1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kush do ta paguajë faturën e krizës në Greqi?

Greqia është përfshirë sot nga një grevë e përgjithshme e sektorit publik dhe privat. 24 orë pa trafik ajror, detar dhe hekurudhor, shkollat pa mësim dhe spitalet vetëm me personel shërbimi emergjent.

Aeroporti Venizellos në Athinë, 24 shkurt 2010

Aeroporti Venizellos në Athinë, 24 shkurt 2010

Greva, do të jetë edhe testi i parë serioz për atë që diskutohet me zjarr anëkënd Greqisë se kush do të paguajë "faturën" e krizës.

Punonjësit ndodhen përballë një cunami të vërtetë masash të njëpasnjëshme qeveritare që reduktojnë ndjeshëm të ardhurat e tyre dhe venë në pikëpyetje të drejtat e sistemit të deritanishëm të siguracionit social. Punonjësit e sektorit publik kanë humbur 10% të të ardhurave të tyre nga paketa e masave shtrenguese dhe tani ftohen të punojnë dy vjet më shumë deri në 67 vjeç për të dalë në pension. Benzina është shtrenjtësuar me 15 cent për litër dhe pritet një shtesë tjetër, kur shënohen përditë rritje çmimesh në artikujt e përdorimit të përditshëm.

Qeveria greke shfaqet e palëkundur në zbatimin e programit të saj

Qeveria, e vënë nën mbikqyrjen e ngushtë të "troikës" perëndimore, Komisionit Evropian, Bankës Qëndrore Evropiane, por edhe Fondit Monetar

Ndërkombëtar, kontrollorë të të cilëve janë vendosur që të hënën në Athinë, shfaqet e palëkundur në zbatimin e programit të saj dhe e vendosur të marrë "masa shtesë" që me sinjalin e parë të Brukselit.

"Qytetarët grekë janë të vendosur të kontribuojnë, por duan të dinë se kanë përspektivë edhe siguri. Dhe ne duam tu japim përspektivë edhe siguri, duke kërkuar si shkëmbim ndihmën edhe mbështetjen e tyre, që është e dhimbshme, por sakrifica ka përspektivë", deklaroi ministri i Mbrojtjes, Evangjellos Venizellos pas takimit me kryeministrin Papandreu për problemin akut financiar të vendit. E inkurajuar nga konsensusi i anketimeve ku qytetarët në masën 63% aprovojnë masat e marra, qeveria dërgoi kështu një tjetër apel në prag të grevës për mirëkuptim pasi "saktificat" do të kenë sipas saj si rezultat "mbulimin e defiçitit financiar, stabilitet, më shumë vende pune dhe përspektivë".

Sindikatat kërkojnë grafik për daljen nga tuneli

Por sindikalistët dhe kryesisht ata të majtë, që sot organizojnë dy manifestime të veçanta në qendër të Athinës kanë mendim tjetër.

"Duam drejtësi sociale, pjesëmarrje të të kamurve dhe poseduesve" në përpjekjen që po bëhet si edhe grafik të qartë kohor për dalje nga tuneli", thotë presidenti i Konfederatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë" Janis Panagopullos. Kurse Jorgos Peros i sindikatës së majtë

PAME(Fronti Militant Panhelenik) shprehet kundër çdo "sakrifice" nga punonjësit.

"Ne u themi qartë punonjësve asnjë euro për plutokracinë. Ajo ta paguajë krizën. Depozitat e afaristëve në vitin 2004 ishin 36 miliardë euro. Sot janë 136 miliardë. Nga ata të kërkojë qeveria mbulimin e defiçiteve," thotë Peros që së bashku me sindikalistë të tjerë patën zaptuar për disa orë të martën paradite në mënyrë simbolike Bursën e Athinës.

Në mesin e një klime të tillë dhe me përshtypjen dominuese të përgjithshme se Brukseli po i vesh një "kostum shumë të ngushtë" Greqisë mbahet sot greva e përgjithshme që shënon edhe kulmin e lëvizjes sindikaliste. Një masivitet i madh i saj do të jetë sigurisht një mesazh i qartë paralajmërues për qeverinë se pa konsensusin e gjerë social vështirë se do të materializojë programin e saj ambicioz, që shihet si e vetmja alternativë për daljen nga kriza por edhe rifitimin e kredibilitetit të humbur të vendit.

Autor: Niko Anagnosti/ Athinë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 24.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M9tq
  • Data 24.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M9tq