1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kush do ta themelojë Gjykatën Speciale, Kosova, OKB, apo ndonjë mekanizëm tjetër?

Në Kosovë përmenden disa alternativa sesi do të mund të themelohet Gjykata Speciale për krime lufte, pas dështimit të kuvendit për ta themeluar atë. Votimi për gjykatën mund të riprocedohet në kuvendin e Kosovës.

Reagimi i parë i përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë pas dështimit që pati parlamenti ta miratojë themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, ishte që ata ndjehen të zhgënjyer, por paralajmëruan se Kosova nuk ka alternativë tjetër pos që t'i trajtojë supozimet serioze për krime lufte që dalin nga raporti i vitit 2011 i Këshillit të Evropës. “BE-ja është njoftuar për votimin negativ lidhur me ndryshimet kushtetuese, të cilat do ta kishin mundësuar krijimin e Dhomave Speciale të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit Special. Kosova nuk ka alternativë tjetër përpos që t'i trajtojë supozimet serioze që dalin nga raporti i vitit 2011 të Këshillit të Evropës”.

Ky ishte reagimi i parë i përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, pas dështimit që kuvendi ta mundësojë themelimin e Gjykatës Speciale. Reagime të ngjashme kishte edhe nga shumë ambasadorë në Kosovë të vendeve më të industrializuara, të cilat thanë se Kosova nuk ka alternativë, pos që duhet ta mundësojë themelimin e Gjykatës, sepse në të kundërtën këtë do ta bëjë KS-it i OKB-së.

Obligim ndërkombëtar

Tash për tash akoma nuk ka njoftim nga kryesia e kuvendit nëse votimi për ndryshimet kushtetuese që do ta mundësojë themelimin e Gjykatës Speciale do të riprocedohet në kuvend. Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, paralajmëroi se orientim i qeverisë së tij është që çështja e votimit të gjykatës speciale të riprocedohet në në kuvendin e Kosovës, duke bërë përpjekje që të bisedohet me grupet parlamentare dhe me secilin deputet veç e veç në mënyrë që të arrihen dy të tretat e votave që mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale. Kryeministri Mustafa tha se ky është obligim ndërkombëtare që Kosova duhet ta përmbushë.

Në anën tjetër analistët politik dhe njohësit e çështjeve juridike, thonë se mosmiratimi i formimit të Gjykatës Speciale për krime lufte nga Kuvendi i Kosovës do të ndikojë negativisht në proceset e integrimeve evropiane të Kosovës, ndonëse këto dy procese nuk ndërlidhen drejtpërdrejt njëra me tjetrën. Sipas analistëve, Kosova është dëmtuar, por kjo ndoshta edhe mund të korrigjohet.

Blerim Burjani, njohës i çështjeve juridike, i tha DW-së, se mos votimi për Gjykatën Speciale në Kuvend është një paralajmërim i keq për Kosovën për ditët në vijim. Sipas tij, ka tendenca tjera të ngritjes se ndonjë alternative me qëllim të arritjes së qëllimit të bashkësisë ndërkombëtare. “Përpjekjet do te jenë në drejtim të gjetjes se ndonjë modeli tjetër për themelimin e një gjykate të tillë me kompetenca të veçanta”. Analisti Blerim Burjani, thotë se nuk ka pas nevojë që Kosova të acarojë raportet me miqtë ndërkombëtar. “Politika vendore është e stresuar me pak informata me shumë presione se sa shpjegime adekuate se çfarë do të ndodhë edhe pse kjo gjykatë punën pret ta bëjë në Kosovë, për disa raste është thënë se zhvillimi i procedurave mund të bëhet në ndonjërin nga shtetet e BE e që më së shumti përmendet sërish Haga.

Imazhi i Kosovës dëmtohet

Analisti Blerim Burjan thotë se nuk ka rëndësi se si ka ardhur puna deri këtu, "por kjo gjykatë duhet të fillojë punën, pa marrë parasysh se a ka fakte a nuk ka fare, ideja ishte që të zbardhen raste gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999 nga raporti i Dick Martit." Sipas tij nuk do të ishte mirë që rasti të hapet në OKB. "Kjo do t'i sillte një dëm të madh imazhit të Kosovës, andaj një pjesë e historisë së OKB do të mbetej në sirtarët ndërkombëtar për rastet e gjykuara në Kosovë, andaj më mirë kjo çështje të përmbyllet në Kosovë pa zhurmë dhe pa ndonjë publicitet ndërkombëtar.”

