1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kush e ka radhën në listën e Putinit?

Krimea është tani pjesë e Federatës Ruse, në Ukrainën lindore zien. I ka vënë presidenti Putin syrin edhe vendeve të tjera në periferi? Deutsche Welle hedh një vështrim në këto vende.

Vendet Baltike

Estonia, Letonia dhe Lituania në vitet 1940-të u pushtuan nga BS. Ata janë ndër shtetet e para, që u larguan nga BS në vitin 1991, shpallën pavarësinë dhe u orientuan nga Perëndimi. Sot ato janë prej kohësh anëtarë të BE dhe të NATO-s. Megjithatë hija e zgjatur e Rusisë bie ende në këtë rajon, që është shumë i varur nga nafta dhe gazi rus.

Estonia: Rreth një e katërta e 1,3 milionë banorëve të shtetit në skajin më verilindor të Evropës kanë prejardhje ruse. Në Estoni ka shumë pyje dhe më shumë se 1 500 ishuj. Estonia konsiderohet si trampolinë për sipërmarrësit e internetit.

Letonia: Vendi tjetër diçka më i madh, Letonia, ka qenë shumë e industrializuar në kohët e Bashkimit Sovjetik dhe ka tërhequr si magnet njerëz nga Rusia. Nga dy milionë banorët, sot më shumë se një e katërta flasin rusisht. Ekonomia e Letonisë karakterizohet kryesisht nga bujqësia, peshkimi dhe pylltaria.

Lituania: Lituania me tre milionë banorë është vendi i parë, që shpalli pavarësinë nga BS, por marrëdhënie të ngushta me Rusinë ka edhe sot. Rusia është partneri i parë tregtar, gati 18 përqind e eksporteve lituanaze shkojnë në vendin fqinj. Ndaj Lituanisë Rusia është shumë vigjilente, sepse kufizohet me eksklavën ruse të Kaliningradit.

Fqinjët e BE: Më në jug Bjellorusia, Ukraina dhe Moldavia formojnë një zonë tampon ndërmjet Rusisë dhe BE, i cili po zgjerohet prej disa vitesh në lindje. Ndërsa Bjellorusia ka hyrë në Bashkimin Doganor të Rusisë, Ukraina dhe Republika e Moldavisë joshen shumë nga BE.

Bjellorusia: Bjellorusia u pavarësua në vitin 1991 pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Që nga viti 1994 qeveris me stil autoritar presidenti Aleksander Lukashenko, që lufton kundër privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore (sektori privat nuk ekziston thuajse fare) dhe që është shumë i interesuar për marrëdhënie të ngushta me Rusinë. Bjellorusia është shumë e varur nga nafta ruse. Një pjesë e madhe e transportit të naftës dhe gazit nga Rusia për në Evropë kalon nga Bjellorusia.

Ukraina: Protestat, që zgjatën disa muaj, largimi i presidentit, qeveria e re dhe votimi në Krime, që e bëri gadishullin pjesë të Rusisë - Ukraina ka kohë që zë titujt kryesorë në media. Vendi ka një histori të gjatë të nënshtrimit nga fuqitë e huaja, dhe shkencëtarët mendojnë edhe emri i vendit do të thotë "vend në kufi". Ukraina është shumë e ndarë në aspektin e gjuhës, historisë dhe politikës. Rreth një e treta e popullsisë flasin rusisht si gjuhë amtare dhe natyrisht pjesa lindore rusishtfolëse e vendit ka qëndrim prorus. Këtu separatistët provojnë tani kryengritjen kundër qeverisë në Kiev. Ukraina është e rëndësishme për furnizimin e Rusisë me ushqime, ajo është edhe një qendër për eksportet ruse të energjisë. Vendi është edhe një furnizues i rëndësishëm me ujë dhe energji elektrike për Krimenë.

Shtetet e partneritetit lindor me BE

Shtetet e "partneritetit lindor" me BE

Republika e Moldavisë: Këtu jetojnë rreth katër milionë njerëz. Ky vend i përkiste Rumanisë, derisa u aneksua nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1940. Republika e Moldavisë lufton me tendenca separatiste brenda vendit, sidomos në rajonet e Transnistrisë dhe Gagauzisë.Transnistria separatiste ndodhet në lindje të vendit, në kufi me Ukrainën dhe ka rreth 200.000 banorë, një përzierje etnike me moldavë, ukrainas dhe rusë. Në vitin 1990, një vit para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ajo shpalli pavarësinë nga Republika e Moldavisë, meqë kishte dyshime se Moldavia do të ribashkohej me Rumaninë. Rusia subvencionon pensionet në Transnistri dhe mban trupa në rajon. Në një referendum të kontestueshëm të vitit 2006, 97 për qind e popullsisë kanë qenë në favor të anëtarësimit në Federatën Ruse.

Gagauzia është rajon tjetër autonom në Moldavi, që ndodhet nën ndikimin rus. Rreth 155 000 njerëz jetojnë në rajon, pjesa më e madhe i takon popullit të gagauzëve. Në një referendum në fillim të vitit 2014 bëhej fjalë për marrëdhënie më të ngushta me Rusinë, si dhe përfshirjen në Bashkimin Euroaziatik të presidentit Vladimir Putin. Gati 99 për qind e votuesve ishin kundër një marrëveshje asociimi me BE-në.

Në kuadër të përpjekjeve për kontakte më të ngushta me Republikën e Moldavisë, BE-ja po negocion për një marrëveshje asociimi me këtë vend. Rusia nga ana e saj përpiqet ta tërheqë Republikën e Moldavisë që të hyjë në bashkimin e saj doganor, duke bojkotuar ndër të tjera verën dhe produktet bujqësore moldave.

Kaukazi

Rajoni i Kaukazit, në mes Evropës dhe Azisë, konsiderohet si një nga rajonet me larminë më të madhe gjuhësore dhe kulturore në botë, por edhe si një vatër konfliktesh. Me përjashtim të Azerbajxhanit me pasuritë e tij të naftës, shumica e vendeve të rajonit nuk janë rimëkëmbur ekonomikisht në periudhën postsovjetike, gjë që ka çuar në trazira të mëdha sociale. Ndikimi rus në rajon është ende i madh. Vatrat më të mëdha të krizave: Abkazia, Osetia Jugore, Ingushetia, Çeçenia dhe Dagestani.

Abkazia:Në vitin 1999 Abkazia shpalli pavarësinë nga Gjeorgjia. Megjithatë në luftën për autonomi ekonomia e Abkazisë u la pas dore. Rusia përpiqet ta shprehë ndikimin e saj dhe investon shumë kohët e fundit në Abkazi, e cila ka rreth 250.000 banorë. Që prej vitit 2010 raketa kundërajrore ruse janë të stacionuara në Abkazi.

Osetia Jugore: E njohur si shtet i pavarur nga Rusia pas luftës së Gjeorgjisë në vitin 2008, Osetia e Jugut është një sot një enklavë e izoluar, shumë e varur nga paratë ruse. Shkalla e papunësisë është e lartë, po ashtu edhe çmimet. Për vite të tëra Osetia e Jugut synon të përfshihet në Federatën Ruse. Ky rajon ka rreth 70 000 banorë.

Ingushetia: Ingushetia është një republike autonome brenda Federatës Ruse. Shumica e 400 000 ingushëve janë muslimanë. Përkatësia në fise luan një rol të madh në shoqëri.

Çeçenia: Më 1991, pas shpërbërjes së BS, Çeçenia shpalli pavarësinë nga Rusia. Tre vjet më vonë Kremlini dërgoi trupa për të rivendosur autoritetine tij. Pasoi lufta e parë çeçene, që përfundoi në vitin 1996 me humbjen e madhe të Rusisë. Në 1999 trupat ruse u kthyen përsëri në Çeçeni. Vendi ka shumë papunësi dhe varfëri me gjithë shiringat financiare të Rusisë për rindërtimin. Në Çeçeni jetojnë rreth 1.25 milionë njerëz.

Dagestani: Edhe Dagestani, si Ingushetia dhe Çeçenia, është një republikë autonome në kuadër të Rusisë, shumica e popullsisë 3 milionëshe është myslimane. Edhe pse vetëm 3.5 për qind e popullsisë është ruse, rusishtja është gjuha e parë zyrtare. Nafta dhe e gazi janë sektorët kryesorë të ekonomisë, ashtu si dhe peshkimi. Autoritetet e vendit vlerësohen si jashtëzakonisht besnike ndaj Moskës, por edhe si jashtëzakonisht të korruptuara.