1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kush i frenon punët e dyta të politikanëve?

Një deputet në Bundestag fiton më shumë se 1 milion euro përveç të ardhurave nga mandati si deputet. Të ardhura shtesë kanë shumë deputetë në Evropë. Parlamentet përpiqen t'i kontrollojnë këto të punë dytësore.

Plot 9000 euro merr në muaj çdo deputet i Bundestagut për punën e tij në Parlamentin gjerman. Disa megjithatë fitojnë edhe më shumë nga të ardhura dytësore. Në krye të listës janë deputetët e Partisë Kristiansociale (CSU). Atje më shumë se 40 për qind e anëtarëve të grupit parlamentar fitojnë para krahas të ardhurave si deputet. Për shembull me fjalime, ekspertiza apo konsulencë ligjore. Shumë mirë i shkojnë punët Peter Gauweiler-it. Deputeti i CSU-së është avokat dhe duket se fiton më shumë se një milion euro në vit krahas punës së tij në Bundestag.

Punë të dyta me mjaft fitim kanë edhe parlamentarë të partive të tjera. Tek CDU janë 25 për qind të anëtarëve të grupit parlamentar, tek SPD 20 për qind, tek të gjelbrit rreth 17 për qind dhe te partia E Majta janë 15 për qind. Këtë e ka hulumtuar organizata "Abgeordetenwatch", e cila angazhohet për transparencë në demokraci.

Nëse angazhimi për punë të dyta jashtëparlamentare lejon vëmendje të mjaftueshme për mandatin politik të financuar nga taksapaguesit, është diskutuar vazhdimisht ashpër në Gjermani. Pasoja: ndërkohë të gjithë deputetët duhet të raportojnë në një sistem me dhjetë shkallë tek Presidiumi i Bundestagut se sa janë të ardhurat e tyre dytësore. Në kategorinë më të lartë thuhet vetëm "të ardhura mbi 250.000 euro". Detaje të tjera nuk ka nevojë të përmenden. Disa deputetë publikojnë megjithatë vullnetarisht hollësi. Në Gjermani nuk ka një tavan apo ndalim për të ardhurat dytësore të parlamentarëve.

Rregullat në Evropë

Një vështrim në disa vende evropiane fqinjë tregon se përpjekjet për transparencë janë shtuar vërtet kudo, por një kufizim i punëve të dyta duket se është shumë i vështirë të realizohet. Nesë i besojmë të dhënave zyrtare rregullat më të forta ekzistojnë në Spanjë.

Spanjë: Punët e dyta mund të ushtrohen vetëm me leje. Në ligjin përkatës thuhet se një mandat deputeti apo senatori është "i papajtueshëm" me ushtrimin e aktiviteteve private. Përjashtimet janë vazhdimi i drejtimit të një sipërmarrjeje familjare ose puna si autor. Në rastet kur jepet një leje zyrtare për një punë tjetër të dytë, atëherë të ardhurat që mund të fitohen janë të kufizuara. Rregulli i transparencës i vendosur që prej vitit 2011 kërkon krahas një deklarate të ardhurash edhe të dhëna për të gjitha pasuritë private dhe borxhet personale. Spanja në krahasim me vendet e tjera evropiane ka rroga shumë të ulëta për parlamentarët.

Franca: Asnjë tavan për të ardhura nga burime të dyta. Detyrimi për informim i deputetëve ekziston në rastet e pozicioneve drejtuese në sipërmarrje të ekonomisë private, funksionet e konsulencës dhe pjesëmarrjet në kapital. Të gjitha veprimtaritë profesionale me të ardhura në momentin e zgjedhjes dhe pesë vitet që i kanë paraprirë zgjedhjes duhet të raportohen. Gjithashtu edhe shumat e fituara. Si të papajtueshme me një mandat në parlament shihen grumbullimi i posteve publike dhe një punë në sipërmarrje të cilat janë të varura nga para publike. Punët e konsulencës pas zgjedhjes si deputet janë të kufizuara ose krejt të ndaluara.

Britania e Madhe: Nuk ka kufizim për të ardhurat dytësore. Megjithatë në kuadër të rregullave strikte të sjelljes (Code of Conduct) ekziston detyrimi për të njoftuar çdo lloj aktiviteti. Edhe të dhënat e tjera që kërkohen duket se japin informacion: shuma e fituar për çdo veprimtari, burimi i parave dhe koha që është shpenzuar për punët e dyta. Një komision etike duhet të mbikqyrë nëse ka konflikte interesi mes mandatit të deputetit dhe veprimtarive dytësore. Numri i deputetëve që fitojnë shuma gjashtëshifrore nga aktivitete dytësore, është megjithatë në rritje.

Italia: Nuk ka kufizim për të ardhurat dytësore. Megjithatë ekziston një ligj i gjerë për transparencën. Në një pyetsor i cili duhet mbushur me shkrim dore, pyetet edhe për pronën mbi truall, kontrata personale dhe makina private. Ky pyetsor publikohet në internet me dokumentin e fundit të deklaratës së të ardhurave.

Austria: Asnjë kufi për të ardhura dytësore. Të ardhurat ashtu si në Gjermani duhen përmendur vetëm në pesë kategori ku më e larta "mbi 10.000" euro është shumë e përgjithshme. Në të vërtetë nuk ka sanksione të përcaktura apo humbje mandati në rast ushtrimi veprimtarish të caktuara. Por: një "Komision papajtueshmërie" mund të ushtrojë trysni politike dhe të ndërhyjë kur ka konflikte interesi.

Zvicra: Këtu nuk ka "profesion politikan" si në pjesën tjetër të Evropës. Në Zvicër angazhimi politik shihet si aktiviteti i vërtetë dytësor, i cii ushtrohet vazhdimisht paralelisht me profesionin e mirëfilltë. Publikisht ka pasur ankesa vetëm për faktin që "zhdëmtimi" vjetor shtetëror prej 120.000 frangash zviceriane përfitohet edhe nga ata që fitojnë më shumë në radhët e parlamentarëve megjithëse katër periudhat e mbledhjeve me përkatësisht tri javë, janë shumë të shkurtra. Disa sipërmarrës të dhënë me mish e shpirt pas profesionit të tyre, për shkak të këtyre akuzave janë tërhequr nga politika. Më pas pati ankesa për humbje të kompetencës ekonomike në politikë.