Naim Rashiti

Analisti Naim Rashiti

Një njohës tjetër i zhvillimeve politike në Kosovë Naim Rashiti, hulumtues nga Grupi Ballkanik për Politika, (BPRG) thotë për DW, se krijimi i Gjykatës Speciale është një zotim që Kosova e ka bërë qysh vitin e shkuar në këmbimin e letrave ndërmjet presidentes Atifete Jahjaga dhe ish-shefes së diplomacisë evropiane, Catherinë Ashton. Prandaj sipas analistit Naim Rashiti, mosmiratimi i këtyre zotimeve dëmton thellë marrëdhëniet e Kosovës me BE-në dhe SHBA-së. Ai thotë se nëse gjykata votohet në kuvend, ruhet sovraniteti i shtetit dhe subjektiviteti i rendit kushtetues të Kosovës, si dhe kontrollohet jetëgjatësia dhe mandati i gjykatës.

“Nëse partitë politike janë serioze në krijimin e gjykatës brenda vendit, ato duhet të veprojnë shpejt, të krijojnë gjykatën speciale, buxhetin e saj dhe të ftojnë BE-ne ta menaxhojë gjykatën në tëresi. Në këtë rast, Kosova duhet t'i bindë partnerët e saj se do të respektojë autonominë e gjykatës. Po ashtu Kosova do të duhet të arrinte marrëveshje ndërkombëtare për vendosjen e dëshmitarëve të mbrojtur. Ndoshta kështu do të mund të arrihej qëllimi i hetimeve të raportit të Senatorit Marti dhe ruajtjes se koncensusit në Kosovë e njëkohësisht përmbushjes së kushteve të BE-së. Me siguri se po te ishte bërë më herët do të ishte arritur qëllimi”, thotë Naim Rashiti.

Mundësi për Gjykatën Speciale

Analisti Naim Rashti, pas dështimit që kuvendi ta themeloje Gjykatën Speciale, numëron një varg mundësish që Gjykata të jetë funksionale, mundësi këto që që në fakt janë më të dëmshme sesa votimi të bëhej në kuvendin e Kosovës. “Vetë shkëmbimi i letrës mes presidentes Jahjaga dhe Ashton të lejojë që misioni EULEX të fillojë krijimin e kësaj gjykate, dëgjimi i rasteve të bëhet në një vend jashtë Kosovës. I mbetet Gjykatës kushtetuese të Kosovës të vlerësoj kushtetutshmërinë e marrëveshjes Ashton-Jahjaga. Por, disa muaj më herët kjo gjykatë e ka njohur shkëmbimin e letrave si marrëveshje ndërkombëtare, me vazhdimin e mandatit të gjykatësve ndërkombëtarë”.

Dick Marty Abgeordneter des Europarats Flash-Galerie

Senatori zviceran Dick Marty pretendon se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte gjatë luftës në Kosovë

Mundësia e dytë sipas analistit Naim Rashiti është që “Bashkimi Evropian të krijojë gjykatën në Bruksel apo diku tjetër në bazë të marrëveshjes së vitit 2008 ndërmjet sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon dhe Havier Solana, ku OKB (UNMIK) transferon kompetencat e rendit dhe ligjit tek BE misioni (EULEX) në kuadër të rezolutës 1244 të KS-it”.

Dhe mundësia e fundit sipas Naim Rashitit është që shtetet anëtare të KS-it të OKB-se të pranojnë propozimin rus për miratimin e gjykatës speciale për Kosovën nga OKB. Kjo mundësi e fundit është përmendur edhe nga ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracy An Jacobson e cila ka thënë se SHBA-së nuk do ta pengojnë themelimin e Gjykatës Speciale nga OKB, nëse Kosova nuk e themelon vetë këtë gjykatë.

Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organeve të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Një prokuror amerikan Clint Williamson, tashmë ka kryer një hetim të gjerë rreth këtyre pretendimeve. Kjo gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte. Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

DW.COM