin duke ngritur padi.

Kush konsiderohet në Gjermani refugjat?

Ligjërisht si refugjat - në dallim me migrantët - kategorizohen ato që përfshihen në përkufizimin e Konventës së Gjenevës për refugjatë. Refugjat është ai, i cili është i detyruar të largohet nga vendi i tij i origjinës si i rrezikuar për shkak të racës, fesë, kombësisë, mendimit të tij politik, apo përkatësisë në një grup shoqëror.

Kush konsiderohet emigrant?

Emigrant është në parim kushdo, që shkon në një vend tjetër, brenda vendit të tij apo përtej kufijve të shtetit. Për emigrantë flitet zakonisht, kur dikush largohet nga atdheu i tij, pa qenë në rrezik atje, por për shembull për të përmirësuar kushtet e tij të jetesës.

Çfarë nënkupton procedura Dublinit?

Në Gjermani nuk vendoset për çdo kërkesë për azil. Sipas rregullores evropiane të Dublinit në parim përgjegjës për procedurat e azilit është vetëm ai vend i BE-së, në të cilin azilkërkuesi ka hyrë për herë të parë. Nëse dihet se cili është ky shtet, refugjatët dërgohen zakonisht atje pa asnjë testim dhe mund ta bëjnë kërkesën për azil atje, sepse të gjitha vendet e BE-së konsiderohen vende të sigurta.