1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kush e ktheu orën? Dimër i përjetshëm në Rusi

Sot Këshilli i Federatës Ruse vendosi t'i japë fund orës së përjetshme të verës. Në tetor orët do të ndryshohen përsëri. Me këtë merr fund një nga reliket e fundit të epokës së qeverisjes së Medvedevit.

Një nga projektet më të dashura të ish-presidentit rus Dmitrij Medvedev ishte vendosja e orës së verës si orë e përhershme në Rusi. Arsyeja: Kjo është e shëndetshme për trupin e rusëve, ata nuk kanë pse të ndryshojnë vazhdimisht orën dhe të kalojnë nga vera në dimër. Përveç kësaj gjatë ditës drita mund të përdoret më mirë dhe kështu edhe të kursehet energji.

Dhe meqë në Rusi nuk u ndryshua më ora në veri të saj, p.sh. në Shën Petersburg filloi të behej ditë vetëm në orën njëmbëdhjetë. Rezultati: rusët nuk ndjeheshin mirë dhe madje edhe Putini u ankua se ndjehej i lodhur në mëngjes. Ora e verës ishte një nga trashëgimitë e pakta dhe të fundit nga koha Medvedev si president. Por edhe nga projektet e tjera të reformës, për të cilat ish-presidenti kishte bërë reklamë, nuk ka mbetur shumë.

Medvedevi reformatori i zhgënjyer

Kur Medvedevi u zgjodh në vitin 2008 si president i Rusisë, shpresat ishin të mëdha dhe ai konsiderohej si "reformator". Mbi të gjitha, Perëndimi e përshëndeti zgjedhjen e ish-menaxherit të Gazprom dhe ish-kreut të administratës presidenciale dhe dukej se po fillonte të frynte një erë liberalizmi. Medvedevi bëri thirrje në atë kohë, ndër të tjera, për privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore dhe për zgjedhjen direkt të guvernatorëve, që Putini i kishte shfuqizuar në vitin 2005. Po ashtu ai donte të zvogëlonte numrin minimal të anëtarëve të partive politike nga 40.000 në 500 vetë për të forcuar minoritetet. Po ashtu ai u shpreh për krijimin e kushteve më të mira për punën e OJQ-ve dhe të fondacioneve. Ekspertët paralajmëruan që atëherë për një zhgënjim të madh dhe ky erdhi menjëherë.

Medvedevi nuk i mbajti premtimet e tij të mëdha për modernizimin e gjerë të aparatit shtetëror rus. Edhe privatizimi i sipërmarrjeve shtetërore dështoi sikurse dhe zgjedhjet e drejtpërdrejta të guvernatorëve nuk mbijetuan pas ndryshimit të qeverisë. Në vitin 2012 kryeministri dhe presidenti shkëmbyen vendet. Me propozim të Medvedevit Putini kandidoi përsëri në zgjedhjet presidenciale në mars të atij viti.

Njëri cicëron në twitter, tjetri qeveris

Duket se Putin është në postin e tij më i fortë se kurrë dhe ai po fshin edhe ato pak gjurmë, që la paraardhësi i tij. Diskriminimi i grupeve të margjinalizuara, kufizimi i lirisë së shprehjes dhe dënimi i OJQ-ve si "agjentë të të huajve", e gjithë kjo është në kontrast me propozimet dhe premtimet e Medvedevit.

Megjithatë nga Medvedevi nuk duket asnjë gjurmë revolte. Në vend të parullave politike kryeministri rus po poston kohët e fundit në rrjetet sociale më tepër selfies dhe njoftime të tilla në twitter si më datën 1 qershor: "Gëzuar ditën e parë të verës". Ai gjithashtu i thur lavde popullaritetit të Presidentit Putin.

Fakti që Putin shtyp butonin e fshirjes, ilustron për politologen ruse Liliana Shevtsova marrëdhënien midis Putinit dhe Medvedevit. Si pjesë më e madhe e intelektualëve rusë ajo beson se në të vërtetë Putini nuk qe larguar kurrë nga skena dhe se legjislatura e Medvedevit që një përpjekje për t'i hedhur botës hi syve. Medvedevi vetë nuk ka qenë kurrë më shumë se sa "asistent besnik i Putinit". Premtimet e tij liberale ishin manovra për të zbutur kritikat e Perëndimit ndaj Kremlinit dhe Rusisë.

Një ekip besnik

Loja e karrigeve mes Putinit dhe Medvedevit çoi në dimrin e vitit 2011/2012 në protesta të opozitës. Ato ishin ndër më të mëdhatë në historinë e re të Rusisë. Për Liliana Shevtsovën ato janë shprehje e një "reflektimi të popullsisë civile", që e ka kuptuar se idetë demokratike qenë diskredituar. Pas protestave pati një ashpërsim të ligjeve për opozitën dhe pakicat politike të cilat zëvendësuan "sugjerimet" e Medvedevit.

Pyetjes, se pse Medvdevi nuk është zhdukur nga skena politike, Liliana Shevtsova i përgjigjet se Putini është njeri besnik dhe me Medvdevin e lidh një miqësi e vjetër. Por edhe Medvdevi ka qenë gjithmonë besnik ndaj Putinit.

Dhe me sa duket edhe shumica e rusëve janë të kënaqur, të paktën sipas anketimeve me politikën e Putinit. Medvedevi nuk i vjedh show-n Putinit. Dhe ditët e gjata në Shën Peterburg janë një heqje mendjeje nga problemet e tjera, si stanjacioni ekonomik